Ndue Ukaj: Çmësimi i shqiptarëve me shtetin

12m më parë

Çmësimi i shqiptarëve me shtetin

Nga Ndue Ukaj

Nuk di të ketë ndonjë libër që të ketë përshkruar më mirë paaftësinë e shqiptarëve për të bërë shtet sesa romani, “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Në këtë vepër, shkrimtari flet për çmësimin e shqiptarëve me shtet, një fenomen me të cilin po përballet Kosova e sotme.

“Viti i mbrapshtë” është një roman i bukur, i shkruar mjeshtërisht, plot pikëllim, humor e qesëndi, ku trajton pasojat që i mbarte mbi supe Shqipëria e porsadalur nga nata e zezë osmane.

Si duket - Viti i mbrapshtë i Kadaresë - është sintagmë pikëllimi dhe dhimbje që e përshkon historinë shqiptare në secilën stinë.

Shqiptarët, të paaftë për katharsis, nuk mësojnë asgjë nga historia dhe prej një gabim shkojnë e përplasën në një tjetër - më të madh dhe më tragjik.

Mjafton që të lexohen me vëmendje disa pasuese të mëposhtme dhe mund të kuptojmë shumëçka për dramën e Kosovës së sotme:

...

Ma ndjell zemra për keq, -thotë befas Doska. –

Shqipëria do prishet.

-T’u thaftë ajo gjuhë, -ia pret Alushi dhe kthen kryet nga Shestani. Me vete thotë: si i lëshon kështu, pa të keq, këto mynxyra ky njeri?

...

“Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qytet i kërcente sot të shpallej i tillë, e tjetri shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, por njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqet shenjat natën.”

...

“Doska trokiti pa pushin në njërën nga portat, gjersa më zë foli nga brenda:

-Me kënd jeni ju?

-Me Shqipërinë, -thirr Doksa, me kënd tjetër të s’ëmës do të jemi.

-Të gjithë ashtu thonë, por pastaj del që asnjëri nuk është me të.

-Mbylle atë gojë, more kërmill, dhe më thuaj a ka trupa të armatosur matanë fshatit.”

Heroi i këtij romani, Shestan Verdha, një i kryqëzuar për atdhe, me grupin e tij të sinqertë që lufton kundër prishjes së Shqipërisë, i pikëlluar e kupton se ai dhe shokët e tij, mezi bëheshin njëqind për të mbrojtë Shqipërinë, përballë bandës esadiste, që thërrisnin babën e që ishin rreth njëmijë.

Dy dekada e më shumë pas çlirimit të Kosovës dhe gati dy ë dekadë prej pavarësisë, në Kosovë, në vend se të flasim për zhvillim, dinjitet, mirëqeni, për arsim cilësorë, për shëndetësi normale, dhe, siguri ekonomike për të gjithë, ne flasim, nëse vendi ynë do t’ia dal të mbijetojë apo jo. Kudo dhe kurdo, dëgjon njerëz të shqetësuar, që thonë: Kosova po prishet.

Ndërkaq, në anën tjetër, sikur në romanin e Kadaresë, të gjithë bëhen sikur të jenë të Kosovës, të gjithë bëhen sikur po e ruajnë dhe duan atë, por në të vërtetë, punët janë ndryshe dhe pak duket të jenë vërtet me të.

“Dashurinë” tonë për Kosovën e përgënjeshtron fotografia e shtetit tonë, e shëmtiar dhe zymtë, aq shumë, sa që, ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, kanë filluar të mos e njohin.

Kosova e ka humbë simpatinë e perëndimit dhe kjo ka ndodhë për shkak të qeverisjes bashibozuke, tipike orientale, të intrigave, mashtrimeve dhe budallaqeve të pashembullta që e kanë karakterizuar rritën e shtetit tonë.

Shteti i Kosovës sot është shndërruar në një mishmash ngatërresash, secila ma primitive se tjetra e ku valon flamuri i “çmësimit të shqiptarëve me shtet”.

“Viti i mbrapshtë” ndonëse flet për vitin 1914, dy vite pasi Shqipëria doli e pavarur- esencialisht trajton pasojat që la sundimi osman në psikologjinë shqiptare e që shtrihen në disa shekuj, aq sa zgjati ky sundim. Që domethënë, flet për një fenomen tejkohorë, prandaj, kjo vepër si e tillë, mund të lexohet për secilin vit të mbrapshtë historik e politik, që ka ndodhur apo mund të ndodhë në botën shqiptare, diku në Europë, Azi, ose, në një skaj tjetër të botës.

Për një popull të robëruar me shekuj, malli për shtetin dhe lirinë, do të duhej të ishte i madh, përvëlues, por kjo nuk ngjet me shqiptarët, të cilët, kur u zgjuan nga robëria e gjatë dhe u gjenden nën rrezet e dritës së lirisë, shfaqen të trullosur dhe të përçarë. Për këtë arsye, Ismail Kadareja ia paraqet lexuesit shkaqet e çmësimit të shqiptarëve me shtetin, temë kjo që në të vërtetë përbën boshtin themelor të romanit.

Gjatë gjithë shtjellimit të subjektit të kësaj ngjarje, duke e përcjellë konfliktin ndërmjet shqiptarëve, pastaj, duke e parë sfondin e tij historik, lexuesi pyet: munden apo s’munden shqiptarët të bëjnë shtet? Kjo dilemë e makthshme, e përshkon këtë vepër letrare, në strukturën e se cilës gdhendet golgota nëpër të cilën kaloi populli shqiptar. Kadareja, për të paraqitë sa më të plotë këtë dramë, atë e sheston në variante të ndryshme kuptimore, varësisht prej entitetit narrativ ku përshkruhet. Në këtë pikëpamje, vepra ndahet në tri kategori semantike: Fshatarët, të cilët ndonëse të keqkomanduar dhe të paktë, kanë mall për shtet dhe liri; bandat esadiste, të cilat nuk duan të shqiten nga robëria meqë janë të mësuar me të, dhe fuqitë e huaja, të përqendruara në Durrës, që dramën shqiptare e këqyrin nga një distancë tjetër, të mbështjellë me interesa dhe paqartësi.

Kadareja, duke i dhënë pamje të trefishtë historisë së krijimit të shtetit shqiptar, dhe, duke e tërheqë lexuesi nëpër situata e stile kontradiktore, e lë vetë të shestojë këtë kaos, që nuk është vetëm politik, por më shumë kulturor e shpirtëror. Në këtë plan, lexuesi e ndien se, horizonti i romanit, shkon përtej ngjarjes së rrëfyer, sepse imagjinata e shkrimtarit, përshkon historinë më thellë sesa që rezulton nga ky vit real historik.

Narratori, për t’ia paraqitë lexuesit këtë horizont të gjerë tematik, e zhvendosë prej kontekstit të kohës dhe e fut në lojën e përhershme historike. Kështu që, çmësimi i shqiptarëve me shtetin, rezulton të jetë pasojë e aksidentit historik, i pushtimit të gjatë otoman. Dhe, për ta bërë më të qartë këtë ide, shkrimtari e ndërton një dialog domethënës mes konsullit francez dhe famullitarit katolik të Dioqezë së Oroshit.

“Do të përpiqem t’jua shpjegoj, -tha famullitari. Ju e dini se shqiptarët pesëqind vjet ishin pa shtet.

-Pra aq më keq, -ndërhyri tjetri. –Pa shtet, domethënë të pamësuar me këtë mjeshtri ose këtë pasion, merreni si të doni. Ah, apo ju ndoshta deshët të thoshit se pas pesëqind vjetësh pa shtet, i ka marrë aq shumë malli për një gjë të tillë, saqë...”

Këto dialogje, sot, janë krejt aktuale, në Prishtinë, sepse, ajo çka tregojnë më së miri shqiptarët është çmësimi i tyre me shtetin.