Ndue Ukaj: Gjergj Kastrioti – themel i identitetit dhe kujtesës Shqiptare


Arkitektura
shpirtërore dhe politike e kombit shqiptar është e lidhur me emrin e Gjergj
Kastriotit, më shumë se me çdo emër e ngjarje tjetër, prandaj, ne kemi nevojë
ta aktualizojmë tregimin për të, për ta ndriçuar errësirën e madhe në historinë
tonë, por edhe për t’i kuptuar shkaqet e mjerimit tonë, që bërtasin edhe në
ditët e sotme.
Në
të vërtetë, historia jonë, nuk njeh një ngjarje të dytë, pas periudhës së
Kastriotit, kur ne, si komb krijuam histori të madhe dhe u bëmë pjesëmarrës
aktivë në ngjarjet të Europës a të botës.
Pikërisht
kjo është arsyeja, pse bëmat e Gjergjit, u përjetësuan, prej shkrimtarëve,
muzikantëve, filozofëve e piktorëve të Europës, shumë kohë përpara se të
kthehej si figura kryesore kombëtare, përgjatë Rilindjes Kombëtare, periudhë
kjo kur shqiptarët e dërmuar prej robërisë, po kërkonin lirinë e humbur, udhën
e kthimit në Europë, dhe shëmbëllimin e frymëzimin e gjenin te emri dhe lavdia
e Gjergjit.
Pas
vdekjes (1468), figura e tij është luftuar; është luftuar edhe kujtimi për të,
madje, është dhunuar edhe varri i tij, por ai ka jetuar i gjallë në kujtimet e
arbërve të ikur dallgëve të frikës, përtej Adriatikut, ka jetuar në mesin e
kombeve të Europës dhe në kujtimet popullore, ndonëse, sundimi i gjatë otoman,
deshi ta zhbënte emrin dhe hijen e tij.
Sepse,
sunduesit otoman “...shpresonin që një ditë të shtypurit do t’i donin
sunduesit. Madje të kishin mall për ta, saqë, po të vinte dita që ata të iknin,
t’u thoshin: mos! Mos na lini. Ose: kthehuni prapë”, thotë një personazh turk
në novelën fantastike të Ismail Kdaresë, “Raporti i fshehtë”, ku Kadare, heroit
tonë kombëtar i jep tiparet e një Krishti që ka themeluar kombin shqiptar.
Pra,
mes kësaj dëshire skëterre të pushtuesit otoman, kishte shndrit figura e
Gjergjit, që nuk lejonte një gjë të tillë, që e luftonte errësirën e harresën
dhe përpara shqiptarëve shfaqej si një figurë ripërtëritëse, dritëdhënëse. Dhe
sa herë shqiptarët ishin të molepsur, ai u jepte shpresë, sa herë ishin në
terr, ai u jepte dritë.
Dhe
Tuz efendiu, në këtë novelë, duke lexuar “Merhum Defteri”, kupton për një varr
tjetër, të gjeneralit Ballaban, tradhtarit, jeniçer shqiptar, që kishte ngulë
flamurin turk në murin e Kostandinopojës. Pra, jemi përpara një shemrim
varresh, dhe turku e kupton se në jetën shqiptare bëhej fjala për “dyvarri”,
dhe pikërisht nga kjo enigmë varej gjithçka, meqë, “këndej e tutje historia
shqiptare do të përcaktohej, më sa dukej, nga ndeshja midis dy varreve, të
zbrazëtit dhe të plotit.”
Shqiptarët
që e kanë dashtë lirinë, janë lidhë përjetë me varrin e Gjergjit dhe jo të Ballabanit.
Ky
mësim vlen edhe sot, kur, kudo hapësirave tona sheh budallenj e mendjekëqij, që
i falen varrit të Ballabanit dhe një perandori që përfaqëson të keqen më të
madhe në historinë tonë, një perandori, që na shkretoi tokat për pesë shekuj e
kur iku, na la në mjerim të madh: pa shkolla, pa art, pa biblioteka, pa teatro,
pa sheshe të bukura e me tonelata mjerim.
Prandaj,
figura e Gjergjit nuk është mit e as produkt i tallaveve ideologjike komuniste,
siç përqurren herë pas here ca shqiptarë mendjeshkretë, por është figurë reale,
e jashtëzakonshme, me shtirje në krejt historinë kulturore perëndimore,
kësisoj, ai nuk është luks, siç thotë Kadareja, por një gur themeli.
Ndër
shqiptarë ndihet përsëri nevoja që ta qartësojnë raportin e tyre me të kaluarën
e në këtë drejtim, së pari me Parandorinë Osmane, e cila, në historinë
shqiptare përfaqëson një të keqe të madhe, dhe këtë të keqe, pa pasë nevojë për
stërhollime historike, më së miri e provon gjendja e shqiptarëve pas ikjes së
kësaj perandorie.
Çka
shohim në jetën shqiptare, në vitin 1912?
Shohim
toka të lënë djerrë, siç thoshin rilindësit e mëdhenj, një popullsi të rrënuar,
analfabete, shohim një pejzash arkitektonik të shëmtuar, gjejmë aq pak gjurmë
kulture sa të kap trishtimi, s’gjejmë shkolla, as teatro, as fusha sportive, as
opera, as biblioteka...por gjejmë mjerim e injorancë pafund.
Këtë
të vërtetë, njeriu me një grimë tru, mund ta kuptojë porsa del prej hapësirave
shqiptare dhe bie në kontakt me një kulturë tjetër, europiane, ku rrezaton
arti, sheh sheshe të mëdha, arkitekturë magjepse dhe të bukurën që të lë pa
frymë. Pra, gjatë sundimit të gjatë otoman, shqiptarët ishin të privuar nga të
gjitha të mirat e civilizimit, jetuan pa shkolla, pa art, thjesht, pa mjetin
themelor që ka shpikur njerëzimi për të luftuar të keqen e injorancën.
Pikërisht
për këtë arsye, këtë trashëgimi e kanë goditur pamëshirshëm figura më të
shquara të historisë sonë politike e kulturore, ata që krijuan shtetin shqiptar
dhe atë të Kosovës, mes të cilëve dallohen Faik Konica, Mithat Frashri, Ismail
Kadare e Ibrahim Rugova, e shumë e shumë të tjerë.
Sot,
me dashtë Gjergj Kastriotin para se gjithash, domethënë, me dashtë idenë për
çka ka luftuar ai, filozofinë e tij e gjakimet për çka punoi një çerek
shekulli.






