Llesh Ndoj: Modelet autoritare s’jetojnë dot pa konflikte
MODELET AUTORITARE S’JETOJNË DOT PA KONFLIKTE
-
Rreth qeverisjes “Rama” dhe opozicionit në zhvillim -

Pak
ose aspak pikëpyetje mund t’i vihen konkluzionit logjik që vjen, së paku si
perceptim masiv popullor, se Edi Rama dhe qeverisja e tij përmes Rilindjes,
janë shndërruar në modele autoritare, autokratike e me shenja të një diktature
të butë, që mbërrin deri tek ne përmes maskimit ligjorë të gjendjes e
veprimtarisë. Ligji dihet se gjithnjë mbetet “diktaturë”, por mënyra e hartimit
dhe e zbatimit të tyre, interesat që përfaqëson ai, e dallojnë një ligj
autokratik apo diktatorial nga një ligj demokratik. As regjimet e hapura
diktatoriale nuk vijnë të thonë se ne qeverisim si të duam dhe ju a shtypim
kokën, por bëjnë ligjet si t’u duhen atyre për t’a realizuar këtë. Shenjat janë
të qarta, katër mandate me rritje të numrit të votave apo përfaqësimit në
pushtet, katër mandate pa asnjë shenjë bashkëpunimi me opozitën, katër mandate
që e thellojnë diferencën mes qeveritarëve e të qeverisurve, duke e kthyer atë
praktikisht në një humnerë ku njëra palë “do të mbytet” në mos të dyja, katër
mandate që shtojnë klasën e padëgjueshmërisë ndaj halleve të njerëzve e
krijojnë praktikisht një familje shtetërore - partiake, e cila merr frymë vetëm
përmes kapzherrave të udhëheqësit, tashmë “suprem”, Rama. Emrin veja si të
duash, autokraci apo neodiktaturë, por këto shenja të dukshme, vetëm për
demokraci normale nuk mund të flasin. Kjo anë tashmë është e dukshme dhe
thuajse nuk kundërshtohet nga askush, bile as nga vetë qeveritarët, por në vend
të kësaj teme të nxehtë ata nxjerin në fushëbetejën e diskursit publik disa
shifra që tregojnë rritje, për të cilat janë ata dhe vetëm ata, heronjtë që na
“i bëjne të mundura”, ndërkohë që për mosarritjet gjithnjë kanë një gisht të
drejtuar nga “armiqtë e klasës”, nënkupto opozitën, apo edhe ndonjë
dashakeqësie që vjen nga “rrethimi imperialist - revizionist” i vendit tonë. E
gjitha kjo e shprehur qartë dhe hapur nga goja e Ramës, se ne nuk jemi më të
mirët, por më të mirë se ne nuk ka! Në të vërtetë e gjithë situata flet për një
rrezik real, jo vetëm si percepsion, rrezik nga i cili në çdo çast mund të na
shfaqet më i pranueshëm “niveli zero” se sa mungesa e demokracisë në vend.
Rrugët
autoritare, ndonëse sigurojnë arritje në një ose disa fusha, ato janë të
përkohëshme e kostot e riparimit të gjendjes së krijuar janë kurdoherë me
pasoja të rrezikshme për përparimin e qëndrueshëm të vendit. - A nuk shënoi
arritje regjimi i Enver Hoxhës, krahasuar me të shkuarën tonë të afërt e të
largët? Po! Madje ato ishin aq të dukshme, sa vetëm mendje fort të zhvilluara
kanë mundur të dallojnë si “delen e zezë” mes tyre, mungesën e demokracisë, që
do t’a shndërronte “kalanë” e ngritur propogandistike në një kala prej rëre.
Vetëm zhvillimet sipas modeleve demokratike rezultojnë të qëndrueshme dhe
afatgjata, ndërsa të tjerat janë farsa që i shërbejnë imazhit të rremë të
klasës drejtuese të vendit, e cila praktikisht shndërrohet në klasë “sunduese”,
pasi uzurpon të gjithë jetën e aktivitetin politik, ekonomik e menaxhues. Edi
Rama, në modelin e tij pragmatik, propogandistik e cinik, është pa asnjë dyshim
shembulli më i keq që tregon se i intereson fasada, por jo themeli. E ka
dëshmuar këtë qyshse ishte në bashkinë e Tiranës, në Ministrinë e Kulturës e
tash si kryeministër. Ai “nuk i ndahet” penelit, por qeverisja s’mund të jetë
një copë karnavacë e varur mbi telajo e t’i të zhgarravisësh mbi të si të duash
e pastaj t’a paraqesësh këtë realitet surreal, apo vepër arti, si një arritje
praktike.
Në
fund të sistemit të kaluar, regjimi socialist filloi të bëjë disa lëshime,
lëshime që nuk e preknin thelbin e ekzistencës së tij dhe që i shkonin për
shtat rritjes së figurës së Ramiz Alisë, pasardhës i Enver Hoxhës, i
konsideruar deri sa vdiq i pazëvendësueshëm. Ai, fillimish orientoi të
ashtuquajturat arëza e tufëza, pastaj tha se kujtonte me nostalgji zejtarët e
vegjël që dikur punonin gjithçka u duhej njerëzve në qoshet e rrugicave të
qyteteve kryesore, pastaj “ku mbahet nje lopë, mund të mbahen edhe 5 dhi”,
derisa arriti tek mbledhjet e hapura të organizatave bazë të partisë. Kjo ishte
thjeshtë fasada, sepse në krahun tjetër ai punonte për forcimin e regjimit të
trashëguar nga Hoxha, dhe tregonte se për momentin i interesonte rritja e tij
në popull si lider popullor e karizmatik, dimension që i mungonte, të cilin e
shihte si çelësin shumëfunksionesh për t’ia shtrënguar edhe më tej burgjiat
diktaturës. Nuk dua të vë shenjën e barazimit, por praktikisht Rama e familja e
tij politike - pushtetare, këtë tregon në çdo veprimtari e fjalë të tij (të
tyre). Të zhyt e të mban me duart në fyt në fund të detit, pastaj të nxjerr dhe
të thotë: - E sheh? Të shpëtova! E këtë vetëm unë mund t’a bëj! Kjo s’është më
filozofi e Ramës, por filozofi e krejt klasës pushtetare, që jeton me frymën e
tij. Nuk dua të mohoj asgjë, as nga punët e bëra, as nga arritjet në arenën
ndërkombëtare, por simptomat më thonë se kemi të bëjmë me një sëmundje, e cila
sot e ka emrin autokraci, por nesër mund të shndërrohet edhe në një
neodiktaturë, nëse nuk merren masa për shëndoshjen e saj.
Po
i referohem Lezhës sime. Vërtetë janë bërë e po bëhen punë shumë, të cilat
duken e s’kanë nevojë për propogandë, por mua më bën përshtypje prania çdo ditë
e drejtuesit në media ku paraqiten vetëm me arritje madhështore e me asnjë të
metë, dhe shpërndarja e postimeve të tij në kor nga një shpurë aparatçikësh që
marrin rrogën e diçka më shumë, nëse tepron, ekzaktësisht në modelin e Ramës.
Dua t’i lexoj e të kuptoj prej tyre, pa asnjë paragjykim, por kur shoh korin e
atyre që i mbajnë ison, vërtetë më neveritet gjithçka. Mirëpo, ndërsa për
arritjet të “nxjerrin sytë”, asnjë fjalë për mangësitë e tyre. Po i referohem
vetëm investimit në qytet për ujërat e bardha e ato të zeza (aq sa kam lexuar
në postimet e tyre, se të dhëna të tjera publike s’ka!). U hap një kantier pune
në të katër qoshet e qytetit, me mjete të rënda e të lehta, me punëtorë
shumëkombësh e plot gjëra, që vërtetë të japin përshtypjen e një kantieri
gjigant. Edhe fusha në të cilën kryhet investimi, është vërtetë parësore. Por,
çfarë bëhet? Sa kushton? Kush investon? Kush zbaton? Kush është supervizori?
Kur fillon e kur mbaron projekti? Asnjë fjalë, asnjë tabelë, asnjë kërkesë
falje qytetarëve për detyrimin që të jetonin mes pluhurit, gropave, zhurmave e
kaosit në qarkullim, më shumë se 6 muaj, nuk u tha. Asnjë fjalë pse policia
bashkiake dhe ajo shtetërore nuk u panë as edhe një ditë të vetme në terren që
të normalizonin situatat e krijuara, nuk u dëgjua nga goja e tyre. Fuqinë e
morën punëtorët e firmës, që as shqiptarë nuk ishin, të cilëve duhej t’u
“përgjunjëshe”, ose t’u paguaje ndonjë lek për të shkuar deri tek shtëpia jote.
Nuk u ndie askush nga udhëheqja e zëdhënësat e saj për këtë gjendje më shumë se
6 muaj, por kur i erdhi radha punës, që të paktën shetitorja apo rruga kryesor,
ajo “Gjergj Fishta”, të shtrohet provizorisht me shtresën e parë të asfaltit,
të gjithë dolën njëri pas tjetrit: - Ju shpëtuam! Nga nesër do të kemi asfalt…
Njoftimi entuziast u shpërnda me shpejtësinë e erës e bashkë me të edhe
falenderimet e servilëve, që edhe jetën “ia falin partisë” (nënkupto karriges
që i pasuron!), aq sa thua u bë nami. Më ngjau kjo me historinë e atij njeriut
me çadër në një ditë shiu, që ftoi në çadrën e tij një udhëtarë. Gjatë rrugës
pronari i çadrës ia përsëriti atij disa herë shprehjen se “të shpëtova”. Kur po
shkonin drejt fundit, ia tha edhe njëherë këtë dhe ai nevojtari, i lodhur nga
lëvdatat e tij, u ndal para një grope me ujë. U hodh në të e u lag i tëri dhe i
tha “shpëtimtarit” të vet: - Po të mos ishe ti, a do të isha lagur më keq se kaq!
Ja! Edhe punëve të mira u del boja nga propaganda bajate. Dhe si për ironi, ja
ku jemi ende edhe sot, pasi edhe në segmentin ku u shtrua shtresa e parë e
asfaltit, ende nuk ka asnjë sinjalistikë të përkohëshme të qarkullimit, për
pasojë ngecjet në trafik janë të shumta e të shpeshta, rrëmujë e vërtetë në
parkime, të cilat kryhen sipas kujtesës së shenjave të vjetra që s’ekzistojnë
më, është e pakrahasueshme, rreziku që të shtypesh “për kokërr të qefit” nga
makinat, kur duhet të kalosh rrugën, është real, pasi vijat e bardha janë “na
ishin dikur…”. Parkimet në dy anët e rrugës, parkimet në trotuare, në ramba, në
vendkalimet e këmbësorëve, edhe kur ato janë pa alternativë, e të tilla modele
si këto, janë gjithnjë e gjithkund të pranishme, por polici jo! Tani po presim,
që kur të mbyllet kjo rrugë dhe të vendoset sinjalistika rrugore (e ka detyrë
firma që kryen punimet për ato provizore), prapë të plasë propoganda: - E
shihni! Ju shpëtuam… Ndërsa rrugët e tjera të qytetit kryq e tërthorë tij, janë
po ashtu, ende të pa asfaltuara, normalisht të paqarkullueshme e totalisht
jashtë kontrollit.
Dhe
pastaj… fajin e ka “kori i kukuvajkave”, që s’lenë postim pa përmendur
pushtetarët tanë. Veç propogandës, dukshëm e pranishme, sidomos pas situatës së
protestës “Flamingo”, më bën përshtypjes se si Rama jeton i lumtur, vetëm kur
ka protesta, apo luftë. Njëlloj si dy parardhësit e tij ideologjikë e
diktatorialë, Hoxha e Berisha. Në se s’ka kundërshti e deri përleshje, ai
s’ndjehet mirë. - Pse? Sepse pas çdo beteje koncepton se del “më gjigant” e më
autoritar, në radhë të parë brenda klasës së vet apo oborrit qeveritar, por
edhe në sytë e popullit, të cilëve, në realitet, iu shtohet vëtëm “një dujë
kashtë” më tepër. Kështu bënte Enveri. Sa herë arritjet ishin jo normale e rrezikohej
autoriteti i tij, shpikte grupe armiqësore brenda e jashtë radhëve, i
demaskonte, i demontonte dhe i burgoste ato, e pastaj një buzëqeshje ia
dhuronte popullit për 1 maj apo 29 nëntor me armët e tanket në shesh, për t’u
thënë se “sa të jemë unë, flini pa bre…, se s’lë kënd tjetër, veç vetes, t’ua
f…”! Një jetë në pushtet edhe Berisha. Gjithnjë luftë me “mullinjtë e erës”, me
komunizmin që e ka në shpirt, me grupet brenda partisë dhe pastaj: - Po të mos
isha unë do kishit prapë Enverin!
Po
Rama? Sa herë rrezikon që diskursi publik të orientohet drejt logjikës së
fakteve e ndërgjegjësimit të njerëzve se binarët ku po lëvizim nuk janë ata të
duhurit, se mungesa e demokracisë nuk sjell zhvillim, se shkëputja e
“lokomotivës” nuk do të thotë mbërritje në destinacion etj., ai shpik një rast
për zhurmë e propogandë. Më ngjet si toreadorët në arenën e demave, ku ajo copa
e kuqe në duart e tyre i tërbon ata, por jo në drejtimin e duhur, derisa ndonjë
bri i tyre të përfundojë aty ku duhet. - A nuk ishte e ashtuquajtura tentativë
për lëndët kimike që do të përpunoheshin në vendin tonë, një stisje e tillë? Po
protesta e studentëve, si u manipulua? Po marrëveshja pas lufte me Bashën,
çfarë solli? Po ndarja teritoriale, atëherë (2015) dhe sot (2026), a s’është e
njëjta gjendje: “lala kros, lala kros, vetë shkruaj e vetë vulos, dreqi të
thotë se mos”! Po protesta e bulevardit që vazhdon sa për të thënë, paketa e
maleve e riaktivizuar, kredia shumëmilionëshe me SHBA - të, hapja e mbyllja e
ndonjë kapitulli me BE – në, e të tjera si këto, a s’janë “furtuna” që i
pëlqejnë atij, e se pas tyre do të dalë gjithnjë fitimtar, por më autoritar e
neodiktator se ç’e mendojmë!
Asnjë
justifikim s’mund të zbeh mungesën e demokracisë në vend. Ajo ka qenë, është e
do të jetë kufiri i pranueshmërisë, ose jo të çdo programi qeverisës. E për
fatin tonë të keq, hapat në këtë drejtim janë të papërfillshëm. - Kam 800 mijë
vota, - thotë tjetri e për katër vite bëj si dua unë! Mirëpo, pa hyrë në faktin
e teoritë se si janë marrë ato vota, edhe në se i besojmë ato plotësist të
ndershme apo të pavesuara, pas çdo vote qëndron një njeri me nevojat e tij. E
njeriu ndryshon edhe nëse ia plotëson nevojat, jo më kur s’ia plotëson ato!
Kush i “mat” sot ku qëndrojnë 800 mijë votat e marra? Për çfarë u morën votat,
e çfarë u realizua e si u realizuan premtimet, a është një bilanc që duhet
bërë, jo me retorikë boshe e propogandë ku vetë flet e vetë dëgjon, por duke i
prekur ato kudo ku janë premtuar, me letër e laps në dorë, lagje më lagje, dhe
vetëm me ata që duhet të ishin përfituesit e drejtpërdrejtë të tyre, pa dekor.
- A bëhet kjo? Kurrë! Edhe kur bëhet me regji nga lart, ka gjithnjë një palë të
ndarë në dyshë: Udhëheqja e lartë në tribuna e mëkëmbësat e saj në salla, apo
sheshe. Njëjtë edhe në dy partitë kryesore, atë qeverisëse e atë kandidate për
të qeverisur, demagogji pa fund! Askush s’pyetet, përveçse janë të dënuar të
dëgjojnë e duartrokasin. Nëse i gënjen mendja ndryshe, dera mbetet e hapur e
rikthimi i pamundur. Kështu u veprua edhe me projektin për ndarjen e re
administrative, vetë shkruaj e vetë vulos. Jo se jam kundra rindarjes, as
zvogëlimit të numrave të tyre, por si po bëhet kjo? Numrat s’thonë asgjë,
kompetencat e funksionimi i tyre demokratik, po!
-
Pse jo 36 bashki, sa numri i rretheve të dikurshme, por kjo pas disa
ndryshimesh të rëndësishme në ligjin zgjedhorë, ku njësitë të mos ishin
garnitura të kryetarit, por të kishin të zgjedhurin e kompetencat e tyre? Pse
tani na shpikën qytetet me një nënkryetar të emëruar nga kryetari e të mos kenë
ato qeveritarin e zgjedhur prej tyre, qoftë edhe vartës të kryetarit të
bashkisë së madhe, por të zgjedhur e me kompetenca të rezervuara. Pse nuk bëhen
referendume popullore për gjithçka me rëndësi vendimtare, por eksperimentohet
sipas orkeseve politike? Pse grabiten pasuritë e njerëzit jetojnë në varfëri?
Pse kaq shumë na pëlqen “qytetërimi” përmes shpopullimit e bërjes së
pajetueshme të shumë zonave, në vend që të investohej në të kundërtën e saj?
Pse nuk shkon prona tek i zoti, por shpiken herë paketa të maleve, herë
investitorë strategjikë, e gjithçka tjetër, por jo projekte që të zgjojnë
interesin e mbështetjen e banorëve? Numri i pikëpyetjeve sa vjen e shtohet, në
vend që të shkoje drejt zgjidhjeve e zvogëlimit të tyre, e kjo më bën disa herë
t’u jap të drejtë protestuestuesve kur thërrasin kundër “shitjes së atdheut”.
Vërtetë atdheu, toka, pyjet, kullotat, ujrat këtu mbesin, por kur shfrytëzohen
barbarisht e nuk sjellin përfitime për banorët vendas, kam të drejtë të them,
se atdheu po shitet, ndërkohë që kur nuk instalohet demokracia reale në vend, e
ardhmja është plotësisht e tradhëtuar.
Këto
e të tjera probleme e shqetësime, më thonë se të gjitha modelet autoritare,
aristokrate apo diktatoriale e neodiktatoriale kanë të njëjtën frymë, shpikin
lloj - lloj metodash të ndërlikuara, në vend të zgjidhjeve të thjeshta, bëjnë
ligje që askush (as vetë ata) s’i kupton, në vend të ligjeve që flasin vetë,
shpikin institute e institucione të pakuptimta, në vend që t’a bëjnë
administrimin gjithnjë e më të lehtë e më të thjeshtë, shpikin kundërshtarë
edhe kur s’i kanë, duan konflikte edhe kur ato s’janë reale. - Pse? Sepse
demokracia është në thelb e thjeshtë, e prekshme e i bën njerëzit e interesuar,
se demokracia është marrëveshje, është heqje dorë nga të quajturit zot e pronar
i detyrave qeveritare duke e konsideruar veten shërbëtor e administrator.
Mirëpo për t’i bërë këto duhen mend, duhet shpirt atdhetar e jo by… që qepen
pas karrigeve, kurse diktatura është e thjeshtë: - Bëni si them unë! Nëse i bën
këto, pak nevojë ka për fjalime pompoze, për propagandë bajate, për cinizëm të
shfrenuar ndaj të qeverisurve e sjellje pronari ndaj jetës së tyre.
Po
u vazhdua me sjellje prej pronari, bile pretendime të të qënit zoti mbi tokë,
si rëndomë ka ndodhur edhe dje edhe po ndodh sot, ditët e pushtetit personal
mund të zgjaten, por fundi është i tmerrshëm. Prandaj forcat demokratike brenda
partive kryesore, në organizatat shoqërore e kudo në vend, duhet të zgjohen për
të kontribuar përpara se gjumi t’na dalë dhunshëm nga përplasja në humnerën e
mungesës së demokracisë, që askujt nuk i shërben, ndonëse dikush edhe e
dëshiron.
Lezhë, më 5 gusht 2026


