Lekë Mrijaj: Mos na shisni filozofi, mishërojeni atë!
MOS NA SHISNI FILOZOFI, MISHËROJENI ATË!

Ka
disa ditë që në Facebook më ka rënë në sy një thënie e filozofit grek
Epiktetit: "Mos e shpjego
filozofinë tënde. Mishëroje atë". Kjo thënie e këtij filozofi grek vërtet
më bëri aq përshtypje, saqë më shtyu të mendoj edhe për realitetin tonë në
Kosovë.
Sot
kemi shumë njerëz që shesin "mend" për politikë, letërsi, filozofi,
moral e atdhedashuri. Disa prej tyre, të ashtuquajtur filozof..., që fare nuk e
mishërojnë filozofinë... krijojnë përshtypjen sikur çdo gjë fillon dhe mbaron
me mendimin e tyre; pra, sikur bota kombëtare, shpirtërore, letrare dhe
intelektuale të sillej vetëm rreth "mullarit" të tyre.
Ata
narcisoidë flasin aq shumë, sikur të ishin papagaj; japin këshilla, bëjnë moral
dhe shpesh përpiqen t'ua tregojnë të tjerëve se si duhet të mendojnë e të
jetojnë. Por pyetja është shumë e thjeshtë:
A
e përjetojnë vetë atë që thonë?
Sepse
është lehtë të flasësh për moralin, por më vështirë është të jesh i drejtë.
Është lehtë të flasësh për tolerancën, por më vështirë është ta respektosh atë
që mendon ndryshe. Është lehtë të flasësh për Kosovën, e cila u çlirua nga
çlirimtarët, me mbështetjen vendimtare të Amerikës, por më vështirë është të
bësh diçka të mirë për të.
Në
këtë amulli të rëndë politike dhe shoqërore, Kosovës nuk i duhen njerëz që
vetëm shesin "mend", japin leksione dhe mendojnë se janë mbi të
tjerët. Kosovës i duhen njerëz me dije, por edhe me karakter të formuar; njerëz
të letrave, të kulturës, të botës shpirtërore, filozofike e intelektuale, të
cilët atë që thonë ta dëshmojnë edhe me jetën dhe sjelljen e tyre. Sepse fjala
ka vlerë vetëm atëherë kur mishërohet në vepër.
Prandaj,
thënia e Epiktetit është shumë e qartë edhe për ne sot: Mos na shpjegoni vetëm
filozofinë tuaj.
Tregojeni
atë me veprat tuaja.
Kosovës
dhe shqiptarëve në përgjithësi u duhen më pak fjalë të mëdha dhe më shumë
shembuj të vërtetë intelektualë, kombëtarë, shpirtërorë dhe njerëzorë.
Klinë, 22 gusht 2026


