Ndue Ukaj: Gjirizi i zhvillimit ekonomik
Gjirizi i zhvillimit ekonomik

Dje,
diku në Kosovë, u përurua një gjiriz i përmasave të hatashme ekonomike, një
gjiriz, që do ta ujisë tokën e thatë të Kosovës me zhvillim ekonomik.
Prandaj,
punët e qeverisë duhet t’i duartrokasim.
Dhe
ky është sukses madhor, për të cilin do të mbahet mend kjo qeveri e stërkequr.
Në
të vërtetë, asgjë nuk është stërkeqja në planin qeverisës, çka është ajo në
planin etik e moral, nga emetimi i gazrave helmues që prodhon propaganda
shtetërore.
Pse?
Emetimi
i gazrave të këqija e ka shkatërruar mjedisin etik e moral, duke e prishur
politikën e duke krijuar një realitet të gërditshëm, ku, më se shumti
duartrokitet jo normaliteti.
Po
dje, në këtë ditë të madhe përurimi, ish ambasadori i Amerikës në Kosovë
Jeffrey Hovenier, tregoi se vendi ynë nuk ka raporte pozitive me Amerikën ama
kjo deklaratë, pse të merret seriozisht? - se torollakët, këtu, mes nesh, i
njohin punët e Amerikës më mirë se vetë amerikanët, dhe me një gjiriz e
sfidojnë mjerimin, kapitalizmin amerikan, Europën, dhe e ruajnë sovranitetin.
Ky
është argëtim i bukur për mendjeshkretit ama fatal për breznitë e ardhme, të
cilat, këto gjashtë vite të Kosovës, do t’i njohin si vite të stganimit, të
qeverisë së propagandës së egër, dhe duke i kërkuar sukseset, do të gjejnë një
tokë të lanë djerrë dhe do të shohin çfarë brezni e keqe sundonte në këtë vend.
Kjo
propagandë e egër, që flet për integrim të veriut, shtrirje të sovranitetit, në
të vërtetë e ka cenuar sovranitetin në Prishtinë, duke ndërtuar mure mes njerëzve,
mure të tmerrshme të urrejtjes, duke e shkatërruar dialogun, motorin e
demokracisë, dhe duke e lartësuar në qiellin politik të Kosovës flamurin më të
keq: atë të mos zhvillimit ekonomik, flamurin e skamjes.
Krimi
më i madh që mund t’i bëhet një vendi është moszhvillimi ekonomik, që e bën atë
fragjil e të cenueshëm kundrejt ideve të këqija.
E
kam thënë në një rast: edhe sikur përshkrimi për veriun të ishte njëqindfish më
i mirë se siç e përshkruan qeveria, gjashtë vite të humbura të Kosovës, nuk
mund të kompensohen me këtë sukses të rrejshëm.
Në
të vërtetë, realiteti në veri është fort i deformuar dhe i kamufluar. Në emër
të sentimenteve nacionaliste, po realizohet vetëqeverisja, dhe më e keqja, një
zgjatim të pushtetit të Serbisë në vendin tonë, që shihet tash me çështjen e
shtetësisë.
Pra,
gashtë vite të propagandës shtetërore, janë gjashtë vite të shkretimit të
Kosovës, gjashtë vite të humbura, të udhëhumburve dhe të një prijësi që mban
lart skamjen si standard të zhvillimit ekonomik.
Të
promovosh një gjiriz në kohën e inteligjencës artificiale, nuk mund të jetë
tragjike, se tragjizmin e prodhon një përpjekje njerëzore për t’i sfiduar
pamundësitë, këtu ka diçka që gjuha nuk mund ta përshkruajë: një përmasë të
gërditshme të injorancës.
Nejse!
Ky
flamur i gënjeshtrave, e ka eklipsuar vendin tonë, ku, pushtetmbajtësit
kukurisin si gjelat maje plehu, vetëm për suksese.
Dhe
siç na mëson historia, kështu kanë bërë të gjitha pushtet egërshane nëpër kohë
e periudha të ndryshme.
Kosova
e sotme politike nuk ka raporte të mira me asnjë vend normal.
E
ma tragjikja: ajo nuk ka raporte të mira as me vetveten e me të kaluarën e saj.
Kosova
e sotme politike nuk ka asnjë sjellje normale, sepse qeveriset me mendësi
gjirizi.
Dhe
në gjashtë vitet e kaluara, në Kosovë, ka përparuar si asgjë cektësia dhe
barërat e këqija antiperëndimorë.
Në
krejt këtë lojë të ndytë e të gërditshme është deformuar aq shumë edhe gjuha
politike sa për një dëgjues të huaj, me siguri, ajo ngjan me të folmet e gjuhës
së bebeve.
Dhe
sot, nëse do të bëhej një matja a vlerësim për gjendjen tonë të kuptuarit të
politikës, jam forti i bindur se në krejt kontinentin tonë, shqiptarët do të
dilnin kombi me koeficientin shumë të ulët të inteligjencës politike.
Prandaj,
mes nesh ka kaq shumë mëni e paqartësi, frikë prej të huajave e frikë prej
zhvillimit.
Prandaj,
nuk arrijmë ta heqin ndryshkun e historive negative dhe mjerimin shekullor që
sundon mes nesh, që të bëhemi si krejt Europa, për çka kemi vuajtur e luftuar
ndër shekuj.
Ku
e ka burim krejt kjo e keqe?- pyet shpeshherë njerëzia.
Shumica
e intelektualëve dhe patriotëve tanë, këtë të keqe e lidhin me trashëgimitë e
këqija. Në këtë drejtim, Ernest Koliqi thoshte se "pesë shekull të një
dominimi të errët dhe përçarës kishin mbjellun në shpirtin e kombit shqiptar
farën tradhtisë që e brente dhe e shkatërronte ndjenjën mbi origjinën e
përbashkët, përkatësisht vëllazërimin."
Kjo
farë e tradhtisë është një bimë e keqe mes nesh, që herë duket e fashitur, se
prarohet prej ideve të mira, siç ndodhi në vitet e nëntëdhjeta dhe në ato të
pasluftës e herë lulëzon, si në kohët e bandave të haxhiqamilëve. Sepse,
mendësia e gjirizit, nuk e lejon frymëmarrje perëndimore mes nesh. Nuk lejon ta
ajrosim politiken me vlera të mirëfillta. Pikërisht kjo mendësi e shpjegon edhe
faktin pse censorët antiperëndimorës ndizen kaq lehtë e kaq shpesh mes nesh.





