Florim Zeqa: President me 'rotacion' për zgjidhjen e 'Nyjes Gordiane'!
President me 'rotacion' për zgjidhjen e 'Nyjes Gordiane'!

Sikurse
në të kaluarën e shekullit 19-të, edhe tani Kosova është në rrezik që të
kthehet në figurë shahu dhe monedhë për kusuritje në tavolinën e fuqive të
mëdha për ndaljen e luftërave shkatërrimtare!
Të ndalen abuzimet me mërgimtarët
Kombi shqiptarë akoma po vuan nga plaga
e vjetër e ndarjeve të trojeve etnike, ku më tepër se gjysma tyre ende janë nën
sundimin e shteteve fqinjë!
Bashkësia
ndërkombëtare e di mirë faktin se Kosova është një vend i vogël me shumë plagë
nga lufta e fundit çlirimtare.
E
di mirë se Kosova dhe shqiptarët kanë kaluar nëpër të gjithë rrathët e ferrit
për të ardhur deri tek liria. Kanë përjetuar maltretime dhe dhunë sistematike,
burgje, dëbime, masakra, varreza masive, shtëpi të djegura e familje të
shpërndara gjithandej botës në kërkim të shpresës për një jetë më të mirë!
E
di mirë se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova nuk po bëjnë asgjë për
riatdhesimin e bashkombasve të tyre!
E
di mirë edhe si i trajtojnë bashkatdhetarët me përbuzje, "erdhën këta të
jashtit", por jo edhe në fushata zgjedhore, të cilët i përdorin si
"mish për topa" (numra për vota) të partive politike!
E
di mirë se ështu bëjnë dhe veprojnë politikanët e papërgjegjshëm të dy shteteve
shqiptare!
Shtetet
shqiptare në prag të pushimeve verore bëjnë lojë me mërgimtarët duke organizuar
maskarada mashtruese siq është i ashtuquajturi "Samiti i Diasporës"
në Tiranë apo "Mirë se vini bashkatdhetarë" në Kosovë!
Qeveritarët
në Prishtinë për çdo vjet për tre ditë rresht po i hapin dyert e Parlamentit
për mërgimtarët, por kësaj radhe më mirë të mos i kishin hapur fare, çfarë
përjetuan dhe panë bashkatdhetarët!
Një shtet i fituar me luftë rrezikon të
humbet në paqe
Kur sakrifica dhe gjaku i derdhur për
liri përdoret për interesa personale, atëherë ndodhë vrasja e dytë nga
politikanët e atyre që ranë në altarin e lirisë!
Dëshmorët
dhe martirët po përdorën nga politikanët vetëm gjatë fushatave zgjedhore, kurse
familjarët e tyre i kanë lënë në harresë të plotë!
Kjo
për më tepër se padrejtësi, paraqet abuzim me ata që ranë në altarin e lirisë.
Asnjëherë
nuk duhet harruar se liria është amanet i dëshmorëve, kurse invalidët që lanë
gjymtyrët e trupit në fushat e betajave janë testament i lirisë dhe pavarësisë
së fituar me gjak dhe sakrifica të panumërta!
Një
pjesë e politikanëve të sotëm shtetin e trajtojnë si pronë të partisë, Kuvendin
arenë gladiatorësh për hakmarrje politike, kurse qeverinë si trofe të fitores
së pamerituar, duke e trajtuar shtetin si plaçkë lufte e jo si atdhe të tyre!
Diskriminimi
shoqëror e dëshmon se shtetarët nuk janë të barabartë për të gjithë qytetarët e
vendit!
Si
pasojë e kësaj, shteti për dikë është bërë nënë e për dikë tjetër njerkë!
Nënë
për të pamerituarit që nuk kanë dhënë asgjë nga vetja e tyre për lirinë e
vendit, kurse njerkë për ata që kanë lënë pjesët e trupit në fushat e betejave
të lavdishme çlirimtare!
Të marrin fund barrikadimet në Kuvend
Ngërçi politik është është kthyer lak
në fyt për shtetin e Kosovës, ku pas çdo procesi zgjedhor, pavarësisht
rezultatit, partitë në vend të formimit të institucioneve, po barrikadohet
kundrejt njëra-tjetrës, duke e kthyer rivalitetin politik në armiqësi që po i
ndan dhe përqan qytetarët.
Marrëveshja
politike për zgjedhjen e Presidentit është kthyer në 'Nyje Gordiane' mes
liderëve të partive politike!
Sa
më shumë kohë e humbur aq më i mundimshëm po bëhet pazari politik për postin e
Presidentit!
Meqë
në karrigën e Presidentit nuk ka vend për të gjithë në të njëjtën kohë, do të
ishte mirë të gjendet një zgjidhje përmes 'rotacionit', që në çdo gjashtë muaj
të ndërrohen Presidentët për kënaqjen e egove personale, e cila mbase do t'na
çonte në paqe sociale edhe mes komuniteteve tjera jo shqiptare!
Ndryshe
nuk po shihet fundi i zgjidhjes së 'Nyjes Gordiane'!
Qytetarët
e lodhur dhe të frustruar nga zgjedhjet e shpeshta, gjithnjë e më shumë janë
duke i bojkotuar proceset zgjedhore!
Pas
zgjedhjeve të 7 qershorit, rezultati ishte 64:36 në favor të bojkototit!
Kush
e di, sa do të ngritet kjo distancë në zgjedhjet e 27 dhjetorit!
Të shtrihet dora e pajtimit
Përderisa partitë politike që kanë
marrë besimin e qytetarëve për përfaqësimin e tyre në Parlament, nuk po arrijnë
dot të ulen në tavolinën e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes optimale, qoftë
edhe përmes 'rotacionit'!
Në
të kundërtën, distanca mes bojkotit qytetar dhe militantëve partiakë do të
ngritet akoma më lartë, saqë zgjedhjet përfundimisht do ta humbin kuptimin!
Përderisa
partitë politike nuk binden se rivaliteti politik është vlerë e demokracisë e
jo armiqësi, shteti i Kosovës rrezikon të rrëshqas në anarki!
Zgjidhjen
e ngërçit politik duhet kuptuar si fitore për Kosovën, e jo kush do të fiton më
shumë e kush tjetër më pak nga marrëveshja politike!
Kompromisi
mes forcave politike për Presidentin duhet të bëhet për shtetin e jo për
intersa partiake, klanore apo personale!
Zgjatja
e dorës së pajtimit mes forcave politike nuk e poshtëron partinë fituese dhe as
nuk i ulë më poshtë partitë humbëse, por e forcon shtetin dhe rritë besimin e
qytetarëve në institucionet e shtetit.
Një gjë duhet ta kuptojmë të gjithë,
liria e Kosovës është produkt i një rezistence të gjatë paqesore dhe e një
lufte të lavdishme çlirimtare, por edhe meritë e ndihmës së madhe dhe të
pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të cilën jemi duke e zhgënjyer me
veprimet tona!


