Llesh Ndoj: A janë ringjallë kuçedrat?
A JANË RINGJALLË KUÇEDRAT?
-
Një këndvështrim rreth aktualitetit shqiptar-

Kuçedrat
i njohim nga mitologjia. Ato na janë paraqitur si përbindësha nëntokësore të
cilat kanë aftësi të jashtëzakonshme e fuqi të mëdha, kryesisht në përcaktimin
dhe devijimin e rrjedhës së ujërave, përmes të cilave kanë “diktuar” edhe
jetesën e njerëzve në zona të caktuara. Shpesh ato kishin jo një, por dy apo
disa kokë. Për më tepër, edhe po t’ua prisje një, kishin aftësinë për të
rigjeneruar tjetrën. Ballkani, dhe trojet shqiptare po ashtu, janë të njohura
për fushën e mitologjisë. Madje ajo vjen tek ne, jo vetëm si një reminishencë e
së shkuarës apo si përrallë nga e kaluara, e cila duhet treguar thjeshtë për të
zgjuar kureshtjen e njerëzve, por shpesh ne imitojmë dhe krijojmë ngjarje të
tilla, apo edhe veprojmë si ato në jetën e përditëshme. Rasti i kërcënimit të
presidentit serb Vuçiq për devijimin e lumit Ibër në teritorin serb, veprim që
do të rezultonte më kërcënues se vetë lufta me armë zjarri për Kosovën
shqiptare, flet shumë. Ai e thirri në skenë mitologjinë e mbushur me personazhe
negative, kuçedra, për t’a “mposhtur” atë tokë që nuk e mposhti as me luftën e
genocidin shekullorë, që regjimi serb ka ushtruar ndaj tij. Normalisht që unë
bëj pjesë në ata që nuk mund t’a besojnë se një gjë e tillë do të mund të
realizohet aq lehtë e me një të rënë të lapsit në praktikë, nga një njeri që po
tregohet gjysmë i çmendur, dhe që për të shuar etjen e tij, është gati të thajë
gojën e një populli të tërë, ashtu siç besoj se e drejta ndërkombëtare ka
përcaktuar rregulla edhe për rrjedhën natyrore të lumenjëve e se asgjë s’mund
të kalojë në heshtje. Por në radhë të parë, besoj tek vitaliteti i popullit
shqiptarë, që situata si kjo e imagjinuar prej veprimeve të kuçedrës “Vuçiq”,
sigurisht një kuçedër me shumë krena të cilët rigjenerohen sa herë t’i presësh,
nuk mund t’a mposhtin popullin shqiptar të Kosovës, ndonëse e lodhin dhe e
pengojnë atë në rrugën e zhvillimit e të përparimit të qëndrueshëm drejt
objektivave të integrimit me botën e zhvilluar, ku edhe është përcaktuar në
synimet e saj afatgjata. Mirëpo kjo gjendje na bën të tregohemi pak më
realistë, si popull dhe si politikë kombëtare, dhe të kuptojmë se mitologjia s’mund
të jetë thjesht një përrallë nga e kaluara, dhe nuk duhet të neglizhohet,
sidomos nga popuj e vende si ne që jetojmë e rritemi nën muzikalitetin e
përrallave të së shkuarës. Na duhet të kuptojmë dhe të theksojmë se nuk është e
vetmje kuçedra “Vuçiq” në rajonin tonë.
Sa
herë duket se përparimi ynë si komb ia ze dritën e diellit, aktivizohet
“kuçedra greke” e misionit armiqësorë “përrallë nga e kaluara”, me emrin “vorio
- epir” dhe kërcënon seriozisht se “do na lenë me tha eti” për pak Europë, herë
tjetër se ajo do t’na e përpijë edhe detin e se nëse ne hapim gojë, ka në
sirtaret e historisë edhe rezervën tjetër, po aq kuçedër, të ashtuquajturin
“ligj i luftës”, një sajesë e pakuptimtë në origjinën e saj e një folklorizëm
për të qarë e për të qeshur që vazhdon të ekzistoje edhe pas kaq shumë vitesh,
dhe pas një realiteti të rikthyer në trojet e Greqisë, të cilin vetëm ata, të
dehur nga “madhështia” e kuçedrës, nuk duan t’a shohin, ku në ato troje më
shumë flitet shqip (si deri në shekullin e XVIII - të) se sa greqisht. Por edhe
këto “kuçedra”, ndonëse nuk munden me na tha eti, tregojnë se janë aty e se sa
herë iu pritet një kokë, kryesisht nga statusi ndërkombëtarë i Shqipërisë,
nxjerrin një kokë të re. Në fund të fundit, si në fillim të fillimit, ato
kuçedra kanë qenë…, e kuçedra mbeten. Dhe përsëri, nuk janë të vetmet kuçedra
që na kërcënojnë. Ndoshta kuçedrat më të rrezikshme gjenden edhe sot në
“nëntokën” e politikës shqiptare, e cila nuk po gjen forca të shkëputet nga
vetja, e të bëjë atë që duhet bërë në kohët moderne: T’a lerë mitologjinë të
flejë në tekstet e “përrallë nga e kaluara”, e të shohë përpara drejt
horizonteve të reja ku jemi të destinuar të integrohemi. Por edhe këtu
“kuçedrat” nxjerrin kryet sa herë bëjmë një hap përpara, duke na detyruara të
bëjmë dy të tillë mbrapa. Nuk e kam fjalën thjeshtë për kuçedrat që thajnë
lumenj e burime historike natyrore, duke ndryshuar eko - sistemin në mjaft zona, fenomen që shfaqet sa
në veri edhe në jug të vendit, dhe që e ka emrin herë kuçedra “Valbonë”, herë
kuçedra “Mat”, herë kuçedra “Fanë”, herë “Shkumbin” e herë “Vjosë”, ku tunelet
e nëndheshme të kuçedrave, tashmë prej tuba betoni, bartin ujin drejt
rezervuarëve të pangopur të korrupsionit shtetëror dhe s’pyesin në se dikush a
diçka thanë nga etja aty ku ato burojnë e rrjedhin për mijëra vjet, as thjesht
e vetëm për “kuçedrat”, që lëvrijnë nëntokës shqiptare, në Munellë e në
Kalimash, në Batër e Bulqizë, në Fier e Patos e kudo, duke përpirë pasuritë e
saj pa asnjë ndikim zhvillimi në zonat ku ato ndodhen. Kjo duhet thënë edhe për
detin, apo turizmin e kripës e të rërës, për paketën e maleve, apo turizmin e
trojeve, për bulevardin e flamingot, për pozitën e opozitën, për mungesën
totale të ndërgjegjes sonë kombëtare për t’i mbrojtur këto vlera të
padiskutueshme të trashëguara nga e kaluara, dhe për t’i shfrytëzuar me
racionalitet ato, duke menduar edhe për të ardhmen. Është e çuditshme se si
kuçedra “korrupsion” shtrihet kudo gjerizeve të nëndheshme e rrjedhave të
mbidheshme të zhvillimit, duke përpirë gjithçka që do të duhej t’u përkiste të
gjithëve, brezave të së shkuarës, atyre të sotëm e atyre që do të vijnë në këtë
vend. Asgjë tjetër, veç kësaj kuçedre, nuk mund t’a justifikojë realitetin tonë
ekonomik e zhvillimor, relativisht të prapambetur, në stadin ku jemi.
Kuçedrat
ndër ne, nuk janë vetëm pjesë e mitologjisë, por fatkeqësisht pjesë e
mentalitetit tonë jetësor. “Pas meje u bëftë qameti” e thonë me veprime jo
vetëm pushtetarët, as vetëm biznesmenët e mëdhenj e të vegjël, por edhe
njerëzit që jetojnë në varfëri, duke shkelur mbi flori. Ja, a nuk është pjesë e
këtij mentaliteti fakti që për të djegur dy mbeturina të bahqes, njerëzit i
venë zjarrin pyjeve e rrezikojnë edhe jetën e pasurinë për njerëzit e tjerë?
Kuçedra “zjarr” ka gjithashtu kohë që vepron “suksesshëm” në këtë vend. Mijëra
hektarë pyje janë vënë nën flakën e kësaj kuçedre vetëm e vetëm për të liruar
troje në tokat e djegura e për të zhvilluar aty struktura turistike që me një
shtrirje të gjuhës e përpijnë edhe detin, sidomos në Shëngjinin turistik, por
jo vetëm? Nuk mjaftoi kuçedra “motosharrë”, por për një copë vend, ku në vend
të pyjeve të larta mund të rritet bari “për të kullotur lopët”, zjarri i
tejkaloi të gjitha tipet e kuçedrave që ka njohur mitologjia, deri tek ato me
shtatë krena. “Kuçedrat” përpijnë fondet që jepen për zhvillimin e veprave
infrastrukturore në mbarë vendin, ku akoma pa përfunduar një investim, kërkohet
t’i vihen atij objekti në dispozicion fonde shtesë, se ndryshe ai mund të quhet
inekzistent, “kuçedra” përpiu armatimin e teknikën ushtarake të trashëguar për
dekada të tëra, e tash po ajo ka “nxjerrë krye të ri”, e miliona euro duhen për
të arritur nivelin e kërkuar të shpenzimeve ushtarake për të qenë një vend
anëtar i NATO - s, “kuçedra” thith të gjitha paratë e popullit dhe thanë buzët
e pensionistëve që për turpin e shtetit, vazhdojnë të marrin më pak se 150 euro
në muaj, “kuçedra” hedh asfalt elektoral aty ku s’ka frymë njeriu, e i len
qytetet për faqen e vet të zezë.
A
nuk është kuçedra “emigracion”, që ia shteroj burimin e fuqisë punëtore, për
pasojë edhe të zhvillimit, këtij vendi e tash “po thajmë eti” edhe për
kamarierë? Kush mund të thotë sot sa krena ka kuçedra “karrige” apo “pushtet”,
që po na e thanë gjithçka na ka mbetur si mundësi përparimi? Fatkeqësisht ajo
nuk ka veç shtatë krena, por edhe aftësinë për t’i ripërtëritur ata sa herë
rastësisht iu pritet ndonjëri prej tyre. Kuçedër mbetet karriga pushtet,
kuçedër ajo opozitë, kuçedër karriga “pushtet” në Shqipëri, kuçedër ajo në
Kosovë, kuçedër ajo në Maqedoni e të gjitha këto e kanë tharë dukshëm mundësinë
që shqiptaria të triumfojë si dragua e të bashkohet kudo ku jeton në trojet e
veta që t’i thotë botës: - Ne s’jemi pak e s’mund të përpihemi me një të rënë
të lapsit, as nga Vuçiq, as nga askush tjetër, që si ai ëndërron të shkuarën!
Por fatkeqësisht ne “përpijmë vetveten”, edhe pa ndihmën e tyre.
Mos
vallë ne jemi mësuar me kuçedrat e dorëzimi përpara tyre vjen si një fatalitet?
Historitë
apo mitologjitë me kuçedra, gjithnjë kanë dy anë: kuçedrat nga njëra anë si
përbindësha e “personazhe” negative, dhe dragojt nga ana tjetër, apo siç quhen
ndryshe shpëtimtarët. Kudo ku tregohen historitë e tyre, tregohen edhe dragojtë
si personazhe pozitive dhe gjithnjë ata paraqiten si ngadhnjimtarë. Po në kohët
e reja, më duket se ne kemi thirrë në skenë mitologjinë vetëm sa i takon
kuçedrave, duke i imituar e risjellë ato në jetën e përditshme, më shumë si
fatalitet, por jo dragojt. Në fakt, ne menduam se e gjetëm një dragua dhe ia
vumë emrin “SPAK”, por çdo ditë që kalon po meriton të thirret “ASPAK”! Pyetja
që më vjen të bëj tani në hapësirë është: - A do të prodhojë ky truall edhe
dragoj, që “t’ia presin krenat” kuçedrave që na kërcënojnë, sa në një formë në
një tjetër, dhe e thajnë oqeanin ku varka jonë e vogël do të duhej të udhëtonte
me flamurin e saj drejt të ardhmes më të mirë? Më duket hyra në pyll pa sopatë,
me këtë pyetje… Flamurin? A ka flamurë pa flamurtarë? Po ku janë ata që s’po
duken?! “Varka”. Po ne s’prodhojmë as varka, ndonëse prodhojmë flamuj për to.
Nuk di a prodhojmë aspirina, se për të tjerat jo e jo!
E
Marko Rubio paralajmëroi: Pa anije e pa ilaçe, zor se mund të vazhdosh të
luftosh për ekzistencë me “kuçedrat”. - A kishte të drejtë ai? Ngjarjet në
trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e kudo, fatkeqësisht
nuk na lejojnë të shfaqim ndonjë entuziazëm të bazuar, përveçse nëse duam të
rikthehemi në përrallat me mitologji. Ne na duhet t’i tregojmë vetes në radhë
të parë, më shumë pjesën e dytë të mitologjive me kuçedra, atë të dragojve që
zgjohen edhe nga varri për tua prerë atyre kokat, e të mos i lënë këto troje të
bien nën fatalitetin etjesjellës të tyre. E sotmja s’mund të qëndroje pa
themelet e të djeshmes, as pa çatinë e përspektivës, e ndoshta është koha me u
trand nga jermi të gjithë ngapak, e me e kalue gjendjen e agonisë. Sot! Nesër…
është kurrë!
Lezhë,
më 14. 08. 2026


