Bardhyl Mahmuti: Kush falsifikoi dokumente për Dritan Goxhajn?
Kush falsifikoi dokumente për Dritan Goxhajn?

Autorizimi
i Dritan Goxhajt nga “grupi koordinues i protestës” të bëhet zëdhënës i tij dhe
prezantimi i tij si “luftëtarë i UÇK-së”, më shtrëngoi t’u kthehesha reagimeve
të mia të publikuara në vitin 2024 për këtë “ANAL-isti” që thur himne për
organizatat terroriste Hamas dhe Hesbollah si dhe për regjimet totalitare të
Rusisë dhe Iranit.
Në
reagimin tim të datës 23 qershor 2026 të titulluar “Simboli i UÇK-së nuk e ka
vendin në protestën e Tiranës” publikova njoftimin drejtuar Shtabit të
Operacionit “Shigjeta”, të datës 21 prill 1999, nëpërmjet të cilit njëri prej
themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Xheladin Gashi - Komandant
Plaku) informonte Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe
Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës për deklaratën refuzuese dhe përbuzëse të Dritan
Goxhajt për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së.
Publikimi
edhe nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, të njoftimit të nënshkruar nga Komandant
Plaku, nxiti shumëkënd që është përfshirë në trazirat të kërkojnë qime në vezë
për të përgënjeshtruar vërtetësinë e njoftimit të nënshkruar nga Xheladin
Gashi, dhe për t’ia atribuuar atij gjoja
“falsifikimin” e këtij dokumenti. Në kuadër të kësaj përpjekjeje, në portale të
ndryshe dhe në rrjete sociale u publikuan “vërtetime” që “dëshmonin”
pjesëmarrjen e Dritan Goxhajt në radhët e UÇK-së.
Fillimisht
shpërndanë “dokumentin” me numër protokolli Nr.prot. 86/92 dt. 03.01.1999,
nëpërmjet të cilit ministri i Ministrisë së Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme,
z. Azem Syla dhe zëvendësministri pa emër, por me nënshkrim, vërtetonin se
“Dritan Laver Gorxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të
Kosovës prej 1 marsit 1999 deri në fund të luftës, me detyrë komandant i
Shtabit të Përgjithshëm”.
Të
gjitha format e falsifikimeve të dokumenteve janë të neveritshme, mirëpo ky
vërtetim duhet të hyjë në rekordet më të çuditshme të Librit e Guinness. Është
i pashembullt pretendimi se një dokument është protokolluar në një datë kur
institucioni në të cilin protokollohet dokumenti në fjalë nuk ka ekzistuar. Më
3 janar të vitit 1999 Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe rrjedhimisht as
ministria e Mbrojtjes dhe asnjë ministri tjetër e saj nuk ka ekzistuar. Qeveria
e Përkohshme e Kosovës u formua më 2 prill 1999, domethënë KATËR MUAJ MË VONË se
pretendimi i dokumentit të falsifikuar.
Nuk
e di nëse dikush ua ka tërhequr vërejtje falsifikatorëve për gomarinë që kishin
bërë, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se pak kohë më vonë doli
edhe “dokumenti” i dytë për të njëjtën çështje.
Në
“dokumentin” e dytë, falsifikatorët ndryshojnë datën e protokollit ( Nr. prot.
88/92 dt 08.09.1999) dhe Dritan Goxhajn e degradojnë nga “komandant i Shtabit
të Përgjithshëm” në “komandant kompanie”. Mirëpo në dallim nga “dokumenti” i
parë, ku në anën e majtë të “vërtetimit” figuronte funksioni zëvendësministër,
pa emër e pa mbiemër, ndërsa në anën e djathtë ajo e ministrit Azem Syla, në
“dokumentin” e dytë mungon funksioni zëvendësministër, por bashkë me
nënshkrimin është shënuar me shkrim data 3 shtator 2000!!!
Të
nënshkruhet një dokument në emër të ministrisë së Mbrojtjes një vjet pasi të
jetë protokolluar, dëshmon për injorancën e tyre falsifikatorëve. Qeveria e
Përkohshme e Kosovës ndërpreu funksionimin e saj më 31 janar dhe rrjedhimisht
askush nuk ka mundur të nënshkruaj NËNTË MUAJ MË VONË në emër të një ministrie
që nuk ekzistonte!
E
vetmja gjë që mbetet e pandryshuar në të dy “dokumentet” e falsifikuara ka të
bëjë me “vërtetimin se Dritan Laver Gorxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë
Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999 deri në fund të luftës”.
Mirëpo
“rrena i ka këmbët të shkurta” thotë një shprehje e njohur popullore.
Falsifikuesit e këtyre “dokumenteve” ose nuk kanë qenë në dijeni, ose mendojnë
se shqiptarët kanë harruar se përafërsisht para tre vjetësh, më 18 shtator
2023, në intervistën për emisionin Quo Vadis të Vizion Plus TV të publikuar në
YouTube babai i Dritanit, Dilaver Goxhaj deklaroi:
“Dritani
në këtë periudhë ishte në praktikë fluturuese në Greqi dhe u kthye me datë 29
mars të vitit ’99, pesë ditë pasi kishte hyrë NATO në luftë”.
https://www.youtube.com/watch?v=bP3y_ljvGTA
Me
një fjalë, përgënjeshtrimi i pretendimit se gjoja “Dritan Goxhaj ka qenë
pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999” vjen
nga babai i tij!
Në
kuadër të manipulimeve të lartpërmendura, reagoi publikisht edhe Azem Syla,
nënshkrimi i së cilit i cili figuron në dy “dokumentet” e falsifikuara. Në
prononcimin e 23 qershorit 2026, ish komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës sqaroi se Dritan Goxhaj nuk ka qenë në Kosovë, në frontin
e luftës, por ai i është bashkuar UÇK-se disa jave para mbarimit te luftës, në
Helshan të Shqipërisë.
Për
mua është e qartë që në kontekst të krizës globale në marrëdhëniet
ndërkombëtare, ku rendi i ri botëror është duke marrë formë me rreshtime të
reja të aleancave, mercenarët dhe
ANAL-istët që thurin himne për Hamasin, Hesbollahun dhe regjimet totalitare
kanë për mision të përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e re” sipas këtyre
modeleve.
Për
mua është e qartë se nuk është e rastësishme që mbështetësit e Hamasit,
Hebollahut dhe regjimeve totalitare paraqiten si “luftëtarë të UÇK-së”, por e
kanë për mision që t’u japin “argumente” forcave që kundërshtonin ndërhyrjen
ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, për të “dëshmuar” se kjo ndërhyrje ka
ndihmuar forca “terroriste”, “fundamentaliste islamike” dhe antidemokratike.
Për
mua është e qartë se reagimet e mia nuk “pinë ujë” te mercenarët që kanë
misione antishqiptare. Por habitem kur shoh disa nga miqtë e mi, të mbrojnë
“mercenarët” e llojit të Goxhajve dhe të shpërndajnë gënjeshtrat e
falsifikuesve të “vërtetimeve”. Mendoj se nuk i nderon veprimi që për inat të
Ramës apo për hir të Satëmës, shkojnë e flenë me mullixhiun.
Në
këtë kontekst pikëpamjet e mia janë të qarta: NUK KRIJOHET SHQIPËRIA E RE ME
FUNDËRRINA TË VJETRA! Pakënaqësitë e ligjshme të qytetarëve duhet të adresohen
në atë mënyrë, që të mos lënë asnjë shteg për mercenarët e shërbimeve të
ndryshme sekrete.






