Entela Binjaku: Identitete në dritë - Libri, artizanati dhe trashëgimia
Identitete në dritë: Libri, artizanati dhe trashëgimia
Divjaka mirëpret artizanatin dhe trashëgiminë
kulturore arumune

Më 15 dhe 16 gusht
2026 në Divjakë, u zhvillua një
veprimtari dy-ditore kushtuar kulturës, traditave dhe trashëgimisë së pakicës
kombëtare arumune. Veprimtaria mblodhi qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit
të angazhuar në promovimin e diversitetit kulturor dhe në ruajtjen e
trashëgimisë së pakicave kombëtare, duke krijuar një hapësirë të veçantë për të
vlerësuar punën e palodhur të grave artizane të qarkut të Fierit dhe
Beratit. Në qendër të veprimtarisë ishte
ekspozimi i punimeve artizanale dhe fotografive që pasqyrojnë traditat arumune
të ruajtura dhe transmetuara brez pas brezi. Këto punime përbëjnë një pjesë të
rëndësishme të trashëgimisë kulturore materiale dhe dëshmojnë sa për pasurinë e
traditave, po aq mjeshtërinë dhe përkushtimin e grave që kanë kontribuar në
ruajtjen e tyre. Përzgjedhja e datës 15 gusht për hapjen e veprimtarisë ishte
jo rastësore. Kjo datë përkonte me Festën e Shën Mërisë, ose Fjetjen e
Hyjlindëses një nga festat e rëndësishme të traditës së komunitetit të
krishterë. Për të ardhur në këtë ditë, organizatorët kishin kontaktuar
pjesëtarë të komunitetit arumun nga Fieri, Berati dhe Lushnja, që ju bashkuan
nismës duke sjellë punime artizanale dhe materiale fotografike që dëshmojnë për
vazhdimësinë e traditave. Nga puna kërkimore në terren ata kishin hulumtuar
disa nga mjeshtëritë kryesore të grave artizane. Për të pasuruar veprimtarinë dhe
për përçuar me tej estetikën e punëve të dorës gjatë kësaj veprimtarie u
prezantua edhe një koleksion kartolinash i përgatitur me punime artizanale që
dëshmonin edhe ruajtjen e kujtesës dhe të identitetit kulturor. Koleksioni
përfshinte:
- Punime me grep me motive
gjeometrike;
- Punime me grep me motive lulesh;
- Velenxa të endura në tezgjah;
- Rrugica të
endura në tezgjah;
- Fanella të
punuara me shtiza;
- Papuçe të
punuara me shtiza;
- Çorape të
gjata të punuara me shtiza;
- Floktore të
endura në tezgjah.
Çdo punim i
prezantuar për të pranishmit mbarte elemente të traditave familjare dhe
komunitare, të transmetuar ndër breza. Veprimtaria u realizua nga Fondacioni
“Harriet Martineau” falë një projekti të mbështetur nga Komiteti për Pakicat
Kombëtare, në kuadër të Thirrjes 2026 “Trashëgimia
si urë bashkëjetese”. Thirrja, që qëndroi hapur nga 26 shkurt deri më 5
maj 2026, mbështeste projekte dhe veprimtari që synonin nxitjen, ruajtjen dhe
promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në
Republikën e Shqipërisë.
Ndër prioritetet e saj përmendim:
1.
Promovimi i
trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare,
përmes organizimit të festivaleve dhe aktiviteteve kulturore e ndërkulturore,
botimeve dhe kërkimeve shkencore në gjuhët përkatëse, si dhe ekspozitave dhe
tryezave të rrumbullakëta ndërkulturore.
2.
Artizanati,
tradita dhe diversiteti kulturor i pakicave kombëtare,
përmes ruajtjes dhe dokumentimit të veshjeve tradicionale, si dhe organizimit
të panaireve të artizanatit dhe kulinarisë.
Një vit më parë, Fondacioni realizoi
projektin “Trashëgimia dhe kultura
arumune, së bashku dhe në një tryezë”, gjithashtu me mbështetjen e
Komitetit për Pakicat Kombëtare. Në kuadër të këtij projekti u organizuan tri
veprimtari dyditore me titullin “Ekspozitat
e shijes”, ku amvisa arumune nga Fieri, Korça dhe Elbasani prezantuan
gatime tradicionale të përgatitura prej tyre. Veprimtaritë u pasuan nga një
tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komitetit për Pakicat
Kombëtare dhe nga botimi i një broshure kushtuar gatimeve tradicionale të
prezantuara në këto gjashtë ditë veprimtari.
Nisma të tilla dëshmojnë se trashëgimia kulturore mund të ruhet dhe të
përcillet jo vetëm përmes dokumentimit, por edhe përmes takimeve, ekspozitave dhe
shkëmbimit të drejtpërdrejtë ndërmjet brezave dhe komuniteteve.
Veprimtaritë do të vijojnë edhe gjatë muajit shtator me përurimin në qytetin e Kor?ës të librit me receta tradicionale arumune të znj. Lefteri Gjoshe, autore e librave për fëmijë, librave kushtuar gatimit, njohëse e kulinarisë arumune dhe fituese e edicionit të dytë të programit televiziv “Gjyshet milionere”, transmetuar nga RTSH. Ruajtja e artizanatit dhe e trashëgimisë materiale nuk është thjesht ruajtje e objekteve të së kaluarës dhe paraqitja e tyre në ditët tona, por është ruajtje e kujtesës kolektive, e asaj mënyre jetese dhe identiteti kulturor që është pjesë e rëndësishme e diversitetit kulturor të shoqërisë shqiptare.










