Ndue Ukaj: Kosova mes diktatit politik dhe rrënimit të demokracisë

1h më parë

Ndue Ukaj:

Të besosh se Albin Kurti ka respekt për Kushtetutën e Kosovës është njëlloj si të besosh se një ujk i uritur ka respekt për një qingj dhe nuk e ha.

Kurti ka ardhur në pushtet për ta zhbërë këtë Kushtetutë, për çka ka dhënë prova të shumta, të cilat veç budallenjët e tutharët nuk i kuptojnë. Plus të mpirit me ideologji komuniste, që këtu janë me bollëk.

Prandaj, ai po kërkon ta çnderojë opozitën dhe pastaj ta nënshtrojë, përmes metodave krejtësisht jo demokratike- duke zhvleftëuar Kushtetutën, mbasi njëherë mirë e mirë e ka zhvleftësuar dialogun politik e marrëveshjën politike.

Pra, ai, duke e prishur këtë rend kushtetues, nën rrënojat e tij, dëshiron ta krijojë një rend të ri politik, të vetin, një kushtetutë që iu shkon për shtati ambicieve të tij të sëmura politike. Dhe në këtë betejë, ai duket i vërtetë, siç është i vërtetë në betejën egërshane kundër perëndimit.

Dihet, çështjet  e ligjeve dhe të demokracisë, janë të lidhura si mishi me thonin me edukimin dhe kulturën e një personi ose një shoqërie.

Sot, në Kosovë, mjerisht, nuk mund të flitet as për kulturë demokratike e as për kulturë juridike.

Përkundrazi, vendi ynë, përditë e më shumë, i ngjan një anarkie.

Kushtetuta, interpretohet si të ishte një pikturë a vepër letrare, e cila, dikujt, mbi bazë të shijeve, mund të mos i pëlqej fare e dikush mund të mos e kuptojë fare.

Udhëheqësi i vendit tonë, tallet me demokracinë e drejtësinë, me sjellje dhe veprime tipike joperëndimore, duke treguar, kështu, me vepra se është oriental dhe destruktiv.

E orientalët shqiptarë, historikisht kanë qenë rrënimtarë, duambabistë primitivë - ose më qartë - pisllëku i historisë sonë.

Kjo mendësi e ka penguar historikisht zhvillimin e kombit tonë, dhe tani po e gërryn Kosovën.

Prandaj, në Kosovë, sot nuk flitet për zhvillim, por ka kthim prapa; prapambetura ka gdhendur fytyrën e shëmtuar, kudo, duke ia filluar prej demokracisë e vlerave që lidhen me këtë sistem.

Thjesht, problemet e Kosovës së sotme janë një lëmsh i madh, kurse duart që i kanë në duar këto çështje, janë duar që nxiten nga mendjekëqij dhe sy me shikim të turbullt, që në vend se ta kufizojnë të keqen, e trashin përditë e më shumë.

Kosova sot ka probleme prej ma absurdeve: është në pisllëk politik e juridik, është e demoralizuar, ka dëmtuar të gjitha urat e bashkëpunimit të jashtme e të brendshme- në një vend ku lajmet e mira janë rrallohen përditë e më shumë.

Kosova është duke u rrudhë përditë e më shumë, kurse budallenjtë krekosen përditë e më shumë për suksese të cilat ata i matin me sukseset ku i ulin të pasmet e tyre.

Kosova është duke ecë qorras drejt së ardhmes së paqartë, me një të tashme të egër me supet e saj të buta.

Një vend i vogël dhe i varfër në vend se t’i zgjerojë kapacitetet e të menduarit e të përfitojë prej vlerave të demokracisë dhe të mirave të këtij sistemi, përditë e më shumë po rrudhet e po shfaqet imbicil, me kapacitete të shkreta, një vend ku dialogu, që është motori i demokracisë, i ngjan në një kontinent të pashkelur.

Këto sjellje politike e juridike, qartësisht nuk kanë lidhje me konceptin modern për shtetin. Ato i ngjajnë konceptit për ‘truallin”, prandaj, e përbashkëta ose ajo që njihet prej antike si res publica është rrudhë aq shumë sa mezi duket.

E një ditë, historia jonë e kësaj kohe, nëse do të shkruhet drejt, jam fort i bindur se do të mbushet me imbicilë dhe faqezinj, që kanë përlyer kujtimet më të bukura të Kosovës së bukur, që në shtrëngata politike, kishte udhëheqës klasi si Ibrahim Rugova, të urtë e përbashkues si Anton Çetta, guximtarë si djemtë dhe vajzat e UÇK-së.

Prandaj, duhet t’ju kujtojmë juve, se nuk duhet të jesh spiun që t’i ndihmosh armikut, mjafton të jesh injorantë e faqezi.