Gjon Keka: Pushtuesit i dogjën e shkatërruan monumentet tona, por gjurmët i ruajti toka dardane
Edhe pushtuesit e ndryshëm i dogjën e i shkatërruan monumentet tona, por gjurmët mbetën aty, i ruajti vetë toka dardane

Shumë
pushtues dhe perandori kanë ardhur e kanë shkuar, e disa prej tyre janë shuar
plotësisht. Mirëpo, Arbëria e Dardania e Gjergj Kastriotit(Skënderbeut), Pjetër
Bogdanit, Nënë Terezës, Idriz Seferit e Ibrahim Rugovës – pra, Dardania jonë –
jeton edhe sot. Gjurmët e saj flasin qartë, ashtu siç flet edhe gjaku i
martirëve, heronjve dhe dëshmorëve tanë. Ato nuk do të humbin kurrë, me gjithë
përndjekjet, dhunën dhe barbarizmin e mbetjeve apo "mashave" të
armiqve që synuan ta shfarosnin kombin tonë nga brenda, pasi nga jashtë nuk ia
dolën dot kurrë përgjatë historisë.
Duke
parë këtë, mund të thuhet se historia dhe kultura e vërtetë e kombit tonë, e
Arbërisë dhe e Dardanisë sonë, nuk mund të fshihet nga përndjekjet, dhuna,
pushtetarët pa identitet, luftërat, pushtuesit apo perandoritë e ndryshme.
Monumentet e lashta, rrënojat, çdo gur, madje edhe vetë toka që mban gjak lirie
e frymë Konstandtiniane e Kastriotiane (Skënderbegiane), dëshmojnë për të
kaluarën tonë. Edhe nëse koha, dheu e shekujt i kanë mbuluar, gjurmët mbesin;
madje edhe sot, nëse gërmojmë pak nën dhe, kudo shfaqen themele ndërtesash,
tempujsh apo monumentesh të tjera të shkatërruara. Po ashtu, askush nuk mund
t'ia shkulë nga zemra e as nga toka mëmë asnjë kombi historinë, gjuhën,
zakonet, traditat, monumentet apo tempujt që kanë rrënjë natyrore, sepse ato
jetojnë në zemrat e dardanëve dhe arbërorëve besnikë. Madje, edhe në jetën tonë
të përditshme, ne marrim frymë lirie nga e kaluara për t'u mësuar brezave të
ardhmen, në mënyrë që të mos gabojnë ashtu siç po gabojnë sot, në shekullin
XXI, disa pushtetarë dhe mbetje të armiqve të kombit tonë. Zakonet, traditat,
të njëjtat legjenda, gojëdhëna e proverba – shkurt, të gjitha epokat dhe i
gjithë populli ynë në çdo krahinë të trojeve tona që nga lashtësia e deri më
sot – janë të brumosura me të njëjtën vetëdije kombëtare. Duhet ta dinë
barbarët dhe "mashat" e armiqve të kombit tonë se identiteti ynë i
përbashkët i gjakut iliro-arbëror nuk mund të shkatërrohet. Ai nuk zhbëhet as
me armë, as me ndalime, as me shkulje të gurëve simbolikë të bekimit të këtij
vendi, dhe as me ndihmën e atyre pushtetarëve të sotëm në krye të qeverisë e
shtetit që koketojnë me ideologji të huaja.
Kudo
në qytetet dhe fshatrat tona, në Dardani e në mbarë Arbërinë, arkeologët,
udhëpërshkruesit dhe studiuesit e shumtë europianë e botërorë kanë shekuj që
gjejnë thesare në tokë. Pushtuesit e ndryshëm i varrosën, i lanë pas dore ose i
dogjën e i shkatërruan, por gjurmët mbetën aty. I ruajti vetë toka dardane,
iliro-arbërore, si një frymë e pashkatërrueshme për të na treguar neve sot
rrënjët dhe të kaluarën tonë të vërtetë. Pra, siç shihet qartë, me gjithë
tendencat e armiqve të brendshëm e të jashtëm për të zhdukur qenien tonë
iliro-arbërore e dardane, ne jemi ende gjallë. Jemi gjallë në gjakun tonë, në
frymëmarrjen tonë dhe në rrënjët tona të pashkatërrueshme nga asnjë armik –
qoftë ky edhe tradhtia e brendshme e "haxhiqamilëve" dhe
"ballabanëve". Rrënjët tona kanë dhënë sërish fryte, dhe ja ku jemi
sot; do të jemi këtu sa të ketë diell e tokë, yje, Iliri (Dardani e Arbëri) dhe
sa të jetojë emri i Gjergj Kastriotit në qiell e mbi dhe, brez pas brezi.
Duhet
thënë një e vërtetë që besoj se e kuptojnë të gjithë: sot Kosova dhe mbarë
kombi nuk kanë thjesht nevojë për ndërtesa të reja ideologjiko-fetare, sidomos
„xhamitë" ekzistojnë në çdo hap, por kanë nevojë për zhvillim ekonomik,
edukim, shkencë e arritje tekonologjike etj. Mirëpo, në rastin konkret, aty ku
gjenden themelet e kishës së vjetër ilir-dardane me emrat e Shën Florit dhe
Laurit, ata pak besimtarë të rikthyer kanë të drejtë të kenë vendin e tyre të
lutjes. Shtrohet pyetja e arsyeshme dhe logjike: pse duhet që besimtarët e
Zogajt të udhëtojnë deri në Prishtinë për një meshë apo shërbesë, kur është më
praktike të kenë kishën apo bashkësinë e tyre lokale për t'u shërbyer
besimtarëve? Askush nuk mund ta ndalojë këtë. Atë që Zoti e ka vulosur në këtë
tokë iliro-dardane, si vend të punës së Frymës së Tij të Shenjtë, nuk mund ta
ndalojë asnjë pushtet e aq më pak individët apo ideologët e rrymave radikale
islamike.
Askush
nga ne, arbërorët e Gjergj Kastriotit, nuk ka hequr dorë nga e drejta
historike, nga trashëgimia shpirtërore, kulturore e kombëtare që na lanë të
parët. Nuk heqim dorë nga themelet e lashta, nga rrënjët dhe gjurmët shekullore
që formësuan shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar dardano-arbëror dhe
europian. Për të parë se sa i fortë është ende ndikimi iliro-dardan në shpirtin
dhe trupin e Dardanisë, mjafton të hulumtojmë kudo në vendin tonë; aty shfaqen
gjurmët që flasin, ndonëse errësira ka tentuar t'i mbajë të fshehura nën petkun
e shekujve. Shihni Ulpianën e Justinianit I dhe zbulimet e panumërta në pjesë
të tjera të Dardanisë antike.
Me
pak fjalë, elementin rrënjësor, natyror dhe historik dardano-arbëror askush nuk
mund ta shkatërrojë apo ta tjetërsojë nga toka e vet iliro-dardane. Aty i ka
rrënjët e veta natyrshme shpirti dhe trupi i popullit tonë – rrënjë që do të
japin gjithmonë fryte lirie, uniteti dhe rikthimi në familjen e madhe
europiane, duke refuzuar çdo robëri ideologjike fetare të pushtuesve që synuan
të na zhbënin, të na shfarosnin e të na bënin të huaj në atdheun tonë, në
kontinentin tonë dhe në familjen tonë të përbashkët europiane.


