Ndue Ukaj: Kosova është zhytë në një primitivizëm të thellë politik
Kosova
është zhytë në një primitivizëm të thellë politik, me pasoja fatale, dhe kjo
gjendje, njeriun normal, do të duhej ta shqetësonte edhe sikur të ndodhte në
një cep tjetër të botës.
Zhurma
dhe mendimet e cekëta, që prodhojnë moskuptim e urrejtje, e kanë paralizuar
jetën normale, sidomos në fushën e politikës, ku duket sikur të ketë rënë
dergja mendore.
Një
dergjë, kundër të cilës angazhohej eruditi Pjetër Bogdani, me pendë e me
pushkë, në shekullin shtatëmbëdhjetë, kur shqiptarët i sundonin barbarisht të
huajt.
Sot,
ata nuk kanë sundimtarë të huaj, por vuajnë nga dergja e brendshme, e
injorancës, e një mjegulle mendore, prej të cilës nuk kërkojnë të gjejnë
shtegdalje.
Të
vjen keq kur e sheh një vend, që para pak vitesh ishte aq i dhënë pas
demokracisë perëndimore, e kishte lider të klasit të lartë, si Ibrahim Rugova,
që luftonte për këto vlera i palëkundur, si ka ra preh e një tufë
mendjekëqijsh, që gëzohen se u duartroket mediokriteti.
Këta,
janë duke e tërheqë vendin tonë nga një stinë e zezë drejt një stine edhe më të
zezë.
Secili
njeri normal, që i sheh këto rrjedha kaq jo normale, e pyet veten se ku janë
rrënjët e kësaj krize, dhe nuk ka sesi t’i shmang arsyet kulturore nga
përgjigjja.
Po,
problemi i sotëm i Kosovës parasgjithash është problem i thellë kulturor, i një
krizë idenitare që po ulërin e po bërtet, por përballë së cilës, njerëzia janë
shurdhuar.
Është
tragjike kur një shoqëri e zëvendëson dialogun me monolog.
Shoqëria
jonë e ka bërë një gjë të tillë.
Dhe
kështu po rrezikon të rrëshqet në anarki. Ose veç ka rrëshqitë në anarki.
Dhe
kur përmendi fjalën anarki, më kujtohet Vangjel Koça, një mendimtar i thukët e
europian i klasit të lartë, që vuante pse i shihte shqiptarët e çakërdisur,
prandaj thoshte se shpirti i shqiptarit, ka qenë përherë anarkist dhe nuk ka
njohur ide shteti.
Këtë
vuajtje e përjeton, sot, secili njeri me ndjeshmëri për vendin e vet dhe që ka
një parë mend në krye të vet dhe nuk i ka depozituar në një oborr politik.
Natyrisht,
këtu, nuk bëjnë pjesë mëndje tredhurit, që lirinë e tyre nuk e shohin jashtë
konopit ideologjik e përkufizimeve të cekëta politike, që marrin jetë përmes
kulturës së britmave e thashethemeve, nëpër kafe e çajtore ku gëlon injoranca.
Iluministi
i madh Vangjel Koça, paaftësinë shqiptare, nuk e përkëdhelte, por e qortonte,
por e godiste ashpër, pamëshirshëm, duke i kërkuar arsyet në sfidonin tragjik
historik, dhe për rrjedhojë, kërkonte kthjellje mendore.
Për
kthjellje mendore sot në vendin tonë pakkush e çan kryet, përkundrazi,
stimulohet e mirëmbahet pështjellja mendore, cektësia e gulçimet.
Prandaj,
Kosova sot është një mishmash ngatërresash e pështjellimesh, një lëmsh të cilit
askush nuk ia di fillin e për fat të keq, të cilit, pakkush dëshiron t’ia gjej
fillin.
A
doni me ditë si na sheh bota sot?- kështu do të na pyeste Faik Konica po të
ishte në Prishtinë.
Ai
përgjigjen e ka dhënë qëmoti dhe asaj nuk mund t’i heq asnjë fjalë:
"Ta
dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më
shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju
them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie
në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush
arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm,
bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re
popullit.”







