Kalosh Çeliku: Hajduti i “Allahut”

NGA
KALOSH ÇELIKU
Ditë e bukur Pranverore
me DieIl. Qielli, i kaltërt lot, mes dy-tri reve që thyejnë qafën matanë maleve
të “Çelevjollcës”. Një
mik i imi shkrimtar më telefon për një kafe. Nuk e di, a është miqësore, apo politike. Moti,
nuk e kisha ngritur dolli një gotë raki rrushi. Mos të flasim dy shtamba me
verë. Ose, për “Lëngun e turshisë”. Pijen e preferuar të partizanëve të partive
tona politike “demokratike”, që herët me hebet në krah kanë dalë për gjah t’i plaçkisin
shqiptarët gjatë fushatave parazgjedhore nëpër “Bit – Pazar” para këmbëve të
Kalit të Skënderbeut.
Edhe, dalim me
mikun shkrimtar në një “Oazë paqe” të Shkupit në “Sheshin e madh Skënderbeu”,
në “Bit - Pazar”. Ballë për ballë me Hasan Prishtinën, që këto ditë me shi e
diell nuk ka para këmbëve asnjë lule. Miku shkrimtar sot, ka lekë vetëm për dy
birra “hallall”. Edhe atë, pa meze. Merreni me mend, birrën ta pish së paku pa
një copë mish viçi të palëpi. Ose, shterjeje. Zorrët në bark gjithë ditën e
gjatë të të këndojnë këngë patriotike me dajre. E di, Skënderbeu ushqimin e tij
të preferuar e ka pasur përsheshin me mish qengji pas betejave luftarake.
Gjatë një Paniri
të libriit e kam provuar edhe unë autori i këtij rrëfimi në restorantin e
xhaxhit Enver në Tiranë, rreth oxhakut të viteve ’70 -a te “Zogu i Zi”.
Këmbëkryq, me popullin në fotografi nëpër mure mes kazmave, traktorëve e
pushkëve. Fytyrave të buzëqeshura të aksionistëve: në njërën dorë pushkën, e në
tjetrën kazmën. Këngën e asaj kohe: Me
gëzim po shkoj në punë. Katastrofë e sotshme kombëtare, kur i krahason ato
gra e burra mejdani me gjelat tanë “krynegritës” gjatë fushatave parazgjedhore
sesi krekosen mbi pleh, duke thirrur Agimin ende pa hipur në gardh: Me gëzim
nuk shkoj në punë. Pajtohem me ralitetin pas shpine para këmbëve të Kalit
të Skënderbeut. Ditën, sot do ta përfundoj vetëm me një birrë “hallall”.
Miku im
shkrimtar, dikur shkaku obligimeve familjare të përditshme vazhdon rrugën për
në shtëpi, ndërsa unë rrokem fytas në dylyftim me birrën “hallall”, që mbi
tavolinë më ka shpallur luftë fetare mes ferexhezezave. Kamarieri, dikur më
thotë matanë tavolinave nën Rrap:
-E do edhe një
“hallall”?
-Jo, i
përgjigjem. Mjaftë e kam një sot në këtë vapë politike, sipas porosive të një
“analisti” dudum. E dua “haramin”, e jo “hallallin” e dudumëve. Dikur, për inat
dalë nëpër qytet para Olimbisë të begatshme me fëmijë në bark, gji dhe prehër
përballë Filipit të Maqedonisë t’i rrokullis bythekrye edhe dy shtamba me verë
“hallall”.
Rrugës,
padashtas nga “pastërtia e madhe”, që gjatë natës kaluar e ka sulmuar kryeqytetin,
më rrëshqasin këmbët shkallëve: “se spasiv”, (shpëtova), rënkova në gjuhën e
“vëllezërve”. “Patriotët kuqezi” e di, do të thonë: ja, ku e keni nacionalistin
e madh shqiptar para këmbëve të Kalit Skënderbeut, e ju e kërkoni në xhami para
këmbëve të Hoxhës “Allahut” ta shpallni taliban. Ama, hiç nuk ma ndi për
theshethemet dhe shpifjet e tyre të përgjumshme me këmbët dhe trutë në legen.
Pesë “vakte” që përditë i falin në sexhadet e Persisë me kokën në xhami e
bythën në polici. Nateditë para popullit flasin jerm marrëzira, shesin moral.
Moti e kam thënë: Internacionalist nuk mund të jeshë, pa qenë nacionalist. Ose,
ndryshe: nuk mund ta duash më shumë tjetrin, pa e dashur vtëveten. Vetë,
përsëri ngrihem më këmbë për ta vazhduar rrugën me gropa mes gjithë këtij
bërlloku dhe ndërtimeve pa leje, që mbijnë si këpurdha në mes të parkut
(gjelbërimit). Inati më vjen, pse sot nuk e kam pi as një gotë raki rrushi e të
rrëzohem shkallëve të Nënës Parti. Përmëtepër, dy të rinj studentë shqiptar
disa metra më larg më përkrahin me fjalë: Qoftë e kaluar, o burrë! Me siguri
janë lexuesë të shkrimeve mia të “egra” publicistike anë e mbanë Atdheut për
Ditën e Nesërme.
Rruga është
rrugë. Patjetër, duhet vazhduar përmes Shkupit historik të shqiptarëve.
Kryeqendrës, që përderisa Gruevski matanë e në këtë anë të Urës Gurit, ndërton
sheshe me përmendore e fontana, partizanët tanë partiak shqiptar edhe atë pak
hapsirë që ka “Çarshia” me gjelbërim dhe beton e kanë mbushur me varreza të
makinave. Përçudi, vetja të duket se jeton në Turqi, ose në ndonjë shkretirë
arabe. Merreni me mend, heroin tonë legjendar Skënderbeun me gjithë kalë e kanë
dënuar t’u bëjë roje me shpatën në brez, sikur të ishte Tarzani në mesin e
majmunëve.
E di, vështirë e
ka pasur dje me turqit, edhe më vështirë e ka sot me dudumët mes varrezave të
automobilave, që e kanë rrethuar nga të katër anët mu si dikur ushtria Osmane
te Kështjella e Krujës. Mjerisht, edhe Universiteti i Tetovës mezi merr frymë
mes këtij bërlloku të makinave shkatrraçe të parkuara para dere. Studentët
gjatë pushimit pas ligjëratave kërkojnë shpëtim për ta kaluar kohën e lirë në
ndonjë birucë betoni të partive politike. Aty për aty, më kujtohet vendasi im
shakaxhi Xha Duli i Riu, kur në kohën e komunizmit me shokë i veshur me tirqi,
xhamadan e kësula të bardha në kokë me flamurin kuqezi në dorë, lodra e valle i
bienin krah për krahu përmidisi “Çarshisë” Kërçovës si në kohën e “Shqipërisë
Madhe”. Natën e bënin ditë. Këmbëkryq uleshin para restorantit “Slloboda”
(Liria), kafenesë më të njohur në atë kohë të qytetit. Vite ato, kur sot më
kujtohet edhe Babai me “nagëntin” në brez e bombat nëpër xhepat e strukes hedhur
krahëve. Kamarieri kur pasi e paguante dëmin, i thoshte: “Falla, pak da dojdete
utre” (faleminderit, përsëri të vini nesër). E Babai, aty për aty në gjuhën
shqipe i përgjigjej me buzëqeshje te pragu i derës: kurrë, më nuk do të më
shihni në këtë konak të hajdutëve. Djemtë e mi mund t’i mashtroni me “çaj
rusi”, bozë Gostivari ose Tetove, “hallall Bit - Pazari”, ose ndonjë nuse
qyteti, por mua kurrën e kurrës!
Edhe pas kaq
viteve, ne shqiptarët përsëri rrotullohemi bythekrye nëpër çajtore e konaqe
“rreth oxhakut” me këngë e valle patriotike. Popull më të lumtur se na në ditën
e sotshme, nuk besoj se ka në botë. Armik të gjallë nuk lamë pa e vra me
çifteli e lodra mbi tokë. Qosh më qosh e kërkojmë kafen turke dhe “çajin e
rusit”, kur dehemi keq me bozë në mes të “Bit - Pazarit”, e hajdutët e pulave
na prinë për në liri. Edhe atë, tashti kur më nuk kanë të vjedhin pula si dje
në katund, i sulen pas shpine Skënderbeut dhe intelektualëve shqiptar. I
ndejkin këmba - këmbës nëpër qytet si “armiq” të fesë islame, Partisë dhe
shtetit. Ideologë, me këmbët dhe trutë në Legen. Që, këto ditë Sigurimi i
Shtetit Shqiptar i shpalli edhe persona Non grata.
Rasti ma kujton
çetën partizane mbi katund në Luftën e Dytë Botërore. Partizanin që e dërgojnë
shokët të vjedhë pula. E, ai në vend që të vjedhë pula te koteci, bie
“heroikisht” dhe vritet në telat e elektrizuar të ushtrisë gjermane. Shokët
partizan pas lufte e shpallin hero kombëtar. Kohë kjo shterpë, kur unë
fatkeqësisht për dudumët e kërkoj ta ngrej dolli Lotin e Shën Mërisë Virgjër,
ose gjakun e Isu Krishtit (azreti Isait). E ata, “çajin” e rusit mbi tavolinë
me të cilin i ka shpërblyer pas lufte dhe stërvitur në këtë profesion të
“rrezikshëm” nëpër lëmë Nëna Parti me nga një post “shefi” në Qeveri dhe vende
të merituara pune.
Pas pak kohe,
përsëri më paraqitet në telefon miku im shkrimtar:
-A je ende aty
në tavernë?
-Jo, i
përgjigjem, posa dola të marr pak frymë para këmbëve të Filipit të Maqedonisë.
Tashti për tashti, i pushoj sytë e lodhur te gratë e tij të “rrezikshme”
Olimbine me fëmijë në bark, gji e prehër. Bërlloku i “Bit - Pazarit” m’i ka
qerruar sytë. Qelbet nëpër kontenierët e partive politike. Nëntë sahat larg i
vjen era.
Përveç
bakshishit, më thotë matanë telit miku im shkrimtar, kamarieri m’i ka vjedhur
plus njëqind denar.
-Hi-hii-hiii,
qesha unë përmes telefonit. Prandaj, edhe më pyeti: a, dua ta pi edhe një
“hallall”?! Vertetë, qenka burrë si te ajo kënga popullore: Shka po i thotë Dema – Kadrisë/ a ia di bre
emnin burrnisë?! Edhe, Kadriu i përgjigjet po në atë këngë popullore: Ia kam dijtë. O s’i nuk ia kam dijtë/ qe dy
herë për mik jam fik. Po, rri rehat - fli pa brekë, nuk e rrokullisa edhe
një “hallall” në atë shtëpi të Zotit. Sot, u përpoqa të ecë përmes “Bit -
Pazarit” me një këmbë. Babai po të ishte gjallë do të thoshte: nuk lërohet ara
me një ka rrëzë “Çukës”. E di, i përgjigjem unë sot në këtë rrëfim: po, nuk kam
zgjidhje tjetër mes arave që na i kanë mbuluar ferrat. Shkak ky, që edhe
rrëshqita teposhtë shkallëve partiake bythekrye para këmbëve të Kalit Skënderbeut.
Megjithatë,
rrofshin kamarierët! Vërtetë, sot për sot janë më të mirë se politikanët.
Partizanët e tyre që në emer të partisë përditë e plaçkisin popullin shqiptar. Edhe
atë pak hapsirë me gjelbërim e beton që e ka ”Çarshia”, e kanë shndërruar në
parkingje të makinave. Biznesi i vetëm në këtë qytet për partizanët e Nënës
Parti, siç duket për ta mbajtur veten e familjen gjallë, u ka mbetur plaçkitja
e shqiptarëve në mes të Ditës Madhe. Edhe atë: nga “myslimanët”, që natë e ditë
i luten Zotit në xhami me këmbët dhe trutë në legen. Përderisa, Gruevski ndërtoi
sheshe dhe fontana, rrugaçët tanë politik “kuqezi” i sulen gjelbërimit:
uzurpojnë parqet dhe sheshet e qytetit për parkingje, duke i plaçkitur
qytetarët si në kohën e Turqisë. Suksese të pakëpërcyera në këtë biznes ka
arritur njëfarë “shefi mysliman” i parkingut afër kishës Shën Dhimitri, rrëzë
kalasë Dardane në “Bit – Pazar”. Mendja ma thotë, se: i njëjti e ka nën
“përkujdesje” edhe sheshin “Skënderbeu”, në Shkup. Rrugaçi politik, përveçse që
i palaçkitë shoferët përmes telefonave celular ua bllokon edhe rrotat e
makinave. Dënimi dihet, përveç kohës së parkingut që ua merr përmes telefonit
celular, plus edhe 910 denarë denim policor. Dëshmitar i gjallë, është vetë
autori i këtij rrëfimi, i cili ishte vonuar tre minuta me pagesën, që përveç
pagesës përmes telefonit celular të kohës së parkingut, ia pagoi edhe dënimin
me gjithë kafe “shefit mysliman” për idenë e këtij shkrimi në vend të
shpërblimit, hiç më pak me gjithë kafe një mijë denarë. Dënim, shkaku i një
shkrimi publicistik të mëhershëm, që autori e kishte publikuar në mjetet
informacionit për sheshin (parkingun) "më të madh “Skënderbeu” të Shkupit:
Shkupi historik i shqiptarëve.
Porosinë që ia dërgonte rrugaçi politik për Dadën Hajri mu si te ajo kënga
popullore, që nuk e ka shoqen në shtatë
krajli, e ia lyp në kafe Beqir aga veç
një natë me të të rri. Prandaj, edhe Beqir agës të sotshëm me këtë rrëfim
ia pagova dy kafe “sheqerli”, se sot e kam zënë një “mik” të ri.
Qëllimi i këtij rrëfimi artistik
- logjik, nuk është
rrugaçi politik me shokë nga “hallalli”, që e ka mbuluar këmbë e kokë bërlloku, po hajdutëria i cili do të
pasurohet brenda një nate me djersën e huaj në kurriz të shqiptarisë. Me vetëtedije, por për t’ua
bërë me dije liderve tanë partiak “mallin” dhe bagazhin e sotshëm që e kanë
nëpër radhët e partive politike. Farën e hajdutit të pulave, të cilit për disa
vota të vjedhura gjatë zgjedhjeve lokale e parlamentare ia kanë hapur dyert
krah më krah në plaçkitjen e qytetarëve. Njëkohësisht, duke i zhveshur lakuriq
nga “hallalli” para syve të shoferëve e popullit: Kujdes, ku i parkoni makinat:
te “hallalli”, apo te “harami”!
Hajduti partiak me diplomë universitare
nuk është sot më “marimanga” e dikurshme komuniste, po dudumi “hallall” që në
emër të ligjit dhe shtetit ju plaçkitë edhe më zi se sistemi ish komunist “shkau”
në mes të Ditës Madhe para syve të policisë të Shtetit “përbashkët”, përtej Ditës Nesërme...


