Fadil Maloku: Konsullata serbe në Shkodër, fillimi i defaktorizimit të Kosovës?

57m më parë

Konsullata serbe në Shkodër, fillimi i defaktorizimit të Kosovës?

Shkruan Prof.  Dr. Fadil Maloku, sociolog i globalizmit

Ditëve të fundit po vërej që ka pak apo aspak interesime analitike, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, për një iniciativë (lexo: djallëzi apo kurth!) të re, të cilën Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e bëri të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc. Ky ministër, që njihet me pikëpamjet, por edhe me qëndrimet dhe prononcimet nacionaliste e shoviniste ndaj shqiptarëve jashtë trojeve të tyre, në "Radio Beograd" deklaroi se "është i kënaqur me bisedimet që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha".

Dhe, nëse tani këtë iniciativë e interpretojmë nga "gryka" e dioptrisë sonë sociologjike, pa dyshim që mund të kuptojmë shumë detaje të ambicies dhe synimeve serbe në "arkitekturën" e re gjeopolitike që po synohet apo pretendohet të ngrihet pas proceseve dhe zhvillimeve që po ndodhin në Lindje.

E para, kjo nismë nuk mund të thuhet se është vetëm një ide puro diplomatike që ka për qëllim t'i çojë "selame" si Uashingtonit, ashtu edhe Brukselit, për fillimin e relaksimit dhe të krijimit të kushteve të reja për një siguri shumë më të lartë të investimeve strategjike të KTN-ve (Kompanive Transnacionale), e që kanë të bëjnë, kryesisht, pa asnjë dyshim, edhe me Dialogun Strategjik Serbi–Amerikë në Ballkanin Perëndimor. Meqenëse Tirana ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, analiza jonë mbështetet kryesisht në skenarin hipotetik se një marrëveshje e tillë nuk do të materializohet ad hoc, por do të shqyrtohet me "llupën e argjendarit" nga ana e qeverisë shqiptare, e cila ka shumë gjasa ta nënshkruajë, kur kihet parasysh lidhja apolitike e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin.

E dyta, për Kosovën, rreziku nuk ndërlidhet domosdoshmërisht vetëm me aktin dhe faktin e hapjes së një konsullate (absurde, në gjykimin tim) serbe në Shkodër, por ekskluzivisht me fillimin e ndryshimit të arkitekturës së marrëdhënieve aktuale. Pra, nëse Serbia arrin të ndërtojë marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar pa e vendosur Kosovën në qendër të dialogut politik shqiptaro-serb, atëherë pesha strategjike e Kosovës mund të zbehet dukshëm në proceset dhe zhvillimet e ardhshme në këtë pjesë ende të brishtë të kontinentit. Thënë edhe më qartë, rreziku evident nuk qëndron aq shumë te instalimi i një konsullate formale si institucion diplomatik, që në formë e ka të trasuar misionin e saj afatgjatë (se shteti serb nuk është aq naiv), sa te narrativa që ajo, në përmbajtje, mund të sjellë në të ardhmen. Narrativë kjo që e ka për synim, e do të shtoja edhe si imperativ strategjik, bartjen apo transferimin e "çështjes së Kosovës" në nivelin e "marrëdhënieve (ekskluzivisht) Shqipëri–Serbi", ku Republika e Kosovës definitivisht do të pushonte së qeni faktor dhe lojtar domethënës e i rëndësishëm i ekuilibrave rajonalë në të ardhmen.

Së treti, nëse kësaj nisme qeveria aktuale e Shqipërisë, së cilës, siç po duket, i ka ardhur fundi me skandalet rreth pronave shtetërore dhe korrupsionit galopant, i del zot dhe e pranon si të tillë, atëherë, pa asnjë dyshim, i bie që ajo komunikimin institucional po e zëvendëson me logjikën e konfrontimit në një të ardhme të afërt, për çka Serbia edhe publikisht ka deklaruar se është duke pritur këtë moment... dhe se Ballkani Perëndimor, definitivisht, po futet në një etapë të panjohur, ku interesat praktike e pragmatike kanë shumë më tepër "peshë specifike" sesa kujtesa e njohur historike, kur Serbia, në vitin 1912, në aleancën greko-bullgare dhe atë malazeze, copëtoi pa mëshirë trojet etnike shqiptare.

Megjithatë, pyetja milionëshe mbetet të marr përgjigjen e duhur se nëse, përmes kësaj iniciative nga ana e Serbisë, do të fillojë të ndërtohet një arkitekturë e re e marrëdhënieve shqiptaro-serbe përmes diplomacisë së konsullatave, apo këtu kemi të bëjmë me një strategji të re të defaktorizimit të shtetit të Kosovës...?

Në këtë pyetje duhet të përgjigjen si klasa jonë politike, ashtu edhe diplomacia që ende është e përgjumur, bashkë me gjithë ata alamet juristësh që tashmë i kemi edhe për eksport...