Anton Marku: Identiteti politik i partive të vogla
Identiteti politik i partive të vogla

Partitë jo-parlamentare luajnë një rol të rëndësishëm, edhe pse të
kufizuar, në zhvillimin e demokracisë. Ka kohë që në viset e banuara me
shqiptarë në Ballkan, për shkak të vështirësive për kalimin pragut zgjedhur,
subjektet e vogla politike, jo rrallë, largohen, e herë-herë edhe distancohen
nga programi i tyre fillestar vetëm e vetëm që të jenë të përfaqësuara në parlamentet
e shteteve përkatëse. Kjo luhatje, herë në të djathtë, herë në mes, e herë në të
majtë, është e dëmshme në parametra afatgjate dhe strategji e gabuar duke bërë
që ato të humbasin edhe atë pak autoritet që mund ta kenë pasur në skenën politike
dhe krijuar mosbesim tek anëtarët dhe simpatizantët, të cilët, në kushte të
tilla, detyrohen që votën e tyre ta orientojnë diku tjetër.
Reflektim mbi realitetin
Partitë e vogla
duhet të pajtohen me faktin se nuk janë të mëdha dhe në këtë kontekst t’i
lidhin koalicionet me partnerët që kanë një qëllim dhe vizion të ngjashëm apo të
njëjtë me to. Gjithçka tjetër është mashtrim i çastit i cili do të prodhoje
efekte të kundërta deri në shuarjen e partive të tilla, siç ka ndodhur disa herë
në të kaluarën e afërt. I njëjti fat mund t’i presë edhe disa të tjera të cilat
janë të njohura për ndërrime të shpeshta të krevateve ku bëjnë gjumin. Edhe në
politikë duhet pasur moral dhe dinjitet.
Po jetojmë në kohëra multikrizash ku humbja e fituesit
interpretohet si fitore e humbësit. Në tërë këtë kaos
partitë të cilat në radhët e veta numërojnë vetëm disa qindra apo mijëra
simpatizantë janë aktere pothuajse të papërfillshëm pasi që zëri i tyre nuk
është prezent në vendimmarrje. Megjithatë edhe ato bëjnë pjesë në ndikues të
opinionit sidomos në çështje të caktuara. Në lidhje me këtë partitë
konservatore angazhohen për ruajtjen e traditës dhe familjes, ato të gjelbra
për klimë dhe ambient të pastër, liberalet për tregun e lirë dhe mosdiskriminim
të grupeve të margjinalizuara, etj. Problemi është se shumica prej tyre
vazhdojnë të besojnë se nga poshtë, nga bodrumi, i shohin më mirë gjërat lartë,
në kullën e vëzhgimit.
E ardhmja që nuk erdhi
Në pesë vitet e
kaluara Kosova u zhvillua më së shumti aty ku jo domosdoshmërisht do të ishte
dashur, në muskuj, ndërsa më së paku aty ku do të duhej, në tru dhe xhep. Në këtë
metaforë muskujt definohen si forcë fizike, truri si dije dhe xhepi si ekonomi.
Këtë fakt e mbështesin argumentet se ajo shpenzon më tepër se asnjëherë në
armatim e pak, pothuajse aspak, në arsim dhe sektorin privat. Nëse i shkojmë rezultatet
e testit të PISA-s që nxënësit tanë i vendos në nivel të shteteve afrikane dhe
të dhënat se shteti ynë është i dyti më i varfëri në Evropë, atëherë dikush do
të duhej të pyetej nëse kjo është rruga e duhur për të vazhduar tutje.
Në të njëjtën kohë opozita aktuale pas secilës palë
zgjedhje ai doli të dëshmohet si ‘‘pakicë mazhoritare’’. Ajo dhe pozita ia
arritën të shndërrohen në armiqtë më të mirë. Kjo bëri që të aktivizohen edhe
profile të rrejshme në platformat sociale të cilat vulgarizuan gjuhën e debatit
deri në banalizim. Me luftëtarë të tillë mbase mund të fitohet ndonjë betejë
brenda, por jo dhe jashtë, me ndërkombëtarët. Nëse gjendja vazhdon të ri përsëritet
atëherë populli do të mërzitet nga zgjedhjet e shpeshta dhe do të nisë që edhe
gjërat më serioze të mos i marrë më seriozisht.
Rikthimi i religjionit si faktor politik
Çështja e koalicioneve është temë shumë serioze për t’ua
lënë vetëm dy-tre funksionarëve të partisë. Ajo duhet të diskutohet dhe
miratohet edhe në organet më të larta të saj, sidomos në kryesi dhe këshill
qendror, e mbase, pse jo, edhe në kuvend të jashtëzakonshëm. Ndryshe nuk ka
legjitimitet dhe mund të mos përkrahet nga vetë anëtarët e saj. Dhe kjo është e
drejtë themelore e secilit që nuk beson se vendimet e tilla i sjellin ndonjë
dobi partisë. Për më tepër, në situata të tilla duhet të aktivizohet dhe
funksionojë edhe mekanizmi i llogaridhënies dhe dorëheqjes në rast të mungesës
së rezultateve të pritura.
Sa për ilustrim: Në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e
Kosovës që do të mbahen me 7 qershor, në njërën nga listat zgjedhore gjendet
edhe një hoxhë i cili ka qenë ndër zërat më aktiv në kundërshtim të ndërtimit të
kishës së ‘‘Shën Abrahamit’’ në Llapushnik të Drenicës. Në të njëjtën listë
gjendet edhe një parti shqiptare shumica absolute e anëtarëve të së cilës i
takojnë besimit të krishterë. Në anën tjetër nuk është fare çudi që pastaj
zyrtarët e saj në paraqitjet e tyre publike ta përfshijnë këtë parti në kuadër
të minoriteteve e nga ajo vetë të mos vijë asnjë reagim.
Labirinti që duhet kaluar
Në botën në të cilën jetojmë dyert e saj hapen me duar,
jo me shqelm. Në rrugët që i kemi përpara duhet të ecim jo vetëm por me miq. Me
ata arrihet më larg dhe sigurte. Në këtë udhëkryq ideologjish edhe partitë e
vogla mund t’i mbesin besnik orientimeve të veta programore dhe të rreshtohen
drejtë, jo në anën e atyre lëvizjeve ani-miqësore, ani se ndoshta jo përherë do
të kenë përfaqësues të tyre në parlament.
Po, liria ka emër: UÇK. Ka dhe mbiemër: NATO.
Anton Marku
Vjenë, 23 maj 2026




