Idriz Zeqiraj: Shmangia e krizës në LDK përmes analizës së sinqertë
SHMANGIA E KRIZËS NË LDK, PËRMES ANALIZËS TË SINQERTË
"Shkarkimi i mundshëm i kryetar Lumirit, e
dërgon vendin në zgjedhje të serishme"

Opinioni shqiptar në përgjithësi, anëtarësia e
LDK-së, në veçanti, janë të shqetësuar për kërkesën e klanit të Isa Mustafës,
për mbajtjen e Kuvendit shkarkues të kryetarit legjitim, Lumir Abdixhiku, për
tri arsye:
E para, shkarkimi i mundshëm i kryetar Lumirit, e
dërgon vendin në zgjedhje të serishme, sepse grupi i të pakënaqurve janë të
shantazhuar nga PDK-ja, duan t`i bashkohen opozitës PAN-iste, me shpresën se
një palë zgjedhje të tjera, do ta zvogëlojnë përqindjen fituese të
Vetëvendosjes me aleatët e saj. Dhe, së bashku me Listën Serbe, do të vinin në
pushtet;
E dyta, klani i Isa Mustafës ka përjashtuar
mundësinë e koalicionit apo të bashkëqeverisjes të LVV. Kjo është dëshmuar me
rrëzimin e Qeverisë Kurti-1, kur kryetari Isa Mustafa aprovoi porosinë e
emisarit Richard Grenell, duke numëruar ditët nga lart-poshtë: 8,7,6,5, duke
mos pritur 4 ditët tjera! Kujtoni rrëfimin e shefit të Grupit parlamentar,
Arben Gashi. Pjesë e kësaj ujdie, dakoordimi ishin edhe kryetari i
social-komunistëve shqiptarë, Edvin Rama dhe presidenti serb Vuçiq;
E treta, dihet botërisht se Isa Mustafen e
katapultoi në krye të LDK-së Hashim Thaçi me SHIK-un e tij. Kjo e vërtetë
absolute është fiksuar në foto, kur anëtarët e SHIK-ut ngjisnin afishet në
muret e Prishtinës: "Ose Isa kryetar i LDK-së, ose do të kallet Selia
Qendrore e LDK-së dhe objekte tjera!"
Pse kjo preferencë e argatëve të PAN-it brenda
LDK-së?! Sepse përgjatë të qeverisjes PDK-LDK, eksponentët kryesorë të LDK-së u
korruptuan nga Hashimi dhe ShIK-u i tij, u bënë hisedarë në biznese të
leverdishme dhe u betonuan në drejtimin e LDK-së. E gjithë kjo miqësi në
aleancë PDK-LDK, u bë në kundërshti me vullnetin e shqiptarëve, të popullit, të
elektoratit, të anëtarësisë, të Këshillit të Përgjithshëm, Grupit të
Deputetëve, madje edhe të vetë Kryesisë të LDK-së!! Pothuaj se, gjithëçka
vendoste rrethi vicioz i kryetarit.
Kryetari i katapultuar nga PDK-ja, Isa Mustafa,
heshturazi amnistoi dhe rehabilitoi krimin dhe kriminelët, edhe pse ishte i
mirë informuar për serinë e vrasjeve politike, për hajnitë masive zyrtare, për
kontrabandën galopante, të cilën Drejtoria e Doganave të Kosovës, e vlerëson
dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit në shumë miliarda euro, sepse ajo bëhej
me "shlipera", "teretnjaka", maune, gjithnjë në koordinim
me bandat serbe, sidomos me "Listën Serbe".
Siç e ka denoncuar këtë veprimtari kriminale
zyrtare DASH amerikan, në krye të kontrabandës ishin bandat e
"komandantëve" të Kosovës dhe krerët e Listës Serbe të Veriut të
Kosovës. DASH shpalli "non grata" disa nga krerët kontrabandistë
serbë dhe 16 shqiptarë, por, për habi, disa emra i kurseu nga publikimi.
Kërkesa e një grupi të pakënaqurish, për një Kuvend
shkarkues të kryetarit legjitim, pa zgjedhje paraprake, është krejt i pakohë.
Së pari duhet përfunduar me koalicionin e mundshëm, tashmë, të filluar me LVV,
për ta përmbyllur procesin institucional. Dhe, mbi të gjitha, është një
"Kuvend " qëllimkeq, me emërtesë i "jashtëzakonshëm", edhe
pse nuk përkon me realitetin.
Thirrja e këtij Kuvendi, po shoqërohet me një
propagandë mashtruese dhe tërësisht rrenacake: "Kërkesa për shkarkimin e
kryetarit Lumir Abdixhikut është nga anëtarësia", - thonë klanorët e
Mustafës.
Kjo është gënjeshtër e kulluar! Përkundër kërkesa
është dërtuar dhe nismuar nga titullarët partiakë, në koordinim të hershëm me
PDK-në, për dy qëllime bazë:
1) Pengimin e bashkimit dhe të profilizimit të së
djathtës të Kosovës, e cila do të ishte një krye-kauzë për ngritjen e partisë
të Presidentit Rugova dhe kthimin në identitet të LDK-së, tashmë të zvetënuar,
deri në prag shuarje, nga argatët e Hashimit me shokë. Ata duan bashkimin e
përhershëm politik me PDK-në, për t`i kthyer "komandantët" në
pushtet;
2) Klanorët e Mustafës duan pa pengojnë, madje me
çdo çmim, koalicionit të LDK me LVV, si dy partitë të vetme parlamentare të
pakriminalizuara.
Është hipokrizi të thuhet se "kjo kërkesë nuk
është e orientuar kundër askujt!?"
Përkundrazi, kërkesa ka adresë, madje me aksion të
organizuar, për ta linçuar Lidershipin aktual dhe sidomos Dr. Vjosë Osmanin.
Ndërsa me 25 maj 2015, kur ajo sfidonte Isa
Muatafen dhe delegatët e Kuvendit të 8-të "zgjedhor", të LDK-së, duke
bërë zgjedhje aklamative, të hapura, me ngritje dore, për ta rizgjedhur
kryetarin Isa Mustafa, patericë të Hashim Thaçit, duke e dobësuar dhe rrënuar
LDK-në, këta të mërdhezurit e sotëm për Kuvend përçarës shkarkues, refuzonin
Vjosë Osmanin, si zëri i vetëm në mbrojtjen e LDK-së dhe të rugovizmit,
të ngulfatur nga kreu i atëhershëm të partisë dhe PDK-ja.
Vjosë Osmani, me pak delegatë, sa gishtat e një
dore, protestonte për ndalimin e debatit dhe përjashtimin e votimit të fshehtë!
Klanorët e Mustafës justifikojnë nismen e tyre, për
veprimin shkatërrues të LDK-së, gjoja, "partia mbeti në vendin e
tretë!"
Por kryetar Lumiri ashtu e gjeti. Dhe, kur po
mobilizohej për ta ngritur atë, puçistët bojkotuan dhe sabotuan dy palë
zgjedhje radhazi, me qëllim që ta përgatisnin shkarkimin e kryetarit
Abdixhikut. Për këtë kishin mbështetjen e PDK-së dhe të armiqve të Kosovës.
Andaj, edhe nxitohen për ta bërë një palo-Kuvend "shkel e shko!"
Reflektimi dhe ndryshimi është bërë me 14 shkurt
2021, kur LVV me aleatë, i shporri nga pushteti PAN-in kriminal dhe
parashutistin e Hashimit, patericë e PDK-së, Isa Mustafen.
Opozita PAN-iste ka klientelë elektorale, goxha të
garantuar:
a) Shumësinë e 85 mijë të nëpunësve shtetërorë;
b) Shumicën absolute të 45 mijë
"veteranëve" të rrejshëm;
c) Anëtarësinë numerike të tri organizatave ilegale
kriminale: SHIK, "Shqiponjat e zeza", BIA (kosovare, me qendër Llap e
Gollak).
d) Ndërkohë edhe LVV po krijon klientëlen
elektorale sociale.
I vetmi subjekt politik që nuk ka provuar të këtë
klientelë elektorale është LDK-ja.
Mendoj se në vend të "Kuvendit", duhet
mbajtur një mbledhje e Kryesisë, duke ftuar edhe deputetët, kuadro dhe
veprimtarë rugovistë, të anashkaluar nga kryetarët pararendës, por të
anashkaluar edhe nga kryetari aktual!?
Ndërsa prania në takim e delegatëve të KP, nuk
është e nevojshme, sepse shumica janë të manipuluar nga shefat e tyre. Madje,
pas Kuvendit të 7-të të LDK-së e këtej, delegatët e Këshillit të Përgjithshëm
nuk janë vënë në garën e votimit të fshehtë. Pra, janë të paligjshëm, sepse janë
të emëruar, të listuar dhe të votuar në grup, me aklamacion, votim i hapur, me
ngritje dore.
Në ketë takim pune, nëse nuk u pritet "të
pakënaqurve" për afatin normal kohor zgjedhor, të mendohet për një datë më
të afërme, por assesi pa zgjedhje paraprake.
Çështje kryesore që duhet t`i trajtonte me parësi,
duhet të mbizotëronin:
1) Të hiqet nga agjenda shkarkimi i kryetarit
aktual;
2) Të autorizohet Lidershipi aktual, për të
vazhduar konsultimet me pozitën fituese, për mundësinë e koalicionit LDK-LVV;
3) Të ndryshohet statuti i imponuar nga tandemi
Isa-Hashimi, i cili e çoi LDK-në në theqafje;
4) Të ndryshohet rregullorja zgjedhore;
5) Të kufizohen kompetencat e tepruara të kryetarit
të LDK-së;
6) Nisma e bashkimit dhe profilizimit të së djathtës
të Kosovës, të bëhet krye-kauzë e LDK-së, si garanci për ngritjen e partisë;
7) Të krijohet komision i përbashkët për
përgatitjen e zgjedhjeve, përfshi edhe palët në kundërshti, duke i aktivizuar
edhe të hatëruarit, që nga amshimi i Presidentit Rugova dhe deri me sot...
Propaganda se thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm
shkarkues, vjen nga poshtë, nga anëtarësia, është i shpikur dhe i shpifur nga
tellallët e PDK-së, është kurdisje qëllimkeqe dhe neveritëse.
Përkundrazi, anëtarësia është e revoltuar se
argatët e shantazhuar nga PDK-ja, po tentojnë përçarjen e LDK-së, deri në
ndarjen e radhës të saj.
Dy paraqitjet televizive të kryetarit Lumir
Abdixhikut kanë qenë faktike, argumentuese dhe bindëse:
- herën e parë, pas zgjedhjeve të fundit, me ç`rast
denoncoi sabotimin nga klanorët e Isa Mustafës;
- herën e dytë, pas aktivizimit të këtij klani, në
shërbim të PDK-së, për shkarkim arbitrar të kryetarit të ligjshëm.
Në bisedat televizive kryetari Abdixhiku premtoi se
do të organizohen zgjedhje të rregullta, ndryshe nga herë të tjera, me debat të
shpenguar demokratik dhe votim të fshehtë, për të gjitha nivelet e strukturave
partiake, që nga baza dhe deri në qendër, si dhe shumëçka tjetër në drejtimin e
LDK-së.


