Fadil Maloku: Kur ish-komandantët e luftës i frikësohen bashkimit të shqiptarëve në paqe!
Kur ish-komandantët e luftës i frikësohen bashkimit të shqiptarëve në paqe!

Duke
përcjellë me vëmendje të madhe ecurinë e protestave, apo rizgjimin e rinisë
shqiptare që po kërkon, përveç ndryshimeve rrënjësore në qeverisje, edhe
largimin e kastës senile shqiptare, më ranë në sy prononcimet dhe reagimet e
ish-qeveritarëve të Kosovës (Ramush Haradinaj) dhe të Maqedonisë së Veriut (Ali
Ahmeti), të cilët po e kundërshtojnë ardhjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat
për të protestuar në Tiranë, kur dihet se, sipas Kushtetutës shqiptare,
përkujdesja për shqiptarët jashtë Shqipërisë është edhe obligim kushtetues.
Më
çudit fakti se si këta ish-liderë rrezikojnë kapitalin e tyre të luftës me këso
reagimesh e kundërshtimesh të pamatura. Duke bërë përpjekje t'i dekonspiroj
këto prononcime, më lind dyshimi nëse vërtet këta "isha" e kanë
përnjëmend apo, në gjykimin e tyre (jo politik), mendojnë seriozisht se
"solidariteti organik" ad hoc me qeverisjen e kalbur dhe të
komprometuar deri në palcë të autokratit Edi Rama u shërben atyre si një
satisfaksion moral për vetveten, apo këtu kemi të bëjmë me një përkrahje falco,
arsyet e së cilës mund t'i dinë vetëm ata.
Mirëpo,
nëse këto supozime tona ia nënshtrojmë një "dioptrie" sociologjike,
mendoj se do të kuptojmë shumëçka nga këto reagime e kundërshtime ndaj
revolucionit demokratik që po ndodh aktualisht në Shqipëri.
Dhe
tani, nëse dëshirojmë që kjo çështje të marrë një përgjigje meritore, atëherë,
pa hyrë fort në ndonjë vlerësim politik të qëndrimeve individuale të këtyre dy
komandantëve të luftërave që ndodhën, njëra në fund të mijëvjeçarit e tjetra në
fillim të tij, mund të themi se ato, në rrafshin sociologjik, janë më shumë
shprehje e tensionit historik që është duke u krijuar artificialisht midis
shtetit dhe kombit si entitet etnokulturor.
Dikush
do të pyesë me të drejtë: çfarë nënkupton e gjithë kjo? Për ta kuptuar më mirë
këtë interpretim timin, më duhet të sqaroj se kundërshtimin dhe reagimin e
këtyre ish-komandantëve e kuptoj më shumë si një përgjegjësi morale e më pak,
kisha me thënë, politike, për ruajtjen e rendit institucional brenda kufijve
ekzistues, por jo edhe të solidaritetit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve, kudo
që jetojnë, në çështjet që konsiderohen me interes të përbashkët kombëtar.
Natyrisht,
ky keqkuptim, kur janë në pyetje protestat si shenjë e thellë e zhgënjimit që
po përkrahet nga të gjitha anët, nuk mund të thuhet se lidhet aq shumë me
protestimin, sa me frikën që kanë komandantët nga krijimi i një precedenti të
ri politik. Sepse është e kuptueshme se, po qe se shqiptarët fillojnë të
veprojnë si një trup apo si një komb i vetëm politik përtej kufijve shtetërorë,
atëherë, pa asnjë dyshim, kufijtë aktualë ndërmjet shqiptarëve shemben e, ku
pastaj, shtohet edhe nevoja për një vetëdije të përbashkët kombëtare, e cila do
të krijonte forma e standarde të reja presioni ndaj elitave politike, ashtu siç
ndodh kudo në vendet demokratike të zhvilluara.
Në
gjithë këtë shpjegim të stilit weberian që po përpiqem ta bëj për këtë
tematikë, më duhet ta theksoj edhe një paradoks interesant sociologjik, të
cilin e identifikova si "nacionalizëm institucional". E identifikova
kështu, meqë reagimi dhe kundërshtimi ndaj protestës në Tiranë po vjen
pikërisht nga dy ish-protagonistët që edhe luftën e nisën në emër dhe në adresë
të një nacionalizmi romantik, në mënyrë që edhe shtetin ta ndërtonin në emër
dhe në adresë të një nacionalizmi tashmë institucional.
Ky
paradoks, nëse e zbërthejmë më tej, nënkupton se të gjithë ish-liderët, por
edhe këta të sotmit, pa dallime partiake, politike e ideologjike, kur është
fjala për festat, përvjetorët dhe manifestimet e ndryshme kulturore, e promovojnë
pa hezitim dhe pa ngurrim retorikën e unitetit kombëtar. Ndërkaq, kur vjen puna
te nisja e ndonjë iniciative konkrete për ta ushtruar dhe manifestuar po këtë
unitet kombëtar, ata bëhen skeptikë e madje shpesh shfaqin edhe rezerva
absurde, sidomos kur deklarohen dhe japin lloj-lloj arsyetimesh banale, sa të
mbushet mendja se nuk janë të njëjtët.
Këta
liderë, në momentin kur veshin "jakat e bardha" me kostume, pa
hamendje dhe pa ngurrim e pranojnë entitetin kombëtar si simbol kulturor, madje
bëjnë edhe kompromise të dëmshme që prekin interesat e shtetit, por kur është
fjala për një aktivizëm apo hap konkret politik për ta çuar përpara idenë dhe
konceptin e unitetit, stepen. Kaq për paradoksin "made in Albanian"!
Tani,
nëse sondën tonë e kthejmë kah obligimet kushtetuese, jo te ato morale e
politike, për përkujdesjen që e ka Shqipëria ndaj shqiptarëve jashtë kufijve,
duhet përkujtuar se, ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë parashikon këtë
"përkujdesje", ajo assesi nuk nënkupton vetëm një "lexim"
rigoroz në formë dhe përmbajtje të një "germe juridike", por lexim
dhe interpretim të një norme, përgjegjësie dhe obligimi politik, kushdo që
gjendet apo do të vijë në krye të shtetit shqiptar. Ashtu siç thuhet
("Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar
që jeton jashtë kufijve të saj") edhe në Nenin 8 të Kushtetutës së
Republikës së Shqipërisë.
Atëherë
lind pyetja kruciale: nëse shqiptarët jashtë Shqipërisë konsiderohen pjesë e
interesit të shtetit dhe të kombit, e në veçanti kur bëhet fjalë për kulturën,
gjuhën dhe identitetin, përse të njëjtit duhet të përjashtohen kur duan të
shprehin solidaritet qytetar me vëllezërit e tyre kur janë në pyetje zhvillimet
politike në shtetin amë?
Kjo
pyetje legjitime sociologjike dhe politike e ka, apo duhet ta ketë, një
përgjigje adekuate. Unë këtë përgjigje po bëj përpjekje që ta ndërlidh me disa
arsye. E para ka të bëjë me frikën, por edhe frustrimin e elitave aktuale, të
cilat, të dalldisura nga pushtetmbajtja e gjatë dhe nga deliriumi i privilegjeve,
e besa edhe nga mirëqenia që krijuan gjatë udhëheqjes maratonike të dy
shteteve, nuk dëshirojnë assesi ta humbin kontrollin e fituar me lloj-lloj
dredhish dhe mashtrimesh mbi qytetarinë e zhgënjyer shqiptare dhe t'ia
dorëzojnë dikujt tjetër. Fenomen ky i njohur edhe para se këta liderë ta
"shijonin" atmosferën dhe ndjenjën e sundimit, por jo edhe artin e
qeverisjes, siç theksojnë sociologët e njohur V. Pareto, G. Mosca dhe R.
Michels.
Së
fundi, duhet theksuar se kundërshtimi ndaj ardhjes së protestuesve nga Kosova
apo Maqedonia e Veriut, nga kushdo qofshin ata, nuk është asgjë tjetër veçse
një përpjekje për ta kufizuar zgjerimin e protestës së parë gjithëkombëtare në
historinë e kombit shqiptar dhe një angazhim jomoral për ta ruajtur kontrollin
mbi narrativën e tyre të tejkaluar politike. Thënë edhe më thjesht, ata e kanë
për imperativ shmangien e krijimit të një solidariteti mbarëshqiptar (organik,
durkheimian), që nesër mund të prodhojë dinamika të reja dhe të dobishme për
gjithë kombin dhe shtetin shqiptar.
Dhe,
për një sociolog që e ka obligim ta paralajmërojë qytetarin shqiptar lidhur me
proceset dhe zhvillimet deformuese në shoqëri, ky pozicionim aktual i shoqërisë
shqiptare është një konflikt tipik klasik që po zhvillohet midis frymës së
komprometuar sovraniste dhe shpresës apo ambicies për një solidaritet
mbarëkombëtar. Dhe ky konflikt do të "kalërojë" pandalur deri në
përmbysjen e njërit opsion! Uroj që kjo t'i ndodhë opsionit të parë...


