Nexhmije Mehmetaj: Bisedë me mësuesen Doruntina Demelezi

“Gjuha shqipe është trashëgimia më e çmuar që mund t’ua lëmë fëmijëve tanë”
Bisedë me mësuesen Doruntina Demelezi për sfidat
dhe rëndësinë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër.

Shkëmbimi i përvojave ndërmjet mësuesve është një nga
mënyrat më të vlefshme për ngritjen e cilësisë së mësimit plotësues të gjuhës
shqipe në diasporë. Me këtë qëllim, pata kënaqësinë të takohem në Gjenevë me
mësuesen e gjuhës shqipe në Nyon të kantonit Vaud, Doruntina Demelezi.
Gjatë takimit biseduam për sfidat dhe mundësitë e mësimit
shqip në diasporë, për metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe për rëndësinë e
bashkëpunimit profesional ndërmjet mësuesve. Në mungesë të trajnimeve dhe
seminareve të rregullta për mësuesit e diasporës, shkëmbimi i përvojave mbetet
një mbështetje e rëndësishme që sjell përfitime të ndërsjella.
Doruntina Demelezi është një mësuese e përkushtuar, plot
energji dhe vullnet për punë, e cila kontribuon me përkushtim në ruajtjen e gjuhës
dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj. Në vijim sjellim bisedën tonë për
sfidat, arritjet dhe vizionin e saj për të ardhmen e mësimit shqip në Zvicër.
NM: Zonja Dorontina, fillimisht na tregoni pak për
veten dhe rrugëtimin tuaj në mësimdhënie.
DD: Jam e diplomuar në Fakultetin e Edukimit të
Universitetit të Prishtinës, në programin Bachelor për Arsimin Fillor. Pas
përfundimit të studimeve, fitova përvojën time të parë profesionale në Kosovë,
duke punuar në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”, ku pata mundësinë të zhvilloja
aftësitë e mia pedagogjike dhe të përforcoja pasionin për mësimdhënien.
Që nga shtatori i vitit 2022 jetoj dhe ushtroj
profesionin tim në Zvicër, konkretisht në Nyon, ku jam e angazhuar në mësimin
plotësues të gjuhës shqipe. Puna me fëmijët e diasporës është një përvojë e
veçantë dhe shumë domethënëse për mua, pasi përveç mësimit të gjuhës,
kontribuoj edhe në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare tek
brezi i ri.
NM: Çfarë ju motivoi të
angazhoheni në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër?
DD: Më ka motivuar dëshira e madhe për të punuar me
fëmijët dhe për të dhënë kontributin tim në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës
shqipe. Gjuha jonë e lashtë është një nga thesaret më të çmuara të identitetit
tonë kombëtar. Ajo është ruajtur ndër shekuj me shumë sakrifica dhe në rrethana
të vështira, prandaj ne kemi përgjegjësinë që këtë pasuri ta përcjellim te
brezat e rinj.
NM: Sa nxënës ndjekin
aktualisht mësimin shqip në Nyon dhe nga cilat treva shqiptare vijnë ata?
DD:Aktualisht, mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Nyon
e ndjekin 53 nxënës. Për të siguruar një mësim sa më cilësor dhe të përshtatur
me nevojat e secilit nxënës, ne jemi dy mësuese, unë dhe Arbërie Vranoci, dhe i
kemi ndarë fëmijët sipas niveleve të njohurive dhe moshës së tyre.
Shumica e nxënësve janë me prejardhje nga Kosova, ndërsa
një numër i konsiderueshëm janë fëmijë të familjeve shqiptaro-zvicerane. Kjo e
bën punën tonë edhe më sfiduese, por njëkohësisht shumë të bukur, pasi secili
nxënës sjell përvoja të ndryshme gjuhësore dhe kulturore.
Pavarësisht se janë rritur në një mjedis shumëgjuhësh,
fëmijët tregojnë interes të madh për të mësuar gjuhën shqipe. Përmes mësimit
përpiqemi jo vetëm t’u zhvillojmë aftësitë gjuhësore, por edhe t’i afrojmë me
kulturën, historinë dhe vlerat tona kombëtare, në mënyrë që të ruajnë lidhjen
me rrënjët e tyre.
NM: Sa e rëndësishme
është ruajtja e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut?
DD: Ruajtja e gjuhës amtare është jashtëzakonisht e
rëndësishme për fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut, sepse gjuha është
themeli i identitetit të tyre kulturor dhe kombëtar. Përmes gjuhës, fëmijët
krijojnë lidhje më të forta me familjen, me traditat, historinë dhe origjinën e
tyre.
Njohja dhe përdorimi i gjuhës shqipe i ndihmon ata të
komunikojnë me gjyshërit, të afërmit dhe bashkëkombësit e tyre, duke ruajtur
kështu lidhjet familjare dhe shpirtërore me vendin e prejardhjes. Në të njëjtën
kohë, studime të shumta tregojnë se fëmijët dygjuhësh zhvillojnë aftësi më të
mira komunikuese dhe njohëse.
NM:
Çfarë roli luajnë prindërit në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe tek
fëmijët e tyre?
DD: Për ne, si mësues të diasporës, mësimi i gjuhës
shqipe nuk ka të bëjë vetëm me mësimin e leximit dhe shkrimit, por edhe me
kultivimin e ndjenjës së përkatësisë dhe krenarisë për rrënjët tona. Sa më mirë
ta njohin fëmijët gjuhën amtare, aq më të forta do t’i kenë themelet e
identitetit të tyre dhe aq më lehtë do të ndërtojnë ura mes kulturës shqiptare
dhe asaj të vendit ku jetojnë.
Prindërit kanë rolin më të rëndësishëm në ruajtjen dhe
zhvillimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e tyre. Familja është shkolla e parë e
fëmijës dhe gjuha që flitet në shtëpi ndikon drejtpërdrejt në formimin e tij
gjuhësor dhe kulturor. Nëse prindërit komunikojnë vazhdimisht në shqip me
fëmijët, ata krijojnë bazën më të fortë për mësimin dhe përdorimin e gjuhës
amtare. Po ashtu, dërgimi i fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe
bashkëpunimi i ngushtë me mësuesit janë faktorë shumë të rëndësishëm për suksesin
e tyre.
NM:
Sa bashkëpunim keni me prindërit dhe si e vlerësoni përkushtimin e tyre ndaj
mësimit shqip?
DD: Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me prindërit dhe e
konsiderojmë atë një nga faktorët kryesorë të suksesit në mësimin plotësues të
gjuhës shqipe. Prindërit tregojnë interes të vazhdueshëm për ecurinë e fëmijëve
të tyre, janë të gatshëm të komunikojnë me ne dhe të mbështesin aktivitetet që
organizojmë gjatë vitit shkollor..
Ne besojmë se rezultatet më të mira arrihen atëherë kur
mësuesi, nxënësi dhe prindi bashkëpunojnë ngushtë. Pikërisht ky partneritet na
ka ndihmuar të krijojmë një mjedis pozitiv mësimor, ku fëmijët ndihen të
motivuar dhe krenarë për gjuhën e tyre amtare.
NM:
Në mësimin shqip sa rëndësi i kushtoni njohjes së historisë, kulturës dhe
traditave shqiptare?
DD: Përveç mësimit të gjuhës
shqipe, rëndësi të veçantë i kushtojmë edhe njohjes së historisë, kulturës dhe
traditave shqiptare, sepse ato janë pjesë e pandashme e identitetit tonë
kombëtar. Ne synojmë që nxënësit të mos mësojnë vetëm të lexojnë dhe të
shkruajnë shqip, por edhe të njohin rrënjët e tyre, figurat historike, ngjarjet
e rëndësishme, zakonet dhe vlerat që kanë përcjellë brezat shqiptarë ndër
shekuj.
NM:
A organizoni aktivitete kulturore, festa
kombëtare apo projekte që i afrojnë nxënësit me identitetin e tyre shqiptar?
Mund të na tregoni ndonjë shembull?
DD:
Sigurisht. Përveç procesit mësimor, një pjesë shumë e
rëndësishme e punës sonë janë aktivitetet jashtëshkollore, të cilat i ndihmojnë
nxënësit të afrohen më shumë me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre
shqiptar.
Gjatë vitit organizojmë aktivitete të ndryshme kulturore
dhe artistike, si festimin e datave të rëndësishme kombëtare, programet për 28
Nëntorin- Ditën e Flamurit, 17 Shkurtin, si dhe veprimtari të tjera që lidhen
me traditat dhe kulturën shqiptare. Në këto aktivitete nxënësit recitojnë
poezi, interpretojnë këngë e valle shqiptare dhe prezantojnë punime të ndryshme
që pasqyrojnë njohuritë e tyre për historinë dhe kulturën kombëtare.
Po ashtu, zhvillojmë projekte edukative që i nxisin
fëmijët të hulumtojnë për figurat e shquara shqiptare, për traditat e krahinave
të ndryshme dhe për vlerat që na identifikojnë si komb. Këto aktivitete jo
vetëm që e bëjnë mësimin më tërheqës, por forcojnë edhe ndjenjën e përkatësisë
dhe krenarisë për origjinën e tyre shqiptare.
NM: Çfarë mbështetjeje
mendoni se nevojitet më shumë për ta forcuar dhe zgjeruar këtë mision arsimor?
DD: Për ta forcuar dhe zgjeruar misionin e mësimit
plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, nevojitet një mbështetje më e madhe
institucionale dhe profesionale. Një ndër nevojat më të rëndësishme është dërgimi
i teksteve shkollore nga Kosova ngase ka dy vjet që tekstet na mungojnë. Po aq
i rëndësishëm është organizimi i rregullt i trajnimeve për mësueset, ashtu siç
ndodh me kolegët tanë në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare.
Një rol të rëndësishëm kanë edhe shoqatat, komuniteti
shqiptar dhe prindërit, të cilët me përkrahjen e tyre mund të kontribuojnë në
rritjen e numrit të nxënësve dhe në ndërgjegjësimin për rëndësinë e mësimit të
gjuhës amtare.
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe nuk është vetëm një
proces arsimor, por edhe një mision kombëtar. Prandaj, sa më e madhe të jetë
mbështetja institucionale dhe shoqërore, aq më të mëdha do të jenë mundësitë
për ta ruajtur dhe përcjellë gjuhën shqipe te brezat e ardhshëm në diasporë.
NM:
Si e shihni të ardhmen e mësimit
plotësues të gjuhës shqipe në kantonin Vaud dhe në Zvicër në përgjithësi?
Shpresojmë që institucionet e Kosovës do t’i kushtojnë më
shumë vëmendje mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe ta shtrijnë
dorën e mbështetjes drejt fëmijëve të mërgimtarëve. Këta fëmijë janë pjesë e
pandashme e kombit tonë dhe një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet vendit ku
jetojnë dhe atdheut të prindërve të tyre.
Ruajtja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj në diasporë nuk
është vetëm përgjegjësi e familjeve dhe e mësuesve, por edhe një interes
kombëtar. Fëmijët që e njohin dhe e flasin gjuhën amtare janë një pasuri e
çmuar për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar, sepse ata ruajnë lidhjen me
rrënjët e tyre dhe nesër mund të japin kontribut të rëndësishëm në fusha të
ndryshme për vendin e origjinës.
Prandaj, do të ishte e mirëpritur një mbështetje më e
madhe institucionale për shkollat shqipe në diasporë, për mësuesit dhe për
nxënësit, në mënyrë që ky mision i rëndësishëm arsimor e kombëtar të vazhdojë
me sukses edhe në të ardhmen.
NM: Cili është mesazhi
juaj për prindërit shqiptarë që ende hezitojnë t’i regjistrojnë fëmijët në
mësimin plotësues të gjuhës shqipe?
DD: Mesazhi im për prindërit shqiptarë është që ta shohin
mësimin plotësues të gjuhës shqipe si një investim të çmuar për të ardhmen e
fëmijëve të tyre. Gjuha amtare nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe
çelësi që i lidh fëmijët me identitetin, kulturën, historinë dhe rrënjët e
tyre.
Shpesh dëgjojmë se fëmijët kanë shumë angazhime ose se
mjafton të kuptojnë shqipen në familje. Megjithatë, të folurit, të lexuarit dhe
të shkruarit në gjuhën amtare kërkojnë mësim dhe ushtrim të vazhdueshëm në
shkollë. Fëmijët që mësojnë shqip nuk humbin asgjë nga integrimi i tyre në
shoqërinë zvicerane; përkundrazi, ata pasurohen me një gjuhë dhe një kulturë më
shumë.
I ftoj të gjithë prindërit që ende hezitojnë t’i
regjistrojnë fëmijët në mësimin shqip, t’u japin atyre këtë mundësi të vyer.
Nesër fëmijët do t’u jenë mirënjohës që ua ruajtën këtë pasuri të çmuar. Gjuha
shqipe është trashëgimia më e bukur që mund t’ua lëmë brezave të rinj dhe një
urë e fortë që i lidh ata përgjithmonë me origjinën e tyre.
Gjenevë,
10. 06. 2026



