Llesh Ndoj: Të gjithë aktorë! Kush është regjizori?
Të gjithë aktorë! Kush është regjizori?
-
Në ditën e fitores mbi fashizmin, na ka mposhtur e keqja brenda nesh -

9 Maji, Dita e madhe e fitores së forcave përparimtare ndaj
forcave nazi - fashiste të errësirës në shkallë botërore, më risolli në mendje
kontrastin e madh, apo iluzionin e kësaj fitoreje, nisur nga gjendja aktuale ku
fatkeqësisht arena botërore është rikthyer në skenarët e e rinj të luftës. Jo
asaj të “ftohtë”, por luftës reale e ndoshta më të nxehtë se kurrë, pasi
rreziku i një kolapsi energjetik dhe atomik kërcënon dukshëm gjysmën e globit.
Pas asaj fitoreje me rëndësi botërore, një pjesë e botës, duke i duartrokitur
ato lejoi që e keqja të lindte e të forcohej çdo ditë, dersa tano afro tetë
dekada më pas jemi afërsisht aty ku ishin etërit e Europës në vitin 1945. Megjithatë
teatri vazhdon. Aktori real i spektakleve të dikurshme, sot është presidenti i
botës, ndërsa ariu polar në krahun tjetër, nga prapaskena lëviz fijet e
fshehta, në teatrin e kukullave ku teoricienë gjithfarësh thurin lëmsha
demokracie. Gjithçka si në një teatër apo si në një ballo me maska, e ne
spektatorët që duartrokasim, shpesh pa e kuptuar se ç’nënkupton zgërdhimja e
aktorëve kryesorë. Po regjizori? Ai nuk duket askund, është fshehur brenda
etjes për pushtet të pakufizuar, etjes për pasurim të pakufizuar, etjes për
dominim edhe mbi vetë Krijuesin, duke e paraqitur veten si shpëtimtarë të
botës.
Le të kthehemi me syrin tonë vëzhgues tek bota e vogël (në
fakt e madhe!) shqiptare. Ishim krenar se në 1945-n ishim pjesë e koalicionit
më të madh përparimtarë të kohës, por kjo nuk mjaftoi që së keqes t’i mbyllej
dera. Nën duartrokitjet tona e me tufa lulesh ndër duar, kultivuam për
pesëdhjetë vite një të keqe me pasoja sa e si ajo që menduam se u mbyll në
vitin 1945, por edhe sot nuk jemi larg. Qofsha unë i gabuar në perceptimin tim,
por më duket se ngjarjet në të gjithë botën shqiptare sot zhvillohen si në
ndonjë skenë të hapur teatri, ku të gjithë aktrojnë në mënyrën e tyre dhe
askush nuk e njeh regjizorin. Prej vërteti këtë shfaqje e konsideroj si pengesën
thelbësore, pse përparimi ynë në rrugën e zhvillimit e të krahasimit me kombet
e përparuara të botës, ngjanë me hapin e breshkës, apo më keq akoma, bën një
hap para e dy hapa pas. Dhe më e bukura është se të gjithë në këtë “skenë”
gjigande luajmë si hije dhe njëkohësisht duartrokasim veten, tamam si robotë.
Po të qënit njerëz realë, ku ka mbetur?
Le të shohim përciptas ngjarjet në Shqipëri, atë copë të
cilën e kanë lejuar të huajt si skenë eksperimentale të këtij teatri absurd.
Ne, të qeverisurit, aq sa kemi mbetur si gjysmë invalid për të jetuar në këtë
vend, vetëm duartrokasim. E bëjmë këtë edhe kur protestojmë e hedhim molotovë,
e bëjmë në festat e 1 Majit dhe në 8 Nëntor, por edhe në 8 apo 12 Dhjetor… Po
t’a pyesish publikisht një popull dosido, menjëherë do të marrësh miratimin e
tij publik se kështu si jemi, jemi ok, ndërsa nuk mund të mos vëresh hapur
hutimin e tij, bashkë me rrotullimin e syve rreth e përqark, se mos në atë
moment ndonjë kamera është fokusuar dhe e regjistron fytyrën e zërin e tij
real. Nëse e josh me kujdes, duke bërë edhe ti opozitarin dhe duke e shmangur
diku jashtë “syrit vëzhgues” (edhe ky një iluzion, pasi në fakt të gjithë
kujtojmë se jetojmë në një “Big Brother” gjigant!), ai duke e mbuluar pjesën e
gojës me dorë nga frika se ndonjë kamer e fshehtë mund t’i interpretojë
lëvizjet e buzëve (zakon ky i huazuar nga futbollistët në fushë, kur shajnë
kundërshtarin dhe duan t’i shmangen ndonjë dënimi!), prej tij mund të marrësh
edhe më shumë opozitarizëm se sa vetë ti e mendon si opozitarë. Aktrojnë kështu
të majtë e të djathtë, a më mirë të themi si ata që hanë pshesh në mashtërkun
qeveritar, ashtu edhe ata që ushqehen me “me kinse” opozitarët. Bile ky kufiri
pushtetarë - opozitarë, ka pësuar edhe vetë një transformim real. Nga të dyja
palët, ajka e tyre, jo në kuptimin cilësorë të fjalës por të pozitës që mbajnë
pa asnjë meritë, janë krejt me pushtet dhe rjepin taksat tona si “pabuksa” që
jemi, ndërsa ne të tjerët, sigurisht shumica, na kanë “injektuar” një chip,
s’dihet kur, ku dhe si, ndoshta bashkë me “vaksinat” e përditshme të hale -
mediave, chip i cili na bën të aktrojmë si aktorë - robotë në skenën e servirur
prej tyre. Por, nuk jemi vetëm ne shqiptarët e Shqipërisë së mbetur kështu!
Fatkeqësisht të njëjtat role e në skenën e ngritur nga
qeveritarët, luajnë edhe vëllezërit tanë në Kosovën e lirë nga të huajt e “të
pushtuar” nga vetja. Kosova e kosovarët që për shumë vite luajtën si aktorë
realë në skenën e jetës, bile me shumë qëndresë e heroizëm, sot janë kthyer në
një si “teatër kukullash”, ku ato që shihen në skenë luhen nga fije të
padukshme në prapaskenë, brenda e jashtë Kosovës. Për pushtet të një pakice
edhe atje anashkalohet shteti e shtetformimi, dhe të gjithë e duartrokasin këtë
si një shëndetësim demokratik të shoqërisë kosovare. Po për ç’shëndetësim
demokratik flasim, kur pushtetarët qeverisin pa mandat e pa dhënë llogari,
kurse opozitarët janë të lumtur me ndonjë biznes që i pasuron, gjithnjë me leje
qeveritare. Opozita e vërtetë, populli votues, ose është larguar në drejtim të
paditur për në emigracion, ose jeton “i lumtur” në Kosovë, mjafton që në derë
të mos i trokasë milici a paramilitari serb. Jo se kjo është pak, por se afro
tri dekada pas fitores së madhe të Lirisë, kjo s’është më as minimumi, jo më
optimumi i asaj që duhet të kërkojnë ata.
Ngjarjet në Maqedoninë e Veriut për shqiptarët komb
shtetformues, nuk është se bëjnë ndryshim. Shqiptarët gëzojnë ligje të shkruara
shqip, por vuajnë të drejtën për të jetuar si shqiptarë. Opozita thotë, se bëmë
luftën e tash kemi të drejtën t’i shijojmë arritjet, edhe me ndonjë shkelje
syri qeveritare, bashkëpushtetarët me maqedonasit u thonë votuesve: - Rrini
urtë, se dje ishit edhe më keq! Në vend që faktori shqiptarë të ishte i
bashkuar e në një front rezistent përballë të drejtave të shkelura të
shqiptarëve atje, energjitë më të mëdha i harxhojnë në cingla - minglat që i
ndajnë mes veti. Rezultati: Të drejtat e shqiptarëve përkeqësohen, e trojet e
tyre mbeten shkretë përditë. Mjerim t’a shohësh Dibrën e Madhe në gjendjen e
sotme, ku edhe gjuha shqipe flitet si minoritare.
Në trojet shqiptare në Serbi, gjendja s’ka si të mos jetë
keq e më keq, ashtu si edhe në Mal të Zi, ku nuk vërehet ndonjë përparim i
dukshën në raportet reale me shqiptarët. Shqiptarët, si zogjtë e shqipes pa
nanë, kanë “pushtuar” botën, ku kanë fituar jetesën si pakica, por nuk gëzojnë
të drejtat e bashkëqytetarëve të tyre në vendet ku kanë emigruar. As në
regjistrat e shteteve ku janë e kontribuojnë një jetë, nuk janë të regjistruar
si shqiptarë. Për më tepër, as shteti shqiptarë nuk ka një hartë e një numër
real të bashkëkombasve të vet nëpër botë. Por teatri vazhdon. I regjistrojmë
për votime dhe e manipulojmë si mundemi vullnetin e tyre, në Shqipëri e në
Kosovë. Ua duam remitancat, sepse përmes tyre mbahet larg revolta qytetare, por
jo fjalën, mendimin e kontributin si të barabartë. Ua duam paratë e shpikim
lloj - lloj monstruozitetesh për t’ua marrë, por asnjë lehtësi konkurence e
zhvillimi nuk ua sigurojmë në trojet e veta. “Karremi” i radhës është
përshembull “Paketa e Maleve”, ku ata ftohen të investojnë në tokat e
tjetërkujt. Pse s’jepen si fillim tokat në pronësi të trashëgimtarëve realë të
pronarëve, pa asnjë burokraci, pastaj të stimulohen investimet e shqiptarëve,
pare gjaku e djerse të fituara me sakrifica të mëdha në emigrim, duke i
përjashtuar nga çdo detyrim ndaj shtetit, përveç sigurimeve shoqërore për vete
e të punësuarve të tyre. Në Tiranë ka vite që diaspora mblidhet në “mitingje”
entuziaste, por edhe ato duken si me regji. Edhe në këto takime të mirëpritura,
roli i përfshinë të gjithë, thuajse pa e kuptuar, por ajo që ngelet pas është
më shumë se një shije e hidhur. Gjenden një grusht sish për t’i tërhequr në
skenat mafioze të ndonjë investimi që i përpinë paratë e tyre, madje edhe
tonat, si ndonjë vampir, përzgjidhet ndonjë edhe në poste të larta, si karemi i
radhës për vota e kaq… Efektiviteti i tyre për të tërhequr Shqipërinë drejt
Europës, nën modelin e vendeve ku ata jetojnë e kontribojnë prej dekadash,
humbet si ndonjë mallkim i hershëm, ndërkohë që në vendet e tyre të reja,
shkëlqejnë prej vërteti. Vend i mallkuar apo qeverisje e korruptuar? Kjo është
pyetja që përgjigjen e ka të qartë, por ende jo shtegun për të dalë në
bulevardin e përparimit ekonomik e shoqërorë.
Ja kështu! Të gjithë aktorë.
Edhe brenda vetë klasave shoqërore, jo veç në marrëdhëniet
mes tyre, të gjithë aktorë mbetemi. Shih të punësuarit. Krejt të knaqur,
gojëkyçur, duartrokitës, shih nëpër partitë politike: krejt të kënaqur,
duartrokitës, të përunjur, shih nëpër familje: krejt të nënshtruar ndaj atij që
ka në dorë ekonominë familjare, shih në letërsi: krejt krijues e krejt
vlerësues, shih në televizione: teatër i pshtirë, shih në facebuk: like pa
lexime, lajka pa p?lqime e rrallë ndonjë meme. Dhe pyesim pastaj, pse të gjithë
xhirojmë në llaç, e na duket sikur punojmë, por asnjë zhvendosje dhe ecje reale
përpara nuk ndodh.
Po regjizori kush është?
Vërtetë kjo pyetje më mundon shpesh e përgjigja nuk më vjen
gjithnjë e njëjtë, ndonëse e ndaj bindjen e plotë se ajo është një dhe vetëm
një. Frika, servilizmi, përkulja, nënshtrimi ynë. Mendësia që jam mirë, se
mundet të jem edhe më keq, ka fituar dukshëm mbi krenarinë e ligjshme që ato që
kemi, janë pak në raport me ato që na takojnë, e se çelësi për ndryshim gjendet
vetëm brenda secilit prej nesh. Ky është regjizori i madh, kurse mëkëmbësat e
tij janë korrupsioni, servilizmi, përtacia, të priturit nga jashtë vetes për
ato gjëra të cilat duhet t’i marrim në dorë dhe t’i realizojmë e administrojmë
vetem ne. Të drejtat tona nuk mund të na i falë kush. Ato duhen fituar me punë,
me djersë, me sakrifica, me përpjekje, me protestë, po e po, dhe jo me ulje
kurrizi e shtrirje dore.
Lezhë, më 9 maj 2026


