Ndue Ukaj: Fytyra e njeriut dhe gjelat e politikës
Fytyra e njeriut dhe gjelat e politikës

Ishte
Ibrahim Rugova, një prej udhëheqësve më të përndritur të shqiptarëve, ai që në
dhjetorin e vitit 1986, kërkonte “më shumë demokraci për Kosovën”, sepse,
kishte besim të palëkundur në vlerat ushqyese të demokracisë, në një kohë kur
demokracia ende ishte kontinent i paarritshëm për krejt Europën Juglindore.
Vlerat
për të cilat Rugova u angazhua, në një kohë të pakohë, sot janë kthyer
kryengulthi, dhe në vend të tyre, shfaqen njerëz me maska e pa maska, por që në
thelb promovojnë mendësinë e maskave.
Duket
sikur krejt kjo që po ngjet me ne, ka një përkim tragjik me mendësinë e
lëvizjes haxhiqamiliste, natyrisht, në trajtë e formë tjetër.
Këtë
fenomen e ka kuptuar dhe shpjeguar mjaft mirë Ismail Kadare, kur thoshte se
“Haxhi Qmailët e sotëm janë të palodhur dhe ndryshe nga banditi i dikurshëm
analfabet, këta të sotmit, janë edhe më të rrezikshëm.”
Pra,
meqë këta të sotmit, dinë shkrim lexim, kamuflohen, dhe nuk dalin ta luftojnë
shtetin hapur, si banditët e dikurshëm, këta e gërryejnë përditë, siç po ngjet
me vendin tonë, ku ka pllakosë mjerimi.
Një
proverb thotë se “maska e mbajtur gjatë në fytyrë e zëvendëson fytyrën.” Në
fakt, ky proverb i shpjegon thelbësisht problemet e shoqërisë sonë me profilet
e rreme dhe maskat e mbajtura gjatë në fytyrë, që e kanë cenuar rënd
demokracinë tonë, duke e bërë të palëvizshme.
Problemet
me profilet e rreme, pra me maskat e mbajtura gjatë në fytyrë, lidhen me
pazotësinë tonë, ose, me mos dëshirën për ta luftuar këtë shpirt anarkist,
propagandën e demagjogjinë, me mjetin më të mirë që ka njerëzimi: kulturën
demokratike.
Sot,
në Kosovën e Ibrahim Rugovës e të mijëra idealistëve, mund të flitet për
gjithçka, por jo për kulturë demokratike e atmosferë mendore politike.
Mund
të flitet për dredhi politike.
Për
mashtrime ordinere politike.
Për
maska politike që kanë zëvendësuar fytyrën reale të politikës.
Për
njerëz që parimet e perimet nuk lodhen t’i dallojnë.
Pra,
problemi me profilet e rreme është filli i një lëmshi të madh, që Kosovën po e
gërryen, në emër të disa kauzideve patriotike.
Problemet
reale politike të vendit tonë, janë të lidhura nyje me figurat e shpërfytyruara
politike, me lulegjelat, që janë në maje të politikës, të veshur me pushtet,
por që, vite e vite me radhë kanë jetuar me maska në fytyrë, duke e fshehur
fytyrën e tyre të vërtetë.
Të
njëjtit, një ditë besojnë në bashkimin kombëtar, një ditë jo.
Një
ditë besojnë te Amerika, një ditë jo.
Një
ditë besojnë të vlerat e demokracisë, një ditë i shkelin me dy këmbë.
Një
ditë janë europianë, një ditë joeuropianë të tërbuar.
Të
njëjtit, edhe po t’i pështyj ndokush - pra t’ua thotë të vërtetën në fytyrë –
nuk skuqen e as nuk ndiejnë nevojë për pendim, zgërdhihen dhe e çojnë kryet
përpjetë kah qielli, gjejnë një arsyetim, dhe thonë: po bie shi.
Sepse,
janë të armatosur deri në dhemb me gënjeshtra dhe mashtrime dhe si mendje të
cekëta, u pëlqejnë ujërat e cekëta, ku mund të notojnë lehtësisht.
Sikur
e gjithë kjo të ishte pjesë e një atmosfere teatri do të krijoheshin
tragjikomedi të jashtëzakonshme, por, meqë këto nuk janë lëndë për teatër
(ndonëse janë edhe për teatër), por zhvillime që cenojnë drejtpërdrejt jetën
reale, këto shfaqje me maska, ditën e natën, janë tragjedi të mëdha të këtij
vendi të vogël, që ka nevojë për të vërtetën e për njerëz me shpirt
demokratikë, si toka e tharë për shi.
Këto
ditë, teksa po komentonim zhvillimet e gjithmbarshme në vendin tonë, me një mik
timin, ai më tha:
-Kjo
nuk është politikë, ky është ferr.
Në
fakt, ferri politik nuk ka sesi të jetë ndryshe.
Por,
për dallim prej “Ferrit” të Dantes, ky i yni ka mbetur pa udhërrëfyes, që
tregon si dilet prej këtyre rrathëve të tmerrshme ku po shkrumbohet jeta e
këtij vendi.
Dhe
në një atmosferë kaq të shpërfytyruar mendore, i djathti brenda natës vishet me
petkat e të majtit e kukuris si gjeli maje plehu.
Prandaj,
kjo nuk është politikë, ky është ferr i vërtetë,- ka të drejtë miku tim.
Në
vendin tonë, që një kohë të gjatë janë hequr ato vijat që e ndajnë normalen
prej normales, të vërtetën prej gënjeshtrës dhe në këtë mishmash paudhësish,
toka e së vërtetës kërkohet shumë rrallë, ose, nuk kërkohet fare.
Fytyra
politike e kohës sonë, nuk e ka kuptimin etik, si një kategori që vetërregullon
standardet mes të mirës e të keqes, por si një mundësi për të ndërruar maskat,
sa herë ndërrojnë motet.
Dhe
në këtë atmosferë të ndytë, dëgjojmë kukurisje të gërditshme, ku, në ballë, si
gjelat maje plehu rrinë ata që i kanë mbajtur gjatë maskat në fytyrë, maskat që
iu kanë zëvendësuar fytyrën e vërtetë, prandaj të tillët besojnë në propagandë
e demagogji. Ama këtë kategori maskash politike, historia i skajon diku si
modele të këqija haxhiqamiliane, përballë të cilëve rrinë modelet e mira,
udhëndriçuese - si figura e Ibrahim Rugovës.


