Ndue Ukaj: Nga vizioni evropian i Rugovës te ngulfatja nga demagogjia

Në
kohë të liga, si kjo e jona, kur asgjë nuk duket normale, mësimet më të mira
për të dalë prej kësaj amullie mund t’i marrim prej njerëzve të mirë. Në këtë
aspekt, historia jonë politike nuk ka shumë figura shembullmira, prej të cilave
mund të mësojë dhe kjo lidhet me trashëgimitë negative nëpër të cilat kemi
kaluar.
Fatkeqësisht,
historia jonë politike, siç është thënë prej shumë rilindasëve e njerëzve të
ditur është e mbushur me tradhti, kusarë, zuzarë e rriqna, që kombit shqiptarë
i kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke e lënë në mjerim.
Se,
mos zhvillimi i një vendi është krimi më i madh që mund t’i bëhet atij. Mos
zhvillimi e bën fragjil ndaj ideve të këqija dhe forcave destruktive, të cialt
më së miri jetojnë kur ka kriza.
Në
historinë tonë, nëse kërkojmë nëpër shekuj, shndrit si asnjë tjetër, figura
shumëdimensionale e Ibrahim Rugovës, jo vetëm për faktin se projekti i tij
intelektual u realizua në përpikëri, por parasegjithash për faktin se ai qe
atipik në të gjitha pikëpamjet: qe një shqiptar i madh e europian i klasit të
lartë, shpirt tolerant, i hapur për t’i zgjeruar kapacitetet e të menduarit, i
gatshëm për të marrë pjesë me dinjitet në çdo metropol, njeri i vërtetë që nuk
kukuriste ide të cilave nuk iu besonte, politikan intelektual që nuk bënte
demagogji, por fliste me zemër, për njeriun në qendër të aktivitet të tij. Pra,
thjesht ai besonte në një shtet që vihet në shërbim të njeriut dhe jo një shtet
në të cilin njeriu shndërrohet në instrument të shtetit.
Meritat
e Rugovës në fushën e politikës e të mendimit janë të njohura në rrafshin
universal. Ishte ai që ia doli Kosovën e vogël dhe të mjerë, ta bënte çështje
të botës së përparuar, duke e vendosur vendin e vogël në hartën e madhe të
botës.
Rugova,
në një intervistë të vitit 1991, për gazetën "Ora", ka folur për
njërën prej sfidave më të mëdha të politikës shqiptare, demagogjinë, dhe fjalët
e tij të para tri dekadave tingëllojnë ai të ishin thënë sot:
“Ne
me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin
komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo
parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta
denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por
të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe
të angazhohet konkretisht për të.”
Dhe
që historia të mos përsëritet, ai këshillonte që politika të nxirrte mësim nga
ajo. Ja çka thoshte ai për komunizmin:
"Komunizmi
nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i
historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që
e mohon historinë. Shefat si - Tito, Mao, Hoxha, Lenini...-pastaj fabrikuan
historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të
qëllonte intelektualët."
Fatkeqësisht,
në Kosovë, ka vite prej kur qeverisë pushteti i demagogjisë dhe ideve
primitive.
Demagogjisë
i është ngritur monument i lartë blatimi, ku njerëzit shkojnë e përulen për të
dëshmuar besnikëri të verbët.
Qeverisjes
demagogjike, kur i duhet patriotizmi, e thërret me britma e buri, kur nuk
i duhet, e shkatërron, prandaj, nevoja
për ta mundë këtë mendësi është një prej testeve më serioze që shoqëria jonë
sot ka përpara vetes.
Ky
është testi më i madh i pas luftës. Sepse, kjo dergjë politike është duke e
gërryer përditë shëndetin e këtij vendi.
Ka
vite që kur është shkatërruar politikën si aktivitet i njerëzve të lirë në
këmbim të një gjuhe të gërditshme politike, me limite të mëdha, që tregojnë
qartësisht limite edhe në intelekt.
Demagogjia
bën emetimin të ideve të këqija, gazrave mendor, dhe këtë e mirëmban fuqishëm
propaganda shtetërore, që ka shkelë me dy këmbë mbi kulturën demokratike dhe
parimet e demokracisë.
Ky
pushtet i demagogjisë e ka shëmtuar fizionominë e vendit tonë, prandaj bota
përreth nesh nuk na sheh si vend normal, nuk na njeh, nuk na kupton, na sheh si
një vend pa kurrfarë vullneti për t’u zhvilluar e për të ecë krahë për krahu me
vendet e civilizuara.
Zhvillimi
nuk bëhet me demagogji, duke emetuar azot nga gjuha, që e prish krejt mjedisin
etik e social.
Zhvillimi
nuk bëhet me arrogancë e ide të varfra, që valëviten si punë të mëdha, por me
ide kreative, solidaritet, me partnerë, me kulturë të lartë qeverisje, vlera
këto të rralluara aq shumë mes nesh sa mezi duken.
Pra,
fatkeqësia më e madhe që i bie hise një vendi është kur ajo qeveriset prej
demagogëve, prej atyre që flasin me afsh për tema të mëdha e bëjnë punë të
vogla sa as me mikroskop nuk duken në fizionominë e një vendi.
Pushtetet
e tilla, numërojnë me epsh veç suksese dhe i eksitojnë turmat me propagandë për
parajsë, por dihet, prapa lënë mjerim, siç tregon historia.
Kjo
mendësi qeverisëse, nuk ka lidhje me zhvillim, me demokraci e vlera
perëndimore, por që ka një përkim të qartë, me mendësitë autoritare e jo
perëndimore. Duke u qeverisë prej demagogëve, përmes armës më të fortë që njeh
njerëzimi, propagandës, vendi ynë duket në një paralizë totale.
Vendi
ynë, duhet ta kalojë këtë test ekzistencial: të çlirohet prej pushtetit të
demagogjisë e ideve primitive dhe të kthehet në normalitet.







