Nikoleta Kovaçi: Kush e kërcënon policinë?!

Nga
Nikoleta Kovaçi
Në
lagjen teme, iu siguroi se asht lagjja ma e mirë në Shqipni, asht nji lokal
nate! Unë e mësova shumë vonë! Kur kthehesha nga puna në 12 a 1 të natës, në të
ftohtin e dimnit, shihja taxi të rrjeshtuara që sillnin goca të veshura
përgjysmë! Kur pashë që vajzat ngjisnin shkallë hekuri dhe zhdukeshin sa hap e
myll sytë, ma në fund u vetëndriçova se edhe na e kishim nji Club, nga ai lloji
që unë nuk i njoh e as i kam njoftë ndonjëherë. Najherë aty stacionohej edhe
ndonjë makinë policie! Po, ka dashtë Zoti i madh e meqë aty s'ka ndodh asnji
sherr, klubi i natës i lagjes teme nuk përban asnji element kurioziteti për
mue!
Nuk
asht që s'kam mendue shpesh për atë lokal! Po ua them sonte se s'ia kam thanë
kujt asnjiherë: gjithnjë i kam pa e i shoh si një problem real, ose si me
thanë: Zot prite me i ik mendja kujt, e ban hatanë! Por gjithnjë kam mendue se
policia asht në dijeni dhe ç'a do e zezë me ndodh, nuk mundet me ba kërkush të
paditunin!
Gjithë
këto gjana, e shumë ma tepër, se s'mundem me ua thanë krejt, mi ktheu sod nëpër
mend ngjarja e Sarandës: nji shef policie qenka dhunue nga rojet e sigurisë së
nji clubi nate, nga këto clubet që rezulton me një mori rojesh e disa prej tyne
edhe punonjës të forcave tona elitare policore!
Fillimisht mendova se shefin i policisë e kishte sulmue krimi në rrugë,
mandej thashë; ja ma në fund që nji shef policie ban detyrën e hyn mes ca
njerëzve që po bajnë sherr! Manej, u lumturova sa ma s'ka kur policia më
shpjegoi se shefi paska dalë natën me kqyr situatën në qytet!
Por
kur policia më tha se shefi kishte qenë tue kalue rastësisht aty, vërtetë u
tremba: njerëzia e lumtur e ktij vendi mundet me pi ndonjë gotë ma tepër e
mundet me e ba sherrin pa asnji shkak, por lavdi Zotit që kena policë që
kujdesen për jetën e clubistave tanë, që s'dinë ku me e davarit lumturinë e
tyne, por e shkarkojnë nëpër clube nate!
Por
nji pamje tronditëse, ku shefi i policisë bashkë me disa polica të tjerë
qëllonin nji prej rojeve të sigurisë më bani me i thirrë mendjes dhe mos me
pranue asnji version zyrtar policor! Në
fakt gjithmonë i kam pa dhe marrë me rezerva reagimet policore, s'di pse...

Të
ngrihet dorë mbi një efektiv policie asht akt i ulët, po kur sheh 6-7 policë që
gjuajnë sa munden nji qytetar të vetëm asht e neveritshme! S'ka pamje ma të
pështirë, pasi policisë i njeh ligji të drejtën me e prangos, po jo me e prek
me dorë!
Unë,
si ndër të paktët njerëz që e do policinë në këtë vend, që ka iluzione se si
mund të rikthehet në pozicionin që i takon e na duhet, shpesh mendoj se policia
jonë kërcënohet! Madje asht gjithnjë e kërcënueme, e jo vetëm kur lufton
krimin, po edhe kur bashkëpunon me krimin, jo vetëm kur i shmanget implikimit,
por edhe kur emërohet nga implikimi! Sepse krimi, jo ai i rrugës, po ai i
kolltuqeve luksoze e i poltroneve të salloneve mafioze, i kanë emërue
përqindjen ma të madhe të shefave që në rang sektorësh e deri në kupola
drejtorish gjithfaret! Që kur u shpik "policia që duem" e deri sod që
na u dhunue nji shef krimesh, policia
gjithnjë asht kërcënue, herë nga krimi, herë nga oligarkët, herë nga ushtarët
me pushtet, herë nga të gjithë bashkë, e gjithnjë edhe nga vetja...
Ndaj
që të kena nji polici që nuk kërcënohet, shantazhohet e dhunohet na duhet një
polici që nuk kërcënon, nuk shantazhon e nuk dhunon! Ka ardh koha, dreqi e
mori, të bahet në mos gjithë policia, të paktën nji skuadër kështu si e due unë
dhe si e meriton nji popull i mbetun në mëshirë të fatit! Historia e Sarandës
asht histori e njollë turpi! Uroj të jetë dhe të mbetët vetëm kaq!


