Milazim Zeqiraj: LDK pas Rugovës

Nga
Milazim Zeqiraj
Pas
ndarjes nga jeta të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, më 21 janar 2006,
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhej ta ruante unitetin, frymën dhe
vizionin rugovian. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi.
Kryetarët
pasues, z. Fatmir Sejdiu dhe z. Isa Mustafa, drejtimin e partisë e morën me
zhurmë. Gjatë udhëheqjes së tyre u krijuan përçarje të brendshme dhe ndarje që
e dëmtuan rëndë LDK-në.
Në vend
të forcimit të unitetit dhe vazhdimit të filozofisë politike të Rugovës, ata në
strukturat e larta të partisë instaluan individë pa karrierë politike në LDK.
Prurjet e reja filluan të dominojnë në parti dhe krijuan grupacione për
interesa personale, duke e harruar vizionin politik dhe reformën. Grupacionet e
dobësuan partinë dhe kohezionin e saj. Përçarjet në Kryesi ndikuan negativisht
edhe të anëtarësia.
Një
ndikim jo të mirë patën edhe koalicionet qeverisëse, të cilat, për një pjesë të
anëtarësisë, nuk ishin në përputhje me orientimin tradicional të LDK-së. Gjatë
këtyre qeverisjeve, LDK tregoi një standard të lartë në udhëheqjen e shtetit.
Përkundër
gjithë kësaj, partia u sulmua nga grupe brenda saj, por edhe nga kundërshtarët
politikë, duke iu atribuar përgjegjësi për çështje si Asociacioni i komunave me
shumicë serbe, demarkacioni me Malin e Zi dhe korrupsioni. Nga këto akuza,
LDK-ja kurrë nuk arriti ta bindte opinionin publik, i cili, sipas saj, ishte
manipuluar nga e majta.
Këto
akuza nuk ishin përgjegjësi reale e partisë, megjithatë ato ndikuan në opinion,
sepse në publik nuk u sqarua asnjëherë në mënyrë të plotë roli i LDK-së në
krijimin e Asociacionit dhe në procesin e demarkacionit me Malin e Zi.
LDK dhe
koalicionet qeverisëse
Në
qeveritë e koalicionit, puna e LDK-së u vlerësua nga opinioni si konstruktive
dhe në të mirë të vendit.
Në të
gjitha rastet kur LDK ishte në koalicion, partnerët ndërmorën mocione kundër
qeverisë, duke i injoruar marrëveshjet e arritura me LDK-në, ndërsa ajo ishte
korrekte ndaj marrëveshjeve dhe angazhimeve të marra.
Gjatë
kësaj periudhe, kundërshtarët politikë, duke parë kundërshtitë brenda LDK-së,
ushtruan presion politik, e në raste të caktuara edhe dhunë ndaj Kryeministrit
dhe institucioneve të Kosovës, me qëllim dobësimin e partisë dhe përçarjen e
elektoratit të saj.
Thellimi
i krizës në LDK
Kriza
në LDK u thellua veçanërisht gjatë qeverisjes me LVV-në. Sipas shumë të
dhënave, kriza në qeveri nuk buronte nga qeverisja, por filloi kur Kryeministri
z. Albin Kurti e shkarkoi z. Agim Veliun.
Kriza u
thellua edhe më shumë kur administrata amerikane e kërcënoi Kosovën me
tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova.
Këto
ishin arsyet që LDK të dilte nga qeverisja me LVV-në. Ky koalicion zgjati vetëm
rreth 50 ditë. Sipas shumë anëtarëve të LDK-së, ky ishte një nga momentet më të
vështira në historinë e partisë, por vendimi u mor për të mirën e vendit.
Më pas
u krijua Qeveria Hoti, ku disa deputetë të LDK-së ishin kundër këtij koalicioni
me AAK-në.
Kjo
qeveri punoi mirë, por ra pasi një deputet, vota e të cilit kishte qenë
vendimtare për formimin e saj, u shpall se nuk ishte certifikuar në përputhje
me rregullat.
Ndarja
e madhe e LDK-së
LDK
veproi për të mirën e vendit, por u ndëshkua nga një pjesë e anëtarësisë së vet.
Pas
rrëzimit të Qeverisë Kurti, LDK përjetoi një ndarje të madhe politike, ku një
pjesë e figurave të larta të saj u larguan dhe më vonë u rreshtuan në kampin
politik të LVV-së, duke u bërë krah i kundërshtarit dhe kritikut të ashpër të
Presidentit Rugova dhe të LDK-së.
Dorëheqja e z. Isa Mustafa
LDK, në
zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021, u ndëshkua rëndë nga elektorati i vet dhe
partia pësoi një rënie prej 12%. Atë e votuan rreth 111.000 anëtarë mbështetës
besnikë të LDK.
Pas
rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare, z. Isa Mustafa dha dorëheqje nga
posti i kryetarit të LDK-së. Dorëheqja e tij krijoi një standard të ri politik
brenda partisë: Një akt moral dhe demokratik kur kryetari merr përgjegjësi dhe
largohet nga detyra. Kjo u pa si një akt i përgjegjësisë politike dhe një
praktikë demokratike.
Pas
dorëheqjes së tij, në krye të LDK-së u zgjodh z. Lumir Abdixhiku. Zgjedhja e
tij riktheu shpresën të një pjesë e elektoratit, pasi ai premtoi reforma të
thella, një qasje të re politike dhe deklaroi: se, në rast të një rezultati të
dobët zgjedhor, si kryetari do të japë dorëheqje.
Të
gjitha këto krijuan një frymë pozitive në anëtarësi
dhe në zgjedhjet lokale të vitit
2021, LDK-ja arriti një rezultat dukshëm më të mirë, duke krijuar përshtypjen
se partia kishte rifituar energjinë dhe besimin e një pjese të qytetarëve.
Në
vitin 2021, LDK-ja gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e znj.
Vjosa Osmani Presidente e Republikës së Kosovës, bartëse e listës zgjedhore të
LVV-së.
Znj.
Vjosa Osmani, deri në zgjedhjet e vitit 2021, ishte anëtare e Kryesisë së
LDK-së, kandidate për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019, kryetare e
Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së Presidentes pas dorëheqjes së z.
Hashim Thaçi. Të gjitha këto funksione i kishte ushtruar si anëtare e LDK-së
dhe në fund, pa hezitim, me votat e LDK-së u zgjodh Presidente e vendit, me
kusht që ta zbatonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Opozita
nën udhëheqjen e z. Abdixhiku
LDK-ja ndërtoi
një opozitë aktive dhe prezantoi platformën politike për qeverisje me sloganin "Rruga
e Re".
Megjithatë, sipas kritikëve brenda partisë, reformat e premtuara nuk u realizuan në masën e pritur. Ata, në emër të reformës, i margjinalizuan ose i larguan nga strukturat drejtuese shumë anëtarë të brezit të parë të LDK-së, të cilët kishin kontribuar në themelimin dhe ndërtimin e saj, me arsyetimin se partia duhej bërë më atraktive për brezin e ri.
Pas një opozite të mirë, LDK në tri
palë zgjedhje nuk arriti rezultatin e pritur.
Pytja e anëtarësisë ishte ku qëndron gabimi ?
Partia me udhëheqjen e re solli optimizëm dhe një rritje të përkohshme të besimit. Debati mbi reformimin e partisë dhe rikthimin e plotë të parimeve rugoviane mbeti i hapur. Në tri palë zgjedhje radhazi nuk u arrit rezultati i pritur.
Disa kritikë rezultatet e dobëta zgjedhore në zgjedhjet e fundit i lidhin edhe me koalicionet e mëparshme me PAN-in dhe me LVV-në. Sipas tyre, këto koalicione e kishin dëmtuar identitetin politik dhe bazën tradicionale të LDK-së.
Në të njëjtën kohë, krizën e tanishme e lidhin me faktin se një grup preferon koalicion me PDK-në, ndërsa grupi tjetër preferon koalicion me LVV-në. Këto mendime konsiderohen të pabazuara.
Në këto momente, LVV-ja nuk ka nevojë për koalicion për krijimin e pushtetit, andaj këtu nuk shihet forca e LDK-së në krijimin e qeverisë.
Sa i përket institucionit të Presidentit, mendoj se partia ka forcë, por me kusht që kandidati të jetë nga LDK-ja, për të mos e lënduar anëtarësinë.
Arsyeja e thirrjes së Kuvendit të LDK-së për shkarkimin e kryetarit
Pas humbjeve të fundit, mungesës së analizës zgjedhore dhe mungesës së reflektimit nga kryetari, delegatët, nën presionin e anëtarësisë, u detyruan të siguronin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit.
Pas përfundimit të procedurave statutore të partisë, z. Lumir Abdixhiku e thirri Kuvendin për datën 30 korrik 2026.
Për anëtarësinë e gjerë të LDK-së, më e rëndësishme sesa shkarkimi ose mosshkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku është ruajtja e unitetit të partisë dhe reflektimi pozitiv në anëtarësi.
Kryetari ka dhënë maksimumin e tij
politik, por fakti mbetet se LDK-ja prej vitesh renditet si forca e tretë
politike në vend. Prandaj, sfida kryesore nuk është vetëm ndryshimi i
individëve në udhëheqje, por rikthimi i partisë rreth frymës rugoviane, e cila
përfaqëson një nga vlerat themelore të shtetformimit dhe shtetndërtimit të
Kosovës.


