Gjon Marku: Katër drita

Ese
Nga
Gjon Marku
Nata zbriti mbi male ashtu siç zbret gjithmonë, ngadalë, pa
zhurmë, si dikush që hyn në shtëpi me kujdes që të mos zgjojë njeri. Dola në
ballkon, dhe qielli m'u shfaq me mijëra pika drite, si të donin të më thoshin:
nuk je vetëm, shiko sa shumë jemi këtu sipër.
Kërkova
ndër to. Gjeta atë më të ndriçuarën, atë që dukej sikur pulson më ngrohtë se të
tjerat, dhe i vura emrin e nënës. "Ja ku je," mendova. "Ende po
më shikon, ende po m'i ngroh duart nga larg."
Pak më
poshtë gjeta një tjetër, më të vogël, më të druajtur, sikur ende s'ishte mësuar
me errësirën. Vëllai im, thashë me zë të ulët - ai që s'pati kohë të rritej me
mua, por që tani është rritur në një qiell tjetër. Ai që nuk priti që unë të
lindja.
Kërkova
edhe një herë. Gjeta atë që dridhej pak, si dikush që lufton edhe atje lart.
Baba. Ai që u lodh shumë këtu poshtë, dhe tani ndoshta më në fund pushon.
Dhe një, i
ri, ende pothuajse i vitit të parë atje, ende me dritën e freskët të dikujt që
sapo ka mësuar të shkëlqejë. Motra ime. Liza thashë .
Katër
drita. Një familje e shpërndarë nëpër qiell, ndërsa unë qëndroja vetëm mes
mureve të gurta të një shtëpie ku dikur kishte zëra, dhe tani ka vetëm jehonë.
Kullat
nëpër male nuk folën. Nuk kishin nevojë. Ato kishin parë shumë netë si kjo -
burra e gra që kërkonin dritë mes yjeve, sepse toka nuk ua kthente më njerëzit
e vet.
Legjendat
e maleve nuk janë gjë tjetër veçse kjo: mall i mbledhur, brez pas brezi, që
s'ka gjetur ku të shkojë, prandaj ka vajtur lart, tek yjet, sepse yjet, ndryshe
nga njerëzit, nuk largohen kurrë njëherësh të gjithë.
Qëndrova
ashtu, kokën lart. Dhe kur më në fund u ktheva brenda, nuk isha më krejtësisht
vetëm - kisha katër emra në kujtesë, dhe një natë të treguar, e cila tani i
përkiste dikujt tjetër përveç heshtjes.
Ty, vëlla,
s'të mjaftoi koha as të mësoje ç'do të thoshte të jetoje. U ktheve në dritë
para se toka të të njihte mirë. Kushedi sa i ka therur në zemër nënës dhe
babait tonë kur ndërrove jetë, ti që ishe drita e syve të tyre. E megjithatë,
unë të kam menduar gjithë jetën si vëllain e madh që s'të pata - se ke jetuar në një kohë tjetër, do të më
kishe mësuar të hipja në pemë, do të më kishe mbrojtur nga frikëra që as nuk
shiheshin. Nuk pata rastin të zihem me ty, të të zemërohem e pastaj të të fal.
Nuk pata rastin as të të njihja. Por sonte të them: më ke munguar në një mënyrë
që s'ka emër - mungesa e dikujt që s'e pata kurrë, por që e ndjej gjithsesi si
vrimë në kraharor. Prit atje lart, dhe kur të vij, më mëso gjithçka që s'pata
kohë ta mësoj në këtë botë.
Dhjetë
vjeç isha kur më le, baba. Aq i vogël sa as nuk e kuptoja mirë ç'do të thoshte
"përgjithmonë". Por akoma kujtoj zogjtë, kuajt, dhelprat, lepujt që
gdhendje me durim, natë pas nate, vetëm që të m'i plotësoje dëshirat, që të
gëzohesha. Kam pyetur veten shpesh si do të kishte qenë të rritesha me ty pranë
- të më mësoje të mbaja fjalën, të rrija në odë me burrat, dikush të më priste
te dera kur vononte errësira, të më shihje si burrërohesha e të më udhëhiqje në
jetë. U desh të rritesha më shpejt se ç'duhej, sepse mungesa jote la një
boshllëk që dikush duhej ta mbushte, edhe pse s'kishte kush. E di që lufta jote
ishte e rëndë, dhe ndoshta pushimi që more ishte i merituar, edhe pse luftove
me vdekjen. Por dua të dish: çfarëdo që arrita, e arrita duke mbajtur në mendje
edhe zërin tënd, edhe pse tani më kujtohet i mjegullt.
Faleminderit
që ishe babai im, sado pak kohë qëndrove pranë - ti ishe dhe mbetesh nderi dhe
krenaria ime e përjetshme.
Ty, nënë,
të kam parë të lodhesh në heshtje shumë net, ndërsa përpiqeshe të mbushje dy
vende me një trup të vetëm - babain dhe nënën njëkohësisht. Nuk ta thashë sa
herë duhej sa shumë e vlerësoja atë çfarë bëje. Ndoshta mendova se do të kem
gjithmonë kohë ta them nesër. Sonte po ta them: ti më dhe gjithçka që s'e kishe
vetë. Duart e tua u plakën duke punuar për të miat. Dhe tani, kur kërkoj yllin
më të ndritshëm, të gjej ty - sepse edhe atje lart nuk je ndalur së shkëlqyeri
për mua. Ti je dhe mbetesh pasqyra e pjesës më të mirë të vetes sime. Dua të
dish: çdo herë që shkoj mirë në diçka, të falënderoj ty në heshtje, sepse pjesë
e asaj force ma dhe ti.
Ti, motër,
ishe krahu që s'e dija se e kisha, derisa u nisa vetëm drejt qytetit. Më prisje
me ushqim gati, më pyesje si shkoi provimi para se të hyja mirë nga dera, më
qortoje kur flija pak dhe më ngrije moralin kur mendoja se s'do ia dilja. Vetëm
një vit ka që ike, dhe ende kthej kokën ta të them diçka, e pastaj kujtohem se
s'je më.
Kjo
dhembje është ende e freskët, si plagë që s'është mbyllur mirë.
As vetë
s'e di si më erdhi ky moment - një çast, ndër qiej, m'u duk sikur ju pashë si
katër drita. Katër drita, katër fjalë që tani janë thënë - jo nesër, jo
"kur të kem kohë", por sonte, ashtu siç duhej.


