Llesh Ndoj: Absurditeti i luftës së klasave dhe finikëria e viktimave të saj

1h më parë

Koha dhe njerëzit – përsiatje mendimesh

ABSURDITETI I LUFTËS SË KLASAVE DHE FINIKËRIA E VIKTIMAVE TË SAJ

- Ballafaqim përmes shembujsh të thjeshtë jetësorë -

Nga Llesh NDOJ

Nëse ka gjëra të lidhura me sistemin që teorikisht e ka mbyllur siparin, ndonëse praktikisht reminishencat e tij janë të kudopranishme në jetën tonë, për të cilat kurrë nuk kam patur ndonjë mëdyshje, ato janë lufta e klasave dhe zhveshja e njeriut nga e drejta e pronësisë, duke e bërë praktikisht atë një objekt pa vlerë. Mirëpo në të gjithë filozofinë e sistemit të shkuar, këto të dyja, luftën e klasave dhe pronësinë kolektive (ose të askujt) i kishin shtyllat e ekzistëncës dhe i konsideronte motorrët e zhvillimit. Se ç’shina ishin, e ç’zhvillim sollën ato, e dëshmon gjendja ku u gjendëm në fund të viteve të nëntëdhjeta, kur sistemi u shkërmoq si tigër prej letre, e njerëzit u gjenden nën kërcënimin serioz të urisë, pasojë e së cilës i zu sëmundja e pashërueshme e ikjes, duke e braktisur vendin, thuajse pa e kthyer kokën mbrapa e me rreziqe reale për jetën.

Në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur tatpjeta e sistemit kishte nisur, dhe për të përmirësuar disi imazhin e vet, ish partia në pushtet nisi të vendosë në krye të punëve njerëz me shkollë, përgjithësisht intelektualë të mirëformuar, me synim që të zgjaste sa të ishte e mundur agoninë e pushtetit të kalbëzuar në themelet e tij. Edhe mua, ndonëse nuk kisha asnjë përvojë sa i takon punëve bujqësore, përveç arsimimit në atë fushë, këto dallgë ekzistence më çuan në krye të ekonomisë bujqësore në fshatin Blinisht të Mirditës, zonë me të cilën nuk kisha asnjë lidhje e asnjë njohje, përveç historisë mbi Shpalin e Kuvendet e tij, mbi luftën e persekutimin e rëndë që kishte prekur shumicën e familjeve blinishtase, në të tre fshatrat e tij Blinisht, Kullaxhi e Pshqesh. As që e mendoja atëherë se në fund të viteve të nëntëdhjeta kishte ende njerëz pa triskë fronti, kështu quhej dokumenti i anëtarësimit në organizatën më të madhe të masave, të ashtuquajturit Fronti Demokratik i Shqipërisë, edhe kjo levë politike e partisë së kohës. Faktin e mora vesh në një takim të organizuar në zyrën e këshillit të bashkuar, ku më kishin ftuar edhe mua dhe në mbledhje merrnin pjesë disa nga instruktorët e ish - komitetit të partisë. Njëri nga familjarët që s’kishte anëtarësim në organizatën e frontit, ishte ankuar e kishte kërkuar shpjegime për disa këtë, prandaj instruktorët ishin munduar e kërkonin edhe mendimin tonë rreth çështjes.

Se ç’kërkoja unë aty, veç ata e dinin… Mua më interesonte ekonomia, hallet e së cilës ishin bërë edhe më të rënda, e pak ose aspak më hynin në sy probleme si këto. Megjithatë isha i detyruar të merrja pjesë. Pyetjes së shtruar iu përgjigja se s’kam njohje për ta, por se familjarët e tyre ishin nga punëtorët më të mirë që kishte seltori dhe brigada ku bënin pjesë. Dhe me të vërtetë, asgjë nuk shtova në konstatimin tim. Kudo punonin ata, cilësia e dallueshme e punës e pretendimet minimale i karakterizonin në punë. Kaq më mjaftonte mua. Të tjerat, le t’i zgjidhnin ata që bashkëjetonin me ta prej brezash, e unë s’isha njëri prej tyre. Në mënyrë konsistente, gjatë viteve që drejtova aty, m’u konsolidua mendimi se lufta e klasave ndaj atyre njerëzve ishte absurde, ndërsa fisnikëria e tyre (e shumicës prej tyre, se nuk ka pyll pa derra!), ishte për t’u marrë shembull. E fisnikëria e njeriut duket në kohë të vështira.

Pasi kisha pyetur kudo, në organet ekzekutive e ato partiake të rrethit, lidhur me shpërndarjen e pronës kolektive njerëzve, një destinacion që në vitin 1990 u bë i pashmangshëm, por nuk kisha marrë dot asnjë përgjigje prej tyre, bile nuk ishte e lehtë as t’i takoje drejtuesit e lartë të kohës, kisha planifikuar shpërndarjen e blegtorisë së imët. Isha vënë në funksion të saj me gjithë dëshirën e mirë që të realizohej pa eksese e me barazinë maksimale, por koha nuk priste shumë projekte e plane, njerëzit u ranë pre tufave në stalla dhe i morën si mundën ato. I brengosur në maksimum, jo për pronën që u shkri në sytë e mij, por për pabarazinë që u krijua mes njerëzve, ashtu si edhe për fjalët e thashethemet që qarkullonin andej – kendej, se edhe unë “kisha marrë gjysmën e tufës”, thuajse i vetëm, nisa të zhvilloj takime nëpër gruplagjet e fshatrave, ku shprehja mendimin e shqetësimin tim që njerëzit të mos i dëmtonin gjënë e gjallë, se ato ishin të tyret përgjithnjë, dhe se askush nuk po kërkon t’i rikthejë më në stallat e përbashkëta, por edhe që nëse dikush ka mbetur pa gjë fare, do të ishte mirë t’i jepej diçka, branda familjeve e fiseve, duke vendosur njëfarë drejtësie,  etj. Në lagjen poshtë Shpalit, e gjitha viktimë e luftës së klasave, kisha mbërrit thuajse në orar, por pak njerëz gjeta. U ula në oborrin e përbashkët dhe po prisja të mblidheshin. S’vonuan veçse pak minuta e nga njëra prej shtëpijave dolën një numër jo i vogël njerëzish, me në krye Pjetër Gjin Frrokun, ish i burgosur politik e në moshë të thyer. Pasi u falëm e u përfalëm me të dhe u përshëndetëm pa të keq me secilin nga pjesmarrësit, ai m’u drejtua:

- Unë jam Pjetër Gjini, se ndoshta s’më njef. Kam ardh për ty, jo për gjanë e gjallë!

Kjo më bëri përshtypje mua. Unë i kisha ftuar për gjanë e gjallë, e ai kishte ardhur për mua! Por Pjetri shpejt vazhdoi, duke mos më lënë të mendoja se çfarë do të më thoshte:

- Këto, - vazhdoi ai, - janë dallgë. E di se të mërzisin, se je edhe i ri e i pamësue me dallgët e jetës. Por mos u mërzit, or djalë… Pushoi edhe një copër herë e vijoi:

- Unë në mbledhje s’mund të rri. Një kedh ma kanë sjellë ke shpia mecat, e drejtoi dorën andej nga pjestarët e fisit, por kur t’më çosh fjalë e bie te stalla vetë. - O Zot, si u ndjeva! Ku kishte fisnikëri ma të madhe se aq! Kujdesej për mua, e donte të më qetësonte, pasi “ishim mes dallgëve”! Pjetri i kishte provuar dallgët e jetës. Ndoshta më shumë se të tjerë. Kishte kaluar nga Parajsa në Ferr, sa hap e mbyllë sytë, e tani kujdesej njerëzisht për njeriun.

Episodi i tretë më ndodhi pranverë - verën e vitit 1991. Që fundi i sistemit kishte mbërritur nuk kishte më asnjë dyshim, por përgjegjshmëria njerëzore më mundonte. Buka ishte akoma nga grykët e furrës së ish - kooperativës e disa ara ende kishin grurë e misër. Ishin kryesisht parcelat e hapura tokë e re nga ish - sistemi, pasi të tjerat ishin privatizuar me të ashtuquajturin 4 dynym për familje të qeverisë Nano. Doja t’i mblidhja ato të korra e të kishin destinacion për të gjithë, por… As fuqi punëtore nuk kishte, as kush nuk të përgjigjej. Thjesht ne e kishim humbur besimin tek njerëzit e kjo evidentohej qartë e kudo, herë me heshtje e herë me reagime aktive. Shumica e ish - anëtarëve të partisë së punës, ose ishin lëshuar të parët “kap ç’të kapësh”, ose ishin “ngujuar” në meditimet e tyre të thella dhe nuk mund të dilnin në publik. Të drejtë kishin! Kauza e tyre kishte dështuar. Kishte dështuar edhe kauza ime, por mundohesha, ndonëse me shumë përpjekje, të ndaja ç’ishte e kauzës nga ajo se çfarë ishte e imja. Në këtë përpjekje i jepja vetes “të drejtën morale”, të mos dorëzohesha e të mbyllesha, pasi s’kisha bërë asnjë turp.

Ndodhesha në Vaun e Madh, në këto përpëlitje të fundit si drejtues i ekonomisë bujqësore, pa ekonomi. Ishin të paktë ata që doja t’i kisha në krahë, por prej tyre edhe më të paktë ata që më rrinin në krah ato kohë të vështira, në radhë të parë psikologjikisht. Për çudinë time, më qëndroi pa mu ndarë asnjë çast Viktori, një djal i ri e i shkathët, bir i një familje të persekutuar politikisht.

- M’ka thanë baba me të qëndrue afër!, - më tha.

Nuk di si u ndjeva nga kjo fjalë. Të atin, Nduen, e njihja pak e s’ishin as 2 - 3 raste që më ishte dhënë mundësia të bisedoja vetëm për vetëm me të, e tash ai kishte porosit të birin të më qëndronte afër. A ishte kjo një shfaqje tipike e Besës shqiptare? Ndoshta…! Por kjo u përkiste të gjithëve, pa klasa, por mua po më gjendeshin pranë ata që ishin viktima të luftës së klasave. Fisnikëri! Asgjë më shumë e asgjë më pak se kaq!

Ah, po. Më shumë se kaq: Padrejtësi e asaj shpikje absurde të kohës që na ndante në klasa. Në fakt ishin dy klasa, por jo ato që thuheshin e njiheshin publikisht. Ishin (edhe janë ende e përjetësisht) dy, klasa e njerëzve të qeverisur dhe klasa e qeveritarëve. Por mes tyre s’ka pse të ketë doemos vetëm luftë. Jeta e shoqëritë moderne kanë shpikur mjete më të buta se aq, llogaridhënien, verifikimin e vullnetit të të qeverisurve përmes zgjedhjeve, periodikisht e sa herë që rrethanat ekonomike, plitike e shoqërore ndryshojnë. Por kur kjo nuk zbatohet në praktikë, yshtur nga kënaqësia e karriges qeveritare e pushtetore, krijohen mes tyre hendeqe të mëdha, dhe sa herë që mes tyre krijohet një hendek i tillë, duhet të mbarojë epoka e qeveritarëve, jo e të qeverisurve prej tyre, sepse “Proletari në revolucion, nuk ka ç’humbet, veç prangave”, e këtu ribashkohem me komunizmin, ndonëse jashtë kuptimit klasorë të tij e brenda ndarjes në klasa siç e paraqita më lart, të qeverisur - qeveritarë.

Lezhë, më 14. 08. 2026