Ndue Ukaj: Fshati që ruan çelësin e një kishe të zhdukur

3h më parë

Ndue Ukaj


Fshati që ruan çelësin e një kishe të zhdukur


Fshati ka disa shtëpi të rralluara,

si vetë jeta e shpërndarë nëpër copëza historish.

Askush nuk e mban mend

kur janë dëgjuar së fundi kambanat e kishës.

“Ndoshta në një kohë tjetër”, -

tha plaku dhe nguli sytë përpjetë.


Në rrafshnaltën e parë ka gurë,

gurë të kthyer në mure.

Plaku e ruan një fshehtësi, si një sekret të detyruar.

Ai, plaku fytyrërrudhur,

në rrudhat e të cilit përshkojnë shekuj humbjeje,

që kanë pësuar shndërrim, si vetë jeta e fshatit.


Plaku, kur zgjohet në mëngjes,

si një ritual lutjesh,

përherë e shikon çelësin e kishës,

mos e kollofit harresa si sendin e fundit

të një kohe që nuk ka vazhdimësi.


Ai e ruan çelësin në arkë, si kleriku hostenin në tabernakull-

e ruan në arkën e fshehtësive,

si kujtim i padefinuar: gëzimi e trishtimi bashkë.


Një vajzë, që kishte emigruar nga katundi,

kishte dëgjuar për kishën e vjetër

dhe një ditë shkoi te plaku

dhe fytyrëgëzuar e pyeti:

“Ku është kisha?”


Plakut i rrodhën dy lot si dy shkëmbinj

në një pjerrësi të humnershme.

Dhe lotët iu rrokullisën e rrokullisën e rrokullisën

nëpër rrudhat e faqeve të tij,

teksa nxori një psherëtimë si të vinte nga bota e harruar:


“Atje larg janë gurët,

e unë e ruaj vetëm çelësin e kishës që nuk është.”


(Histori e dëgjuar për një çelës kishe që ruhet diku në Kosovë, një çelës i një kishe që nuk ka as themele.)