Idriz Zeqiraj: Penalizimi i qëllimshëm i kolonel Rrustem Berishës?!
Kolonel
Rustem Berisha, Komandant i Luftës të Koshares
PENALIZIMI I QËLLIMSHËM I KOLONEL RRUSTEM BERISHËS?!
(Vijon
nga "Dhjerësit e vlerave të luftës, shantazhojnë shtetin")

Për habinë e të gjithë atyre që e
njohin Komandantin e Luftës të Koshares, Kolonel Rrustem Berisha, emri i tij
figuron në listën e Komisionit të penalizuar, akuzuar për falsifikimin e
"Dëshmisë të Veteranit"!? Ai nuk e ka vendin në -bankë e
zezë", përkrah falsifikatorëve. Lufta ballore e Koshares ka pasur komandë
të mirëfilltë ushtarake të organizuar. Ekziston lista emërore pranuese e
luftëtarëve, me identitetin e saktë të secilit ushtar-luftëtar. Nuk ka pasur
asnjë mundësi falsifikimi dhe janë të verifikueshëm në çdo kohë, Sektori -Lufta
e Koshares-, në Arkivin shtetëror.
Prandaj, e inkurajoj Kolonel Rrustem
Berishën, të kërkojë sqarim-llogari nga Prokuroria, se mbi ç`bazë është ngritur
akt-akuza kundër tij?!
Kolonel Berisha duhet të veçohet nga kjo
listë e ndotur, sepse Koloneli ka dhënë prova se nuk merret me pisllëqe të
tilla. Dhe kjo bëhet qëllimshëm, jo vetëm për ta dëmtuar imazhin e tij
personal, por edhe të luftëtarëve të tij dhe Luftën e Koshares, në përgjithësi.
Aludimi është i qartë: "Edhe Kosharja ka prodhuar "veteranë" të
rrejshëm!" Por, kjo demantohet lehtësisht, pasi dokumentacioni me
identitet e ushtarëve, hyrjet datore në Komandë, është ruajtur në plotëni në
Arkivin Komandës të Koshares. Njëherësh, edhe Shoqata e luftëtarëve të Koshares,
duhet të kërkojë sqarim, pse është penalizuar Kolonel Berisha?!
Mendoj se futja në një listë me
Komisionin skajshëm të përfolur, për falsifikime groteske, të "Dëshmive të
Veteranëve", të Kolonel Berishës, ka qenë e qëllimshme, ngaqë hileqarët,
profiterët e luftës, janë të njohur për marifetllëqe të tilla. Madje, historia
e afërt ka dëshmuar, se për ta përvetësuar luftën dhe betejat e pabëra, janë
shuar shumë jetë komandantësh të shquar të FARK-ut të Dr. Ibrahim Rugovës.
Këta kallës të Flamujve të Dardanisë,
shumë syresh janë të penalizuar dhe dëshmitarë në gjyqin e Hagës, me akuzën si
Ndëmarrje e Përbashkët Kriminale. Kur belbëzonin, përgjatë dëshmive të tyre,
kryetari i Gjyqit i siguronte, "flisni lirshëm, se nuk do t`ju arrestojmë!"
Pra, secili prej tyre ishte dhe është kandidat për hekura, për të
"bëmat" e tyre kriminale gjatë dhe pas luftës.
Lufta e Koshares, por jo beteja e
Koshares, siç e ngatërrojnë disa të painformuar mjaftueshëm. Ajo nuk është
betejë në njëjës, por varg betejash, në shumës, të cilat përbëjnë Luftën e
Koshares. Gjeneral Agim Çeku, dikur, në cilësinë e kryeministrit, nga tribuna e
Koshares, në mes tjerash, ka pranuar se "Lufta e Koshares legjitimoi
Luftën Çlirimtare të Kosovës". Ajo vlerësohet si emblema e të gjithë
Luftës të Kosovës.
Luftë ballore në Drenicë, e udhëhequr
nga tribunët popullorë, Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, me luftëtarët
nacionalistë dhe Lufta ballore e Koshares, kanë ngjashmëri. Ato janë dy luftat
të vetme, në historinë shqiptare, të cilat llogaritën fitimtare, në raport me
forcat ushtarake, të palëve ndërluftuese, sepse numri i luftëtarëve të vrarë,
ishte i balancuar.
OVL e PAN-it, gjithëherë kanë
minimizuar Luftën e Kosharës, madje deri në mohimin e saj. Komisioni i
penalizuar faktueshëm, për falsifikimin e listave të veteranëve, kundërshtonin
pranimin e luftëtarëve të Kosharës si veteranë të luftës?!
Armiqësia e krerëve dhe të eksponentëve
të OVL, përkatësisht, të PAN-it, ishte dhe mbetet aq e hapur dhe inatçore, ndaj
luftëtarëve të Koshares, sa që fletë-arresti i parë ushtarak, i lëshuar nga
Shtabi, ishte pikërisht për Heroin më markant të Luftës të Kosovës, Sali
Çekaj!!
Shumë nga luftëtarët e Koshares ishin
luftëtarë në Dukagjin, nën komandën e Kolonel Tahir Zemaj. Ata kanë Shoqatën e
tyre të veteranëve dhe nuk janë pjesë e OVL të sotme, zhurmuese e shantazhuese
të shtetit të Kosovës! Sepse krerët dhe eksponentët e saj kanë qenë dhe mbeten
militantë të tërbuar të PAN-it, të cilët janë implikuar dhe kriminalizuar në
kidnapime, maltretime deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Kujtoni kalvarin e -Brigadës Mërgimi-
të Kolonel Tahir Zemaj, të cilët u maltretuan në rrugën për në Koshare. Ata u
kthyen dhunshëm në Tropojë, në rrugën për në Koshare, duke u kthyer në
Kukës, respektivisht, në kufirin e Morinit, u çarmatosën nga bandat e
uniformuara të Dukagjinit në Prizren, Gjakovë dhe në Pejë! Përgjatë gjithë
rrugëtimit, u ndaluan, u kontrolluan, u rrahën, u plaçkitën, u zhveshën, u
poshtëruan në mënyrë më kriminale, sa që turpërohet çdo shqiptar, që ata
banditër të janë pjesë e kombit! Megjithatë, këta mujsharë e dajakxhinj, janë
kuadro dhe "veteranë" të luftës!
Djemtë luftëtarë, të maltretuar, të
dërrmuar nga dajaku banditesk, u dërguan ke Prefekti i Pejës, Et`hem Çeku, i
cili urdhëroi t`i dorëzohen Shtabit të Dukagjinit. Asaj nate të zezë,
komandantët e tyre u maltretuan deri në mbytje në malet e Ratishit të Deçanit.
Këtë kalvar e ka përshkruar me besnikëri të madhe, Komandanti i -Betejes
fitimtare të Loxhës- , Kolonel Tahir Zemaj, në librin "Kështu foli Tahir
Zemaj", me autorë Arbër Ahmetaj dhe Sefedin Krasniqi. Ngjarje të ngjashme,
të kësaj natyre, përgjatë luftës dhe pas saj, janë të bollshme.
Historia më e re e Kosovës, duhet
domosdo të rishikohet, madje deri në rishkrim, sepse është rrastë e
falsifikuar, siç e kanë pranuar edhe të akuzuarit për krime lufte dhe krime
kundër njerëzimit, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë. Disa
zyrtarë të lartë dhe eksponentë të tjerë të PAN-it, ngulmojnë të mos rishkruhet
historia e Kosovës.
Por, referuar falsifikimeve groteske
faktike të bëra, një pjese të historisë së re dhe tërësisht të historisë të
sotme, rishkrimi do të jetë i pashmangshëm. Kjo ka ndodhur në Shqipëri, pas
rishkrimit të historisë, "tradhtarët" e djeshëm, të shpallur nga
filo-sllavi Enver Hoxha, me stalinistët e tij, sot janë atdhetarë të shquar dhe
Heronj të nderuar të popullit shqiptar.










