Ndue Ukaj: Gazi amerikan dhe njerëz të përgaztë
Gazi amerikan dhe njerëz të përgaztë

Kosova,
tash e gati dy vite është bërë gazi i botës, si një vend ku ka pllakosë mjerimi
politik, me të gjitha të zezat që sjell ai: tipare anarkie, plogështi, shkretim
të jetës, tharje të idealeve, izolim, rrëmujë shpirtërore, dhe një urrejtje,
fytyra e së cilës është shumë e shëmtuar.
Në
të vërtetë, stërkeqja e vendit tonë, ka filluar që kur, nën flamurin e
demokracisë, kanë ngadhënjyer idetë radikale të majta, të ardhura përmes një
agjende të inxhinieruar, që predikon me terma religjiozë, për lumturi, drejtësi,
barazi e parajsë në tokë. Kështu kanë vepruar të gjithë komunistët përgjatë
historisë: kanë premtuar parajsë, në emër të së cilës ide kanë joshë mijëra
njerëz, duke formuar ushtrinë e të pakënaqurve që kërkojnë lumturi, dhe në
fund, të gjithë kanë përfunduar në ferr.
Prijësi
intelektual, Ibrahim Rugova, kështu thoshte për komunizmin:
"Komunizmi
nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i
historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që
e mohon historinë. Shefat si - Tito, Mao, Hoxha, Lenini...-pastaj fabrikuan
historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të
qëllonte intelektualët."
Kosova
sotme politike i ngjan një pacienti të sëmurë rëndë me ide komuniste, që
refuzon të trajtohet, një pacienti që i ka mbyllë dyert e dritaret, dhe ngulmon
të jetojë në tym e në smog mendor. Ka aq shumë tym e smog mendor, plogështi
kolektive dhe një gjendje asfiksi mendore. Prandaj, shumë rrallë ndodh që
njeriu të dëgjojë a të lexojë një ide të kthjellët politike. Debatet për temat
e mira, janë abortuar, dhe në vend të dialogut, zotëron monologu ose një e
folme publike që i ngjan gjuhës së bebeve.
Refuzimi
i gazit amerikan - temë aktuale e këtyre ditëve - nuk është refuzim dosido, por
një barrikadim kundër perëndimit, dhe nuk ka lidhje me asnjë interes tjetër
real të Kosovës, prandaj, nuk duhet të trajtohet si një refuzim i rastësishëm,
por si pjellë e një mendësie duambabiste, që kombit shqiptar i ka shkaktuar
shumë tragjedi në histori, duke e lënë të prapambetur e të pazhvilluar.
Pra,
ky refuzim si i tillë është refuzim pastërtisht ideologjik, i thadruar në
mendësinë e atyre shqiptarëve që kanë zell për duambabizmin, por edhe lëvizjet
e radikale të majta, që për emërues të përbashkët e kanë urrejtjen ndaj
perëndimit.
Mendësinë
duambabiste, komunistët shqiptarë, andej e këndej kufirit, e kanë shfrytëzuar
për të fabrikuar një njeri të ri, të përdorur e të keqpërdorur, lehtësisht, për
t’i mbrojtur do ide të përdala proletare, kudo, nëpër skaje të botës, në emër
të cilave e kanë lënë vendin e tyre në mjerim të thellë, duke kryer njëherësh
krime e padrejtësi të mëdha.
Çfarë
kanë përfituar shqiptarët prej këtyre ideologjive, pos mjerim, izolim e tharje
të jetës?
Kurse,
në anën tjetër - është fakt i pamohueshëm - siç nuk mund të mohohet ky diell
korriku, se Kosova zhvillimin më të madh historik e ka njohur pikërisht në
kohën kur ka ecë krahë për krahë me perëndimin. Në këtë kohë, ajo ka realizuar
idealin e kamotshëm për liri, pavarësi, ka konsoliduar shtetin dhe ka bërë një
përparim të gjithmbarshëm, që nuk e ka njohur kjo tokë e lanë shekuj e shekuj
djerrë. Pikërisht këtë transformim e atakojnë këta që sot populli i Kosovës i
ka përzgjedhur për të luajtur për ta, duke refuzuar Amerikën, që domethënë,
duke treguar simpati të hapur për lindjen. E simpatia e shqiptarëve për
lindjen, përveç ideologjike, ka tharm duambabist.
Meqë
jemi ende në atmosferën e futbollit, nëse i shpjegojmë problemet e klasës sonë
përfaqësuese me gjuhën e futbollit, atëherë, këta që kanë zbritur në lojën e
politikës dhe luajnë në emër të Kosovës, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk
meritojnë të kualifikohen as për ndonjë ligë të ndonjë mëhalle të vogël
politike – le më për të përfaqësojnë një vend, që ka nevojë të fitojë, të
tregojë vullnet për mësim, disiplinë, strategji, frymë bashkëpunimi, etj.
Këtij
ekipi i mungojnë të gjitha cilësitë që duhet t’i ketë një ekip për të fituar,
dhe më tragjikja, në fushën e lojës, ky ekip, përveçse tregon që nuk ka cilësi,
demonstron arrogancë dhe përfaqëson flamurin e injorancës brutale politike.
Në
fakt, ajo që ne e kemi përzgjedhur ta quajmë klasë politike, ka një mospërkim
të frikshëm e dramatik me politikën në kuptimin si përkufizohet ky aktivitet i
moçëm njerëzor në vendet e qytetëruara e normale.
Politika,
këtu, te ne, nuk merret as me mbarështimin e punëve të qytetit e as me Res
Publican, por, fatkeqësisht, merret me disa ide triviale, që në kushte normale
është marre të dalin prej dhomave me muhabete e tym duhani, të pasdarkeve të
vona, ku nuk ka as kthjelltësi e as ndonjë rregull se kush flet e çka thotë.
Pra,
ajo çfarë këtu përkufizohet politikë e demokraci, nuk përkon me atë çka bota e
qytetëruar nënkupton me politikë e demokraci.
Demokracisë,
përditë i këputen ato pak filiza që i kanë mbetë e toka ku ajo duhet të
zhvillohet është mbuluar prej një tymit të zi.
Kurse,
politika, prej një aktiviteti që ka për detyrë të merret me mbarështimin e
punëve të qytetit e të përbashkëtës, është kthyer në aktivitet ku hesapet për
të rehatuar të pasmet e dikujt janë thelbi i punës e idealeve - e jo idetë për
qytetin e shtetin.
Prandaj,
në vendin tonë, njeriun normal e merr malli të dëgjojë një mendim të shëndoshë
javë e muaj e ndoshta vite. Përkundrazi, ai ushqehet me dezinformata e
mashtrime të përditshme, të cilat, më së shumti i promovon makineria e
propagandës shtetërore, që flet për lumturi edeni.
Dikur,
jo shumë larg me kohën tonë, ne kishim një klasë politike, që vinte prej
proveniencës intelektuale e krijuese. Ajo kishte uri për të mësuar e për të
përvetësuar të mirat e demokracisë, kurse tani kemi një kastë politike që nuk
ka as uri dije e as për demokraci.
Pikërisht
kjo është arsyeja pse brenda Kosovës është ndërtuar një mur i madh, jo me gurë,
armaturë e beton, si ai muri i dikurshëm i Berlinit, që ndante një popull dhe
dy botë, por një mur prej gjuhe me gjemba.
Pushteti
ka krijuar një ushtri njerëzish të bindur e të armatosur me urrejtje, të
mbarsur me idenë se ata, pra të tjerët, nuk janë si ne.
E
kush janë ata të tjerët?
Dihet,
ata janë opozita, mediat, Serbia, dreqi e i biri.
Pra,
muret nuk ndërtohet vetëm kur ka luftëra, muret më të tmerrshme janë ata që
formohen prej ideve të këqija, ku njerëzia thyejnë hundë e buzë.
E
në vendin tonë më shumë se çdo gjë, në fushën e politikës, ndërtohen mure, me
ide të këqija, përditë, kudo dhe me afsh.
Kjo
është arsyeja pse është shkatërruar motori që e mirëmban në jetë demokracinë:
dialogu.
Prandaj,
të presësh zhvillime demokratike, kulturë perëndimore e prosperitet të gjithmbarshëm
prej mendjeve kaq të cekëta e njerëzve pa cilësi është si të nisesh të vjelësh
rrush në një shkurre.
Këta
që sot janë përfaqësues të Kosovës në politikë, janë do lojtarë që nuk kanë as
talenti, as cilësi, as uri për të mësuar.
Duke
jetuar në dëlirin e madhështisë që u krijon aureola e pushtetit, siç ka thënë
shkrimtari Gabriel Garcia Marquez, njerëzit e tillë, sa më që kanë pushtet, aq
më të vështirë e kuptojnë se kush i gënjen dhe kush ua thotë të vërtetën. Ky
shkrimtar, na kujton se një person me shumë pushtet, është i rrethuar me
interesa dhe njerëz që kanë si qëllim final ta izolojnë atë nga realiteti.


