Kalosh Çeliku: Askushi

NGA
KALOSH ÇELIKU
Vështirë
është ta duash një shtet që garanaton popullatën e vet nga toka e qielli.
Fshatrave ua vë zjarrin… Shtëpive… Shkollave… Kishave të të parëve. Zot, u delë
xhamive të Perandorisë osmane me gjysëmhënën në minare… Nuk e shpallë Xhaminë
Shqiptare me Flamurin kuqezi të Skenderbeut në minare?!…
Nëse
do, të duan… Nëse urren, të urrejnë… Nëse vret, të vrasin… Këto janë ligje të
Natyrës. Edhe, të Partive politike. Nuk mund të shkohet kundër Natyrës. Rrymës
së ujit të lumit… Ai që i kundërvihet Natyrës, është i dënuar të zhduket nga
faqja e Dheut. Vallë, a nuk i keni parë disa insekte se si e marrin ngjyrën e
rrethit ku jetojnë, marrin frymë. Thua, ata këtë e bëjnë me dëshirë. Jo.
Atëherë, pse u përshtaten atyre ligjeve?! U përshtaten, ngase duan të jetojnë,
vazhdojnë luftën me Natyrën. Jeta është luftë. Mjerë ai që i dorëzon armët, dhe
e pret vdekjen në mes të udhës…
Natën,
pasmesnate bie në gjumë dhe zgjohem me Zonjën Vdekje. Nuk e di kush cilin e
dhunon, e detyron të bëj dashuri. Burrat me burra, apo gratë me gra. Vetëm një
gjë e di, rrëzë “Çukës” më pret Varri. Nën hije të Rrapit, shtambat me verë.
Gjoku pullali, i lidhur nën hije. Arma e varur në një degë… Cuca Boheme me Dy
shtamba me verë.
- Hi-hi-hiii… Tungjatjeta, zoti
Shkrimtar!
- Tungjatjeta, Cuca Boheme… Ku je nisur
sot kaq herët?!…
- Në mal… E kërkoj një burrë për grua…
Nuk ka këtu burra, zoti Shkrimtar. Jo. Burrat janë në male, ose në gjirin e
partive politike.…
- E vërtetë… Jo vetëm burrat, po edhe
gratë…
- Atëherë, çka presim?! Zonjën Vdekje të
na gjejë në Shtëpi?!… Shtrat…
- Lumë ai, zoti Shkrimtar, që Zonja
Vdekje nuk e gjen në shtëpi… Shtrat, në gjumë… Nuk merret më me “politikë
madhore”, por me arsim dhe kulturë. Poste partiake… Dhe, hajdutëri…
Pasmesnate,
u ktheva në shtëpi dhe e varrosa veten mes librave… Shtambave me verë… Në një
faqe më kishte zënë gjumi…
Mesditë.
I hapa sytë. Dielli më kishte hyrë në dhomë. E kisha bërë gjumin e të vdekurit.
Trung. Asgjë nuk kisha parë, asgjë nuk kisha dëgjuar me veshë gjithë natën në
errësirë.
Edhe
ëndrrat më kishin harruar në dhomë. Një libër ma kishin vënë te koka, një te
këmbët… E mora veten në shpinë dhe e zvarrita deri te Rrapi. Varri im me dy
shtamba verë… Tyrbja e Babashehut, në “Baba Tomor”.
- Heu, Kalosh Çeliku, po sa varre deri me
sot i ke ti, më bërtiti matanë rrugës Cuca Boheme?!…
- Nuk e di… Një, dy, a tre varre…
- Hi-hi-hiii… Dy varre i ka pasur Ali
Pashë Tepelena…
- E di. Po, Kalosh Çeliku sipas romanit
të Luftës ME TRE VARRE (Shkup, 2001), i ka tre varre: kokën në Shqipëri, trupin
në Maqedoninë e Veriut, zemrën në Kosovë…
Dy
ditë nuk dola nën Rrap. E mbylla veten te Livadhi i Babait mes librave…
Shtambave me verë… Edhe, një ibriku me dy çepa përplot me raki rrushi. Në këtë
libër, nga i cili kërkoja shteg për të dalë në male… E hiqja veten zvarrë mes
dhiareve dhe shkurreve, te “Guri Zi” - Dy Lisat binjakë në “Çukë”, ku do ta
përshkoja veten, ta shpëtoj nga magjitë… Marrëzirat… Xhindet, që më mbytën
çotek (dajak) natë e ditë… Ndalem, dhe e pyes veten: ende, jam gjallë mes kaq
shumë rrufjanësh?!… “Patriotëve“ vonuar… Po, kujt duhet t’i falemnderohem
vetes, apo Zotit Madh?!…
Vazhdoj
me mendimet e rrezikshme që më sillen lëmsh në kokë. E tërheqin njëri-tjetrin
në këtë libër. Ndonjëri merr edhe malet. Nuk më dëgjon. Është, kryeneç. I kanë
rrokur armët. Zërin e ngrejnë për Liri.
E
unë, që e vura në shërbim të Atdheut veten dhe pasurinë e Babait. Unë, që vite
me radhë i shëtisja rrugët e Shkupit me Xhip të bardhë kabriolet, tashti eci më
këmbë. Gjithë pasurinë e trashëguar nga im Atë e kisha shndërruar në libra.
Askushi, hiç i hiçit me gen spiun brez pas brezi, tashti shëtiste me makinë
luksoze dhe shiste mend përpara kalimtarëve në këto ditë lufte. E unë atij i
kisha dhënë bukë, e mbaja gjallë, më kishte borxhe…
Askushi
ma tregon edhe rrugën për në “Baba Tomor.” Gabimet gjuhësore. Dhe, ma bën me
dije se: kam vdekur për së gjalli?!
Hi-hii-hiii…
I mjeri, Askushi. Unë kam vdekur tri herë me radhë në jetë. Dhe, jam ringjallë
si Krishti. E kam thënë qindra herë nëpër libra: burgu është vend përmisimi.
Pak vetë kanë dalë nga burgu njerëz normalë me trutë në kokë. Shumica i kanë
lënë eshtrat mes atyre mureve. Dihet, kanë dalë edhe spiunë… Pederë. Ose, të
çmendur. E ndonjëri, edhe patriot… Koha është, shqiptarët më të mos krenohen me
burgun, po me diploma universiteti, vepra letrare e shkencore.
Gabimet
teknike, që mund të ndodhin në gazetat e përditshme, internet, nuk janë edhe të
autorëve. Edhe, nëse ndonjëri e ka bërë me qëllim, ose e ka harruar ndonjë
presje, i ka shtuar fjalës ndojnë ë, që ashtu edhe ashtu i kemi nëpër fjali me
shumicë e pakicë. Punemadhe. Gjuha nuk ka kufi. Me sëpatën e madhe: janë gabime
teknike. Askushi, çohet dhe bërtet në rolin e të gjithëditurit, shetë mend si
gjeli kur ia thotë në majë plehu: gabime fillestari! E ka “zbuluar” Amerikën
para Ameriko Vespuçit. Askushi nuk merret me vepra të arrira artistike
jetësore, por merret me thashetheme pas gardhit me thupra shelgu. Prandaj, edhe
them: merruni me fenomene, e mos u merrni me cikrrime, individë!
Askushi
e ka stazhin e të burgosurit politik: i numron vitet e “studimeve” në burg.
Vuajtjet dhe maltertimet. Dërrasat, që i mungojnë në kokë. Fare pak librat
nëpër rafte në bibliotekë. Edhe, ka lexuar ndonjë libër të “rrezikshëm” në
bibliotekën e burgut: “Tradhëtia” nga autori Kapllan Resuli. Libër i
“rrezikshëm”, të cilin në Prishtinë, ne studentëve përmes “patriotëve” të
policisë na e jepte ditën, dhe herët të nesërmen na e gjente në banesë duke na
rrasur disa vite në burg. Nuk pata guxim ta lexoj gjatë viteve të studimeve atë
libër. Dhe, i shpëtova burgut. Romanin “Tradhëtia” e lexova në Bibliotekën
Universitare në Shkup. Edhe librat tjerë të “armikut rrezikshëm” jugosllav:
“Ushtima e Korabit” dhe “Gjarpëri”. I vetëdijshëm se, edhe këtu përcilleshim
kush i lexon ato libra. Vetëmse, tashti i lexonim në rrethana legale.
Askushi,
në “liri”, pas vuajtjes të dënimit u është rrekur edhe studimeve të Gjuhës dhe
Letërsisë Shqipe në Universitet. Dikushi edhe e ka dalldisur, i ka dhënë
përpara pampurrit: patriot. Gjeni - gjuhëtar. Askushi të nesërmen, që është
larg tyre me qindra kilometra, hedhë gurë e dru mbi shkrimtarë e studjuesë me
bagazh letrar e shkencor: nuk e njohin gjuhën letrare, nuk dinë të përpilojnë
fjalorë drejtshkrimor, fjalorë të gjuhës së sotme shqipe. Edhe Kongresi i
Drejtshkrimit (1972) për “gjeniun-patriot”, është pjellë komuniste. E në anën
tjetër harron se, gjuhën letrare shqipe standarde e kanë krijuar dhe e krijojnë
shkrimtarët shqiptar edhe Sotekësajdite.
Askushi,
i përpunuar nëpër burgje sllave, që deri dje lumit i ka thënë: “reka”. Dhe, jo
lumë, në Ditën e Sotme...


