Llesh Ndoj: Dasma…!

1h më parë

DASMA…!

- Nostalgji dhe kujtime të një kohe -

NGA Llesh NDOJ

Dasmat hyjnë në atë kategori veprimtarie jetësore, ku gëzimi është i gjithëpranishëm, kuptohet çifti i gëzohet kurorëzimit të dashurisë, familja vijimësisë, të tjerët një dite ndryshe, ditë për të mos u harruar mes urimeve pafund, takimeve me njerëzit më të afërm e ndjesisë së ripërtëritjes së jetës. Për prindërit, përveçse gëzim, kjo përfaqëson realizimin e njërës nga detyrat më thelbësore, që ata ia ndjejnë peshën e barrës, ndaj fëmijëve të tyre.

Por dasmat, në kohë të ndryshme, s’kanë qenë gjithnjë kaq të lehta sa sot.

…sapo kisha mbaruar arsimin e lartë ku isha diplomuar me rezultate maksimale, jeta dhe puna e donte që të bëhej edhe martesa. Fejesa ishte kryer afro 8 muaj më përpara, pikërisht më 23 nëntor, datë që asokohe përkujtohej si dita e rinisë, e tashmë duhej hedhur edhe ky hap, disi shpejt, se shtatori na priste për punë e detyra të reja. Theksova më lart se dasma ishte gëzim për shumëkënd, por për familjarët ishte mundë, djersë, shpenzim e plot telashe të tjera. Koha, sidomos në fshat, nuk të afronte asnjë oportunitet. Në vend që të pushoja pas një sezoni të lodhshëm provimesh, sapo u ktheva në familje m’u desh t’i përvishesha punës fizike për sistemimin e vendit, pasi dasma kërkonte një vend të sistemuar më së miri. Pastaj, telash mbas telashi, duhej siguruar mishi, ai që ishte më i domosdoshmi dhe më deficitari për kohën, enët, guzhinierët, krushqit e gjithçka tjetër. Natyrshëm barra më e madhe u binte familjarëve, por edhe unë s’mbetesha pas.

Kur u siguruan të gjitha mrekullisht, “u kujtuam” se s’kishim ende kostumin e dhëndërrit. U bë zhurmë kjo çështje tek familjarët, por jo tek unë. Sa i takon kostumit, çështja për mua ishte e lehtë: nuk di a kisha veshur kostum timin ndonjeherë në jetë, bile edhe foton e diplomës e kisha bërë duke veshur kostumin e një shoku (asokohe fotoshopi s’ishte endë në modë, sepse sot të veshin e të xheveshin si të duan!), prandaj nuk merakosesha fare lidhur me të. Mirëpo puna e donte edhe atë. U bë si u bë dhe një kostum i vllait u gjend si më i përshtatshmi, vetëm për atë ditë.

Koha kishte ndryshuar disi, por jo ende plotësisht. Dhëndrri mund të shkonte krushk, por nusja do të vinte me rroba mirditore dhe e shoqëruar nga e ëma, apo krushka. Nata mes të shtunës dhe të dielës u kthye në një natë zbori për të gjithë. Burri i urtë Gjin, i përzgjedhuri ynë si krushk i parë, nuk toleronte asgjë. Në 2 të natës na u dha komanda “për marshim”. Më pak se 4 orë udhë e ora 6 e mëngjesit, na zuri tek miku. Pas dy orëvësh atje, të nderuar sa s’thuhet dot me fjalë nga mikpritja e atyre njerëzve fisnikë e bukëdhënës si ata, morëm udhën e kthimit. Në Qafë Hebe, na doli përpara makina, e cila kishte mbërrit deri aty më shumë pa udhë, se për udhë, kështu që i lamë mushkat bashkë me kujdestarin e tyre, të paharruarin Pashk, dhe i hipëm makinës, por te shtëpia mbërritëm dy palët njëherësh.

O Zot!

Vërtetë për herë të parë (jo të fundit!), po ndjeja keqardhje për nusen. Në pikun e vapës së korrikut që të përcëllonte, ajo ishte e veshur me veshjen e rëndë tradicionale mirditore, e më dukej se xhupi i saj po më rëndonte edhe mua. Si të mos mjaftonte kjo, duhej edhe të nusëronte përpara dasmorëve, në rreze të diellit për disa orë pa pushuar. Po të mos ishte zemërgjerësia e krushkut të parë, Gjinit zemërmirë, ndoshta kjo do të kishte zgjat edhe më gjatë, por ai, gjithë elokuencë, u kërkoi leje dasmorëve që nusja të futej brenda, se ishte lodhur, ndërkohë që ata mund të këndonin dhe vallëzonin sa të mundnin.

***

Rastësia e solli që 34 vite më vonë, vetëm me diferencën e një dite, të planifikoja dasmën e tim biri. Plane të mëdha, gëzim sa s’ka, mundësi materiale e financiare të plota, por atëhere në mes hyri “e padukshmja”, tinëzarja... Ishte viti 2020 e virusi i çmendur covid -19, “komandonte” gjithë botën. Më komandoi edhe mua drejt Purgatorit, prej të cilit s’di ku do kisha përfunduar, në Ferr apo në Parajsë, po të mos ishte mjekësia që shpesh ne e anatemojmë pa të drejtë. Kovidi m’i reduktoi dhunshëm të gjitha ceremonitë e dasmës, por për fat nuk na e ndërpreu gëzimin e ripërtritjes së familjes e të jetës. Dhe kjo ishte mjaft!

Gëzime e dasma, me shpresë të perëndisë do bëjmë përsëri…

***

Sot, nga distanca e 40 viteve prej datës kur u martova me një dasëm fshatçe, as unë nuk mundem t’i bëj krahasimet me atëhere, kurse brezi i ri as nuk ka pse e mundon veten për një gjë të tillë, sepse gjithçka sot t’a mundëson paraja, atëherë le të kishe sa të duash para, punët do të duhej t’i bëje vetë me ndihmën e më dashamirësve tuaj. Sot çiftet ndryshojnë nga 3 - 4 kostume në harkun e pak orëve dasëm, atëherë s’kishe as ku t’i merrje, por as me çfarë t’i bleje, sot gjithçka, me të drejtë, bëhet që të gëzoje çifti, atëherë duhej bërë gjithçka të mos turpëroheshe me dasmorët, kurse çifti nuk di a kishte ndonjëherë “të drejtën” të gëzohej e t’a shprehte atë që ndjente në publik, sot familjarët shpesh kthehen në njerëzit më kërkues për “vend e respekt”, atëherë gëzimi i tyre ishte kur nderoheshin të ftuarit, sot nuset vishen “gjysmë transparente”, atëherë mbanin xhupin veshur edhe në korrik e në gusht…

Atëherë dasmat bëheshin vetëm të dielash, e vetmja ditë pushimi, nëse nuk qëllonte ditë aksioni, apo më vonë “Dita e Enverit”, si lehtësim pjesmarrje për të ftuarit, ndërsa sot dasma bëhet kurdo, se pushime ka plot, e punë ka pak. Dikur, për ata që s’kishin asnjë detyrim shërbimi, përveç pjesmarrjes, thuhej se shkojnë në dasëm “me lugën në brez”. Po sot? Lugë jo, por përsëri duhet diçka me vete, veç parave, ku pasunarë pa djersë të bëjnë të skuqesh me atë peshqesh që planifikon të lësh ti. Kur sheh të hidhen miliona që shkilen me kembë, të vjen t’u kërkosh falje atyre 50 a njëqind mijë lekëve tuaja, kursyer me shumë vështirësi për atë ditë, në mos… edhe të marra borxh! Por duhen me vete edhe “tapa për veshët” nëse nuk don që të shurdhohesh nga orchestra dhe bisedat me zë të lartë. Dikur, kur dikush këndonte dhe as miza nuk pipëtinte, në mënyrë që të gjithë t’a dëgjonin, ndërsa sot muzika në kupë të qiellit nuk konkurohet dot, e në se nuk don të nos rrezikosh, tapat e veshëve duhen me vete. Sidomos ato lodrat, apo tupanat, që mirditasit s’i kanë patur traditë, t’i shkulin edhe zorrët e barkut, e një javë pas mbetesh me “të përziera”.

E vetmja gjë që për fat s’ka humbur, është gëzimi i vijimësisë së jetës e kjo nuk është pak. Nga distanca e 40 viteve kohë fizike, e shekujve si konceptim, unë ndjej knaqësi, sa herë dëgjoj për martesa të të rinjëve, dëshpërohem kur djem 40 - vjeçarë më thonë: - Jam ende i ri për t’u martuar!, e mërzitem pa fund kur me lehtësinë e një loje shahu, shumë prej çifteve përfundojnë në dyert e gjykatave për ndarje. Jeta s’ka qenë, s’është as nuk do të jetë kurrë fushë me lule dhe martesa, përtej gëzimit të ligjshëm, është detyrë hyjnore e përgjegjësi para Zotit, familjes e shoqërisë, ndërsa dasma… Ajo është një rit, që mund edhe të mos bëhet. Mjafton betimi në kishë, betimi para autoritetit të pushtetit lokal e regjistrimi në zyrat e gjendjes civile, pa patur nevojë për spektakle që shpesh kthehen në shfaqje artistike, e ku as njerëzit nuk ndjejnë ndonjë kënaqësi. Paraja pa hesapë, muzika shurdhuese, formalitetet marrafrymëse, mund të lihen menjëanë e dashuria të mbetet thelbësore.

Dikur dasmat na bënin të ndjeheshim më të afërt mes nesh, sot “puthemi por s’përputhemi”, si e thoshte dikur profesori i nderuar Aleko Xoxa: Domethënë shihemi po nuk njihemi, oportunitet që dikur ishte atributi më i qënësishëm (veç çiftit!) në një dasëm.

28 korrik 2026