Llesh Ndoj: Nderi i partisë nuk mbrohet “në semaforë”

43m më parë

NDERI I PARTISË NUK MBROHET “NË SEMAFORË?

- Meqënëse ato janë një e keqe e domosdoshme -

Nga Llesh Ndoj

Sapo kisha mbaruar vitin e parë të shkollës së mesme dhe isha kthyer në vendlindje. Si shumëkujt askohe në moshën time, më dukej vetja jo një vit më i madh, por një dekadë… Sigurisht që edhe “u shisja mend” bashkëmoshatarëve të mij që akoma s’kishin arrit as me dalë nga vendlindja për një vizitë jashtë saj, se në shkollë nuk mund të shkonin të gjithë. Nga hurdhat e përrenjëve me diametër as 2 - 3 metra, unë kisha parë detin e gjerë dhe nga një sofër qiell mes malesh, kisha parë horizonte të pafundme, e veten e masja me madhësinë e tyre.

Isha bashkuar me një grup shokësh dhe po bënim xhiro në qendër të fshatit, nga shkolla ku ruaja thesarin e kujtimeve të bukura, deri tek qendra e fshatit, aty ku ndodheshin dyqanet, muzeu, zyrat e koperativës e të pushtetit të kohës, por edhe ku bënim xhiro si të qytetëruar. As sot nuk e kujtoj se si e solli puna dhe unë, në përgjigje të një mosbesimi që shfaqi njëri nga bashkëbiseduesit e mi rreth një çështje që po ua tregoja, iu ktheva atij:

- Për nder të partisë, po!

Nuk e kisha vëne re drejtorin e shkollës, i ardhur për sëdyti aty pas ikjes time, por ai sigurisht që e dëgjoi “betimin” tim, as serioz e as me qëllim tallës, më saktë të lëshuar në ajër pa asnjë ndjeshmëri, positive, apo negative qoftë.

- Kush foli? - na u drejtua me ton të ashpër e me një “fryerje” si të ishte herkuli, që do t’a përmbyste botën, anipse nuk e di, a i kapte apo jo të 150 cm!

- Unë! - i them serbes, - Ç’të keqe ka?

As e njihja, e as më njihte atëherë. Më vonë mësova se kush ishte (emrin sigurisht që ia kisha dëgjuar nga vëllezërit e motrat që e kishin patur drejtor!) dhe se me të kishim edhe një lidhje gjaku të largët, e kur iu përgjigja pyetjes së tij se i kujt isha, duke i thënë emrin e babës, gjyshit e stërgjyshit, ai e ndali pak atë turrin fillestar.

- A je anëtar partie?, - më pyeti në vijim, krejt pa sens, pasi të ishe anëtar partie në atë moshë ishte e pamundur.

- Jo!, - i them. Por partia s’është vetëm e komunistëve, as nderi i saj nuk u përket vetëm atyre. Betë në Zot e në Krisht, asokohe ndalohesheshin rreptësisht dhe madje trajtoheshin si herezi. Njerëzit më besnikë ndaj tyre, vetëm sa i flitnin me vete, ose me njerëzit e shtëpisë, se publikisht nuk guxonin. Partia kishte të tjera fjalë, e veten e njihte perëndi. Njerëzit e thjeshtë betoheshin “për besë”, “për qiell e për dhe”, “për qiell e për tokë”, rrallë e fshehurazi në ndonjë emër shejti, kurse komunistët betoheshin në “nderin e partisë” ose “idealin e partisë”.

Pas thuajse 50 viteve, m’a kujtoi këtë episod një ish - komunist, që thotë se e ka akoma edhe sot teserën e partisë së punës. Dhe ka të drejtë, miku im. Ai s’ka qenë kurrë komunist, por anëtar partie po, dhe dokumentin e partisë e ka patur “licensën” më të vlefshme për t’u pasuruar e bërë një jetë shumë mbi nivelin e të tjerëve, në saje të “së drejtës borgjeze pa borgjezi” që pranohej edhe asokohe.

Ja, ajo që ai më rrëfeu për të disatën herë:

…sekretarja e byrosë së partisë së ndërmarrjes ku punoja, ishte e bukur dhe e re. Si e pse u vendos në atë vend pune, as sot nuk e kuptoj, se ajo nuk merrte vesh fare as nga punët e partisë, jo më të ndërmarrjes ekonomike ku ishte caktuar të drejtonte. - Më kishte pikasur, - vijon ai, - në mbledhjen e organizatës se isha disi orator dhe i përgatitur teorikisht, ndaj më thërret në zyrë që t’a ndihmoja për të përgatitur një raport - analizë pune. I pëlqeu puna që bëja për përgatitjen e raporteve dhe kjo u bë e zakonshme, derisa një ditë prej ditësh përfunduam në… Nga vendi ku po “shkruaja” konkluzionet, përballë më del fotoja e Enverit sa një gazep. Fillimisht u shtanga se m’u duk se po më “shikonte” se çfarë po bëja, por pastaj, pa e ndalur punën, iu drejtova:

- Ah, shoku Enver, ka ke fut në parti! Dhe sekretarja m’a mbylli gojën me dorën e saj, por jo “të shkruarit” e konkluzioneve.

***

Të ishte se kalimi në sistemin shumëpartiak e ndryshoi këtë vijë sjellje, zor se ia vlente për t’a treguar asnjërin nga episodet e lartpërmendura, por gjendja s’ndryshoi aspak as pas  postnëntëdhjetës, as nuk ka ndryshuar sot e nuk ka një perspektivë të afërt ndryshimi. Ndërmend, në ato çaste dhe tash, më erdhën me radhë monat a monalizat, mamicat apo micat, grigjat që si japin dum, baluket e baleshet, zegjinet e zeqinerat e shumë të tjera si ato në këto tri dekada e gjysëm pluralizëm që ndërsa betohen “në nderin” e partive respektive, shumica kanë përfunduar në padi për zgjidhje martese në dyert e gjykatave, akuzuar nga bashkëshortët për tradhëti… Edhe sot, subjektet politike veprojnë sipas parimit të njohur “Më mbaj këtë kopil, të dal e të shaj atë k…rvë”. Ndershmeri e madhe kjo puna e partive, apo jo!

Dhe nuk mjafton kjo, por s’mbeten larg as burrat bashkëkohorë. Për shumë prej tyre, mbirë në pozicione të larta si kërpudhat pas shiut, “nderi i partisë” matet me numrin e të dashurave që i ndërrojnë sipas motit e stinës, me vjedhjet masive, me dhunimin e të drejtave të njeriut etj, dhe të gjitha këto duke u betuar çdo çast në “nderin e partisë”. Ka akoma edhe më tej… Jo rrallë në vendet e punës përflitet për orgji e marrëdhënie që s’kanë të bëjnë me kontratën e punës. E “nderi i partisë”, kthehet kësisoj në “nder familje” (jo biologjike, kuptohet), nën justifikimin se partia na mëson me qenë të ndershëm si ajo, e kolektivin me e trajtue si një familje, ku kufijtë zhduken, jo thjesht në moral, por edhe në sjellje e vjedhje, ndërsa “familja qeverisëse” dita – ditës merr tiparet e familjeve mafioze të njohura nga historia botërore dhe aktualiteti. Guxo të thuash një fjalë kundër “kryefamiljarëve” të çdo rangu, se si grerëzat të sulen “familja” e tij”.

***

Po kush e paska pra tagrin të betohet në “nderin e partisë”? Betohet në “nderin e partisë” tigri, e nuk i mjafton gjaku i “tufës”, por na pi edhe ne të tjerëve gjakun e ikën si i persekutuar, betohet në nderin e partisë “suksese në të ardhmen”, dhe përfundon birucave, betohet në nderin e partisë, sapo e pa se s’i mjafton “Mjaft”, e përfundon birucave, betohet “kokëmadhi” që të bënte gjam?n për “nderin e partisë” e tash është zvarranik i birucave. Duke u betuar në nderin e munguar të partisë, sot as në PS e as në PD nuk gjenë respektivisht asnjë socialist e demokrat, por “hibride” të shndërruar nga “nderi i partisë”, a thua ky nder është si tregojnë bestytnitë për ylberin apo fenomenin “venë e raki”, si i thonë në Mirditë, ku një kalim përmes tij (që s’ka si të ndodh në fakt!) të shndërron nga mashkull në femër e anasjelltas. Ka plot të mëdhenj e të vegjël, kukulla barby e eskorta udhëheqje që me “nderin e partisë” në gojë, kanë bërë “sakrifica” të panumërta dhe tash shumica e tyre na thonë se kjo “e ndershmja parti” na qenka kur…ë. A duhet të dinë diçka ata?

Sekretaret e zëdhënëset, janë më në modë se bashkëshortet, e kjo vjen thjesht nga të betuarit “në nderin” e partisë. Hajdutët po ashtu, edhe vrasësit po në “nderin e partisë” betohen. Edhe ata që janë kthyer nga semaforët në zyrat e shtetit, betohen në “nderin e partisë”, si dje edhe sot.

- O Zot! - them me vete, - a thue asgjë s’ka ndryshuar në këtë vend tash 50 vite! Por shpejt e ngushëlloj veten e kujtohem, se sot nëpër zyra nuk janë më fotot e udhëheqësve, as tavolinat e prishura që zhurmonin, por ka kolltuqe të rehatshme e kondicionerë që e bëjnë m? të këndshëm të betuarit në “nderin e partive”!

Të betohesh “në nderin” e shitur të partisë, nuk të bën të ndershëm, as të besueshëm. Po! Të bën me më shumë pushtet, me më shumë para, me më shumë dashtnore, me makina të bukura, dikë me shoqërues e me shoqëruese. Nuk të bën as më të dashur për njerëzit. E kundërta vërtetohet lehtësisht. Të duartrokasin sa je në maja e ke diçka në dorë ndaj tyre dhe të abandonojnë e urrejnë pastaj, hapur e fshehur. Shembuj keni sa të doni. Në se s’doni të shkoni larg riktheni në pasqyrën e mendjes pamjet e ish – njeriut më të pushtetshëm ndonjëherë në Shqipëri pak kohë më parë dhe krahasoni me ato të sotmet live nga salla e gjyqit.

Po, a na duhet ndershmëria e partive politike? Sigurisht që po. Sot më shumë se kurrë. A ka rrugë për të krijuar një marrëdhënie ndershmërie mes të përzgjedhurve të tyre e vetë partive dhe këtyre të fundit e popullit? Sigurisht që ka e ajo është vetëm një: partiakët e vegjël të pushojnë duartrokitjet ndaj lajthitjeve të drejtuesve partiakë e ata ta analizojnë veten e të hapin rrugë zhvillimeve të reja në vend, se e morën në qafë këtë popull tash 35 vite, pothuajse aq vite sa partia komuniste e me të njëjtat metoda “ndershmërie”, shumëfish më të thelluara e të sofistikuara për shkak të zhvillimeve bashkëkohore që, edhe pse me pikatore, kanë mbërritur edhe tek ne.

Lezhë, më 28 prill 2026