Nexhmije Mehmetaj: Protesta për Gjuhën Shqipe në Shkup – një alarm që duhet ta dëgjojnë Tirana dhe Prishtina

Protesta për Gjuhën Shqipe në Shkup – një alarm që duhet ta dëgjojnë Tirana dhe Prishtina

Nga
rrugët e Shkupit këtë të hënë u ngrit edhe njëherë zëri i mijëra studentëve
shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, të cilët marshuan për
mbrojtjen e Gjuhës Shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e
Veriut. Protesta, e dyta pas organizimit të 6 prillit, nisi me kërkesën
konkrete që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën amtare,
por mesazhi i saj ishte shumë më i thellë: shqiptarët nuk pranojnë më
nënvlerësimin institucional të gjuhës dhe identitetit të tyre.
Marshimi
nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë nuk ishte vetëm një protestë
studentore. Ai ishte një thirrje qytetare dhe kombëtare për dinjitet, barazi
dhe respekt kushtetues. Kur një popull detyrohet të protestojë për të drejtën e
përdorimit të gjuhës së vet në institucione shtetërore, atëherë problemi nuk
është vetëm administrativ, por politik dhe kombëtar.
Shqiptarët
në Maqedoninë e Veriut kanë qenë faktor shtetformues dhe kanë paguar shtrenjtë
për të drejtat e tyre. Shumë nga këto të drejta janë fituar me sakrificë, me
rezistencë politike dhe me luftë. Pikërisht për këtë arsye, çdo cenim apo relativizim
i tyre duhet të alarmojë jo vetëm shqiptarët atje, por edhe Tiranën dhe
Prishtinën zyrtare.
Sot
shtrohet me të drejtë pyetja: ku janë institucionet shqiptare? Ku është reagimi
i Shqipërisë dhe Kosovës përballë zhvillimeve që prekin drejtpërdrejt
shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? A mjaftojnë vetëm deklaratat diplomatike dhe
heshtja politike përballë një pakënaqësie kaq të madhe qytetare?
Është
shqetësuese që studentët po ndihen të vetëm në mbrojtjen e një të drejte
elementare, ndërkohë që Tirana dhe Prishtina shpesh tregohen të vonuara ose
indiferente ndaj proceseve që zhvillohen në trojet shqiptare jashtë kufijve
shtetërorë. Heshtja institucionale krijon përshtypjen sikur çështjet e
shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut trajtohen vetëm si problem lokal, kur në
fakt ato janë çështje kombëtare.
Nëse
sot nuk reagohet për gjuhën, nesër mund të vihet në pikëpyetje vetë pozita
politike dhe kushtetuese e shqiptarëve atje. Prandaj protestat e studentëve nuk
duhen parë si një revoltë e zakonshme rinore, por si një sinjal serioz se
barazia e premtuar ende nuk është bërë realitet.
Tirana
dhe Prishtina duhet të flasin qartë. Duhet të kërkojnë respektimin e plotë të
të drejtave të shqiptarëve, zbatimin pa ekuivoke të statusit të Gjuhës Shqipe
dhe trajtimin e shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut.
Diplomacia shqiptare nuk mund të jetë spektatore kur cenohen të drejtat
kombëtare.
Studentët
në Shkup treguan se vetëdija kombëtare nuk është shuar. Ata ngritën zërin për
gjuhën, identitetin dhe dinjitetin. Tani është radha e Tiranës dhe Prishtinës
të dëshmojnë nëse do të jenë në anën e këtij zëri apo do të vazhdojnë heshtjen.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 19.05. 2026








