Ndue Ukaj: Varfëria mendore - plaga më e madhe e Kosovës

Kosova
është vendi më i varfër në Europë, jo pse këtë e thotë një organizatë
ndërkombëtare, por pse këtë realitet e pasqyron fizionomia e shkretë e vendit
tonë, duke ia filluar prej gjuhës skajshmërisht të varfër, deri te imazhet e
shkreta, që tregojnë fytyrën përditë e më të zbehtë të shtetit tonë.
Një
shtet i vogël, si Kosova, dikur, jo shumë vite larg kësaj kohe, u bë i madh në
hartën e botës, sepse në krye të saj kishe mendje që i zgjeronin limitet e
gjuhës, mendje që kishin ide të mëdha e ideale sublime, për lirinë, demokracinë
e paqen, pra kishte njerëz të vërtetë, që besonin te mira dhe zgjoheshin
përditë me dëshira solidare për të bërë diçka më mirë për vendin.
Kosova
viteve të fundit është zvogëluar dhe përditë e më shumë bëhet më e vogël në
hartën e botës, përditë e më shumë duket më e zbehët, me e vetmuar, sepse në
krye të saj ka ide të vogla, të cekëta e izoluese.
Në
kryeqytetin e saj, nuk ka një mur si ai i Berlinit, por ka mure të urrejtjes e
të përçarjes, që kanë instaluar mendësinë e një luftë të secilit kundër
secilit. Duke menduar për këtë gjendje të mjerë, shpesh më kujtohet Ernest
Koliqi, një prej mendjeve më të bukura shqiptare dhe që ka bërë për arsimin e këtij
vendi më shumë se secili ministër në historinë tonë, që thoshte se “pesë shekuj
të një dominimi të errët dhe përçarës kishin mbjellun në shpirtin e kombit shqiptar farën e
tradhtisë që e brente dhe e shkatërronte ndjenjën mbi origjinën e përbashkët, përkatësisht
vëllazërimin.”
Ndërkohë
që varfëria bërtet e ulërin mes nesh, muret e përçarjes rriten, vendi ynë
izolohet, përballë kësaj gjendje, ka një qeveri që kukuris e flet për mrekulli
ekonomike e një udhëheqës sharlatan, që armiqësitë e përçarjet i ka aleancat
kryesore të mbijetesës politike.
Dhe
tragjikja nuk është varfëria në vetvete. Tragjizmi i vërtet lidhet me faktin se
vendi më i varfër në Europë, në krye ka një njeriun që përrallis kudo për
zhvillim ekonomike, citon filozofë e shkolla ekonomike, nëpër forume
ndërkombëtare, duke u munduar ta mbulojë diellin me shoshë, siç kanë bërë
përherë në histori pushtet e këqija, të cilat armë kryesore të mbijetesës e
kanë propagandën shtetërore, gjë të cilën e bëjnë me afsh. Soji i këtyre pushteteve, dihet, kur bien,
prapa lënë shumë shkretim të jetës dhe tonelata probleme për breznitë e reja.
E
për fatin e zi të këtij vendi, gjuha e varfër politike e ka ngulë flamurin e
triumfit në secilën fushë të jetës sonë, duke e sakatosur një shoqëri me
probleme të mëdha e të trashëguara, një shoqëri që ende i vuan pasojat e
aksidenteve të tmerrshme që ka pësuar në histori.
Një
gjuhë kaq e mjerë politike, me limite të tmerrshme, në të vërtetë do ta
shkaërronte secilin vend të zhvilluar jo ma një shoqëri të vobektë si kjo e
jona, që pasi një fazë ripërtëritje e vrulli, pas lirisë e pavarësisë, sot
gjendet në një lloj paralize totale.
Pra,
varfëria mendore lulëzon mes nesh dhe ky është krye problemi i vendiet tonë. Pa
u vetëdijesuar për këtë, nuk ka sesi ndezët mes nesh drita e zhvillimit. Dhe dritën e zhvillimit nuk mund ta ndezin
njerëzit që besojnë në errësirë e ne ide të errëta.
Varfëria
mendore peshon aq shumë mes nesh sa shpesh më duket sikur jemi në ato kohët e
krijimit të një ideje për lirinë mes shqiptarëve, diku në fillim të shekullit
të kaluar, kur shkruante Faik Konica e plot mendje si ai për mjerimin shqiptar
dhe nevojën për t’i mësuar njerëzit me abc-në kulturore, për lirinë, shtetin e
zhvillimin.
Pra,
në vendin tonë sundon ashpër pushteti i padijes dhe krahas tij është zhvilluar
pushteti i gënjeshtrave, kurse tema më serioze e një shoqërie, shteti dhe
politika janë në duar të njerëzve që mezi mund të bëjnë një përkufizim
fillorist për këto dy fusha.








