Ndue Dedaj: Protesta na ktheu idealet e humbura - Shpresojmë të ndodhë dhe në Kosovë

3h më parë


PROTESTA NA KTHEU IDEALET E HUMBURA

- Shpresojmë të ndodhë dhe në Kosovë -

Nga Ndue Dedaj

E pamundur që diçka e re në Shqipëri të mos shoqërohet nga një varg paradoksesh. Ja njëri për prej tyre që bën mu. Protestuesit i këshillojnë se si të bëjnë organizim politik ca kryetarë të dështuar partish minore, të djathta e të majta, që kurrë nuk arritën të bënin politikë, që nuk ecën asnjëherë me këmbët e mendët e veta, por qëndruan gjithmonë nën hijen e partive të mëdha, duke pritur “frutat” e radhës prej tyre. Protesta këtij soji politikanësh i kthen kurrizin, ajo nuk u lodh në tetëdhjetë ditë në bulevard, ndërkohë që sehirxhinjtë e kafeneve u lodhën duke i ngjitur “bishta” asaj.

Protesta e verës 2026 i dha Shqipërisë një dimension që e pati veç njëherë në 90-ën dhe asnjëherë tjetër më pas, edhe pse në bulevardin para Kryeministrisë ka pasur gjithnjë tubime masive - zërin qytetar të pakompromis për ndryshim politik. “Shqipëria e re” është shqiptuar vetëm atëherë dhe sot. Dhe kjo tashmë do të ndodhë. Kjo klasë politike do të ikë më në fund. Çdo gjoja argument që ajo do të vazhdojë të qëndrojë është iluzion. Këtë ikje të pashmangshme e kishim thënë me fjalë, por ajo që e vulosi me vepra ishte Protesta. Qendrueshmëria e saj proverbiale në këtë të nxehtë përvëlues dhe klimë patronazhizmi të frikshme u shndërrua në kolonën vertebrore të demokracisë në rënie. Ne nuk kemi vuajtur nga mungesa e ideve, projekteve, të bërit opozitë, por nga mungesa e qëndrueshmërisë dhe paanësisë në mbrojtjen e parimeve demokratike.

Protesta tregoi se ka njerëz që nuk shitën e blihen nga politika. Ky është ideali që patëm humbur. Këtë na e ktheu Protesta. Çfarë do të na sillte më shumë? Ajo tha se pasuritë publike nuk mund të nxirrën në “ankandin” e qeveri-oligarkisë, se diaspora nuk është e ikura e madhe e pakthyeshme, por bashkëqeverisësja e atdheut të vet, se të huajtë janë të mirëpritur për investime serioze, apo dhe thjeshtë për të punuar e jetuar mes nesh, por në vendin e vet zot janë shqiptarët.

Protesta doli përtej slloganeve të partive politike, që nuk i besonte askush. Në dy muaj e gjysmë bëri më shumë se shoqëria civile në tridhjetë vjet.

Kostumet politike kur grisën nuk arnohen, por priten të reja. Dorëheqja e liderve politikë apo e qeverisë është shumë pak para kësaj. Një shoqëri me ideale nuk bën pazare politike, ajo e vret korrupsionin para se ai të instalohet si sistem qeverisje. Kjo është Protesta. Koha do të tregojë vërtetësinë e saj historike.

Një protestë e tillë urojmë të ndodhë dhe në Kosovë. Klasa politike dhe atje, ndonëse me personazhe krejtësisht të rinj, ka dështuar, përderisa nuk formon për të tretën herë radhazi institucionet drejtuese të shtetit.