Ndue Ukaj: Fara e tradhtisë

Nga
Ndue Ukaj
Pse
ka mes shqiptarëve kaq shumë debate për tradhti ndaj atdheut?
Pse
ka kaq shumë mosbesim?
Këto
pyetje e dilema, nuk janë retorike, nuk janë çështje sipërfaqësore, por thelbi
i një çoroditje, që nuk i ka tiparet e një krize, ose, krizës me të cilën po
sfidohemi sot.
Kemi
të bëjmë me një sëmundje shoqërore. Sepse, kriza në vetvete nënkupton njëlloj
vetëdije për një gjendje shoqërore, të keqësuar apo që ka shenja përkeqësimi.
Druaj se mes nesh, mungon vetëdija për këtë realitet, prandaj, thënë me një
gjuhë pak më të figurshme, jemi të sëmurë rëndë, por shtiremi si të shëndosh -
ndoshta derisa t’na mbajnë këmbët e të mos pësojmë kolaps.
Qartësisht,
mes nesh ka triumfuar lufta e secilit kundër secilit, një luftë që po e gërryen shtetin tonë, Kosovën, por edhe
kombin tonë.
Dhe
përballë këtyre sfidave shqiptaret janë të hutuar, të trullosur, kurse plot që
kanë përgjegjësi e nxisin këtë luftë.
Të
kthemi te pyetja e parë: pse ka mes shqiptarëve kaq shumë debate për tradhti
ndaj atdheut? Ose, që ta saktësojmë problemin: pse me kaq zell shqiptarët e
tradhtojnë atdheun? Tradhti është edhe moszhvillimi i vendit.
Pse
ka kaq shumë dyshime, tema për tradhti e kaq pak ide për vëllazërinë e
përbashkët?
Të
jemi të qartë: asnjë popull nuk është krejt i imun përballë këtyre sfidave,
por, askund në mesin e popujve europianë, nuk di të ketë një popull të dytë, ku
ka kaq shumë ndarje, përçarje e debate për tradhti e heronj sa mes shqiptarëve.
Dhe
arsyet kurrsesi nuk mund të jenë veç politikë. Ato janë esencialisht kulturore
dhe lidhen me mentalitetin e trashëgiminë.
Shkrimtari
Ernest Koliqi, për mua një prej mendjeve ma të bukura e një prej punëtorëve më
të zellshëm të kulturës shqiptare, e ka shpjeguar këtë çështje përmes kësaj
fjalie: “pesë shekuj të një dominimi të errët dhe përçarës kishin mbjellun në
shpirtin e kombit shqiptar farën tradhtisë që e brente dhe e shkatërronte
ndjenjën mbi origjinën e përbashkët, përkatësisht vëllazënimin."
Në
fakt, këtë problematikë kombëtare, në variante të ndryshme e kanë trajtuar edhe
shumë rilindës iluministë, duke kërkuar, që në agun e lirisë, kur shqiptarët
dilnin prej ferrit otoman në rrezet e lirisë, që, krahas çlirimit prej sundimit
të huaj, të çliroheshin edhe prej zinxhirëve të robërisë së mendjes (Faik
Konica).
Këta
zinxhirë të robërisë së mendjes, që shkaktojnë paragjykime, ndarje e kaq shumë
keqdashësi mes nesh, deri me sot nuk i kemi hequr. Dhe ata nuk ka kush t’i
heqë, se pesha e tyre është shumë e rëndë, nëse mes nesh nuk ka vullnet e
dëshirë për një veprim të tillë.
Deri
me tani nuk ka as vullnet as dëshirë.
Këta
zinxhirë, mund të hiqen vetëm përmes shkollave, edukimit e instrumenteve
qytetëruese, që janë arti e kultura.
Po,
flamuri ynë për ta mposhtur këtë plogështi, duhet të jetë qëndisur me kulturë,
në kuptimin e gjithmbarshëm të fjalës, se dihet, kultura është arma më fuqishme
që ia ndal hovin së keqes, nxit emancipim e humanizëm.
Kurse
ne, raportin me artin dhe kulturën e kemi të zbehtë, një raport që sa nuk ka
dhënë shpirt. Ose, në shumë raste e kemi krejt negativ. Tryeza jonë publike,
ajo që quhet hapësirë publike, si e tërë, dominohet prej debateve të cekëta, që
lidhje nuk kanë me kulturë e art, pra me emancipim e humanizëm, prandaj, mes nesh, ka kaq shumë
anomali e çoroditje. Dhe për pasojë, çoroditje, stagnim, bjerrje.
Kërkojmë
prej perëndimit, ndonjëherë si të çmendur, me do parulla primitive në mendje e
duar, që t’na ndihmojë, kurse mes nesh, nxitja për ta ndihmuar njëri- tjetrin
nuk ekziston fare, ose, kjo temë shoqërisë sonë nuk i përket, prandaj ngjan në
një kontinent të pashkelur.
Ismail
Kadare këtë problematikë e ka trajtuar në shumë vepra, por me një mprehtësi të
jashtëzakonshme, edhe te novela “Raporti i fshehtë”, ku flet për një ekspeditë
turke të udhëhequr nga Tuz efendiu, që kërkon varrin e Kastriotit, diku në
Shqipërinë e veriut, pra “ishte fjala për një varr tepër të rëndësishëm, atë të
Kastrioti.” Tuz efendiu duke lexuar “Merhum Defteri”, gjatë udhëtimit e
hulumtimit e kupton gjithashtu se ekziston
një varr tjetër, i gjeneralit Ballaban, jeniçer shqiptar, që kishte
ngulë flamurin turk në murin e Kostandinopolit. Dhe kështu, lexuesi ndodhet
përpara një shemrim varresh, ndërkohë që, personazhi i Kadaresë e kupton se në
jetën shqiptare bëhej fjala për “dyvarri”, dhe pikërisht nga kjo enigmë varej
gjithçka, meqë, “këndej e tutje historia shqiptare do të përcaktohej, më sa
dukej, nga ndeshja midis dy varreve, të zbrazëtit dhe të plotit”, pra të heroit
e të tradhtarit.
Shumë
shekuj e dekada kanë kaluar e shqiptarët enden nëpër këtë hapësirë, mes këtyre
dy varreve, të hutuar, shpesh nuk e njohin njëri-tjetrin, e përbuzin deri në
keqdashësi barbare, dhe, ndodh ndonjëherë, kur zihen ngushtë, të njëjtit, të
kërkojnë nderim e respekt prej të tjerëve. Dhe Kadareja mendjemprehtë, në këtë
novelë, duke u futur thellë në psikologjinë e pushtuese, ndër të tjera thotë se
ata:
“...shpresonin
që një ditë të shtypurit do t’i donin sunduesit. Madje të kishin mall për ta,
saqë, po të vinte dita që ata të iknin, t’u thoshin: mos! Mos na lini. Ose:
kthehuni prapë.”’
Pra,
këta janë zinxhirët e robërisë së mendjes, që shqiptarët ende nuk i kanë hequr.
Dhe
lexuesi i sotëm, që do ta kthjellojë pamjen përballë kësaj çoroditje, mund ta
kuptojë fare lehtë se fara e tradhtisë është e lidhur me mentalitetin e
trashëgiminë.
Dhe
kundrejt këtyre problematikave, ata në vend se të imunizohen në mënyrë të
duhur, me kulturë e vlera sublime, përkundrazi, ata përditë e më shumë
kequshqehen, dhe për rrjedhojë bëhen edhe më shëndetligë.


