Ilir Çumani: A ka ardhur koha që moçali mediatik në Shqipëri të braktiset…!?

42m më parë


A KA ARDHUR KOHA QË MOÇALI MEDIAL NË SHQIPËRI TË BRAKTISET DHE TË KETË FYTYRËN KURAJOZE TË SIDORELËS….!?

Nga Ilir Çumani

Ajo që panë drejtpërdrejt të gjithë shqiptarët, i madh e i vogël, çdo fëmijë, çdo i ri e plak në ekranin e Top Channel, gjatë emisionit “Shqipëria Live”, në përballjen e një interviste të tensionuar mes Kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Sidorela Gjoni, ishte shumë më tepër sesa një debat i zakonshëm televiziv.

Besoj se ishte një çast i rrallë në jetën publike shqiptare, një moment që befasoi dhe njëherazi ngjalli admirim e respekt, por mbi të gjitha, që na rikujtoi leksionet dhe postulatet e njërit prej figurave italiane më të ndritura dhe më me integritet të botës mediale Indro Montanelli se, gazetaria, edhe kur duket e gjunjëzuar, ende nuk ka vdekur plotësisht.

Ai çast i debatit pa filtra në intervistën e Kryeministrit me gazetaren Sidorela Gjoni, na kujtoi gjithashtu se, përballë një pushteti që prej vitesh është mësuar të mos pyetet, të mos kundërshtohet dhe të mos vihet në siklet nga ekranet dhe portalet që vetë i ushqen, një gazetare pati guximin të mos sillet si manekin në një dekor studioje, por si një zë i vërtetë i interesit publik.

Pikërisht kjo ishte ajo që e befasoi opinionin: jo agresiviteti, jo debati, por normaliteti i munguar i gazetarisë së vërtetë.

Natyrisht, ky moment nuk mund të pëlqehej nga ajo pjesë e madhe e medias shqiptare që prej kohësh ka hequr dorë nga misioni i vet publik.

Jo nga ata gazetarë të lodhur e të frustruar, të “burgosur” mes interesave të pronarëve dhe pazareve politike, por nga ajo aradhë mercenarësh dhe jes-menësh pa shtyllë kurrizore, që përmes gogësimave dhe jargavitjes zhurmojnë mbrëmjeve në ekrane televizive të blera, në përmbushjen e të vetmit mision: për të grasatuar rrotat e qerres së makinerisë së frikshme të korrupsionit shtetëror.

Janë pikërisht këta robër mjeranë të së pavërtetës, që prezantohen me mantelin e “analistëve”, “opinionistëve” dhe influencuesve të rekrutuar nga pushteti korruptiv, të shndërruar në mercenarë të propagandës moderne, të cilët, të superpaguar me honorare marramendëse dhe me favore të pista, kanë marrë përsipër misionin më të rrezikshëm për një shoqëri: shpëlarjen sistematike të trurit të qytetarëve.

Mbrëmje pas mbrëmjeje, në studio televizive të mbushura me zhurmë, arrogancë dhe hipokrizi, shqiptarëve u serviret jo e vërteta, por versioni i fabrikuar i saj; jo debati i lirë dhe konstruktiv, por koreografia e bindjes; jo analiza, por propaganda e paketuar si mendim, me një qëllim të vetëm ogurzi.

Dhe në këtë kënetë mediatike, ku shumë ekrane janë kthyer në zyra e kthina shtesë të pushtetit, çdo akt kurajoje profesionale duket si një rebelim i papritur kundër një sistemi të tërë nënshtrimi.

Prandaj ajo që ndodhi në atë studio televizive mori një kuptim shumë më të madh sesa vetë intervista. Ishte një kujtesë publike se gazetaria nuk lind për t’i bërë fresk pushtetit, por për ta vënë atë përballë përgjegjësisë dhe se gazetari nuk duhet të jetë zëdhënës i qeverisë, por shqetësim i saj.

Ndoshta pikërisht këtu nis pyetja më e rëndësishme për median shqiptare sot: a ka ardhur më në fund koha që kjo kënetë e pushtuar nga servilizmi, frika dhe pazari, të përballet me fytyrën e vërtetë të gazetarisë?

Dhe përballë këtij sfondi të zymtë, që ka bllokuar prej dekadash çdo arterie të mendimit, duke çuar deri në paralizë nervin e ndërgjegjes dhe të reagimit qytetar, vjen një moment kur një intervistë pushon së qeni thjesht një përballje pyetjesh dhe përgjigjesh të parafabrikuara më parë në kuzhinën propagandistike të pushtetit, për t’u kthyer në një akt simbolik.

Ky është një çast ku publiku nuk sheh më vetëm një kryeministër dhe një gazetare përballë njëri-tjetrit, por sheh pushtetin si tronditet përballë së vërtetës. Sheh arrogancën përballë këmbënguljes. Sheh frikën e pushtetit nga pyetja e lirë.

Kjo ndodhi edhe në intervistën e fundit të Kryeministrit Edi Rama në Top Channel, kur gazetarja Sidorela Gjoni guxoi të bëjë atë që sot, fatkeqësisht, është kthyer në një akt të rrallë në median shqiptare: të mos tërhiqej përballë pushtetit.

Në një vend normal, kjo do të ishte detyrë elementare e gazetarisë, por në Shqipëri kjo po trajtohet si një ngjarje e jashtëzakonshme.

Dhe pikërisht këtu nis drama e vërtetë e medias shqiptare.

Sepse prej vitesh, publiku shqiptar është mësuar të shohë studio televizive të mbushura me heshtje të blera, me moderatorë që i afrohen pushtetit si oborrtarë, me analistë që e kanë shndërruar mendimin publik në biznes personal dhe me gazetarë që shpesh nuk pyesin më në emër të qytetarëve, por në emër të interesave të pronarëve, reklamave, favoreve apo frikës.

Është krijuar një kënetë mediale, ku e vërteta mbytet përditë nga propaganda, ku investigimi zëvendësohet me servilizëm dhe ku pyetja e fortë konsiderohet rrezik profesional.

Në këtë realitet të deformuar, një gazetare që këmbëngul në pyetje, që i vendos përballë kryeministrit një dokument me firmën e tij dhe që refuzon të kërkojë ndjesë për faktin se ka bërë detyrën, duket si përjashtim. Por në të vërtetë, ajo duhej të ishte norma.

Reagimi nervoz i Kryeministrit Edi Rama nuk ishte thjesht acarim momental, por një reagim klasik i një pushteti të mësuar të mos kundërshtohet, ngase pushteti autoritar nuk trembet nga sharjet. Nuk trembet as nga propaganda kundërshtare. Ai trembet vetëm nga pyetja e pakontrolluar.

Kur pushteti përballë nuk ka një gazetari të përkulur, por një gazetari që ngul këmbë, që kërkon sqarim, që nuk pranon devijimin e debatit dhe që refuzon intimidimin publik, atëherë fasada e pushtetit fillon të pësojë krisje dhe çahet deri në shembje.

Në fakt, episodi i Zvërnecit nuk është thjesht debat mbi një leje ndërtimi, por simptomë e një problemi shumë më të madh: krizës së llogaridhënies në Shqipëri.

Prej më shumë se një dekade, pushteti ka ndërtuar një marrëdhënie toksike me median: afërsi ekonomike, favore reciproke, presion selektiv dhe kontroll përmes reklamave, licencave apo privilegjeve politike.

Në këtë sistem, shumë media kanë hequr dorë nga roli i tyre kushtetues si kontrolluese të pushtetit dhe janë kthyer në mekanizma të menaxhimit të opinionit publik.

Kjo është edhe arsyeja pse publiku shqiptar shpesh nuk beson më as lajmin, as debatin dhe as ekranin.

Jo sepse njerëzit nuk duan informacion, por sepse kanë kuptuar se një pjesë e madhe e medias nuk kërkon më të vërtetën.

Ndaj edhe reagimi publik ndaj kësaj interviste ishte kaq i fortë, ngase qytetarët nuk panë thjesht një gazetare, por një personazh me një zë që u mungon prej kohësh: kurajën për të mos heshtur.

Në çdo demokraci funksionale, gazetaria nuk është dekor i pushtetit, nuk është as zyrë marrëdhëniesh publike apo kamerë që transmeton propagandë me ndriçim profesional.

Gazetaria është shqetësim publik. Është bezdi për pushtetin. Është pyetje që nuk i pëlqejnë qeverisë. Është insistim për transparencë edhe kur pushteti acarohet.

Prandaj problemi sot nuk është nëse Kryeministri u nervozua apo ndërpreu intervistën. Problemi është shumë më i thellë: pse na duket lajm fakti që një gazetare bëri detyrën e saj?

Ky është treguesi më dramatik i degradimit të hapësirës mediale shqiptare, sepse kur profesionalizmi konsiderohet heroizëm, do të thotë se standardi ka rënë në fund.

Shqipërisë nuk i mungojnë gazetarët e aftë, kurajozë dhe me integritet moral e profesional, por i mungon liria reale për të ushtruar profesionin pa presion, pa autocensurë dhe pa frikë. I mungojnë pronarët e medias që e konsiderojnë gazetarinë shërbim publik dhe jo investim politik. Pra, i mungon solidariteti profesional kundër intimidimit të pushtetit. Por mbi të gjitha, i mungon rikthimi i dinjitetit të gazetarisë.

Në një shoqëri ku gazetarët heshtin përballë pushtetit, është një shoqëri ku qytetarët mbeten të verbër përballë së vërtetës.

Ndaj edhe pyetja sot nuk është më vetëm çfarë ndodhi në atë studio televizive, por: a ka ardhur koha që këneta mediale shqiptare të pastrohet nga mercenarët e pushtetit dhe të ketë më shumë fytyrën e gazetarisë që nuk i ul sytë përballë së vërtetës?

Tiranë, e diel - 14 qershor, 2026