Luan Rama: Zyra ku duhet të shtrihesh për t’u bërë ambasador
ZYRA KU DUHET TË SHTRIHESH
PËR T’U BËRË AMBASADOR

Dëshmia
e Kryeministrit të Shqipërisë se Mustafa Nano i paska shkuar në zyrë dhe, pasi
iu shtri “aty në kolltuk” i kërkoi që ta çonte diku ambasador të Republikës së
Shqipërisë, nuk është një episod i thënë kalimthi nën joshjen e një tufe
duartrokitësish të mjerë.
Është
dëshmi me zë dhe me figurë nga vetë Kryeministri, që të kuptojmë se si
respektohet ligji në Shqipëri dhe se sa vlerësohet karriera, profesionalizmi
dhe meritokracia.
Në
një gjendje jo edhe aq të pashpjegueshme, ai, pra vetë Kryeministri, ndërsa
donte të tallte dhe të denonconte një qytetar të lirë të këtij vendi që krejt
në të drejtën e vet ka shprehur një opinion kundër Kryeministrit, në fakt na
zbuloi se si (sh)përdoret pushteti, përgjegjësia dhe besimi në kundërshti me
ligjin dhe në cënim të standardeve që normojnë mënyrën se si duhet të
funksionojnë institucionet e shtetit.
Me
kërkesën për t’u emëruar ambasador (qoftë edhe “shtrirë në kolltukun e zyrës së
Kryeministrit”), qytetari i përgojuar nga Kryeministri nuk ka bërë asnjë mëkat,
nuk ka kryer asnjë faj. Në fund të fundit, çdokush ka të drejtë të aspirojë dhe
të kërkojë pse jo, edhe të bëhet ambasador.
Në
këtë rast problemi është vetëm Kryeministri.
Së
pari, sepse ai është vënë mbi ligjin.
Emërimi
i ambasadorëve, në çdo sistem që pretendon normalitet institucional, duhet të
jetë produkt i procedurave të qarta, i kritereve profesionale dhe i standardeve
të karrierës diplomatike. Çdo devijim nga kjo logjikë, apo çdo perceptim publik
se emërimet lidhen me “shtrirjen në kolltukun e zyrës së Kryeministrit” e zhbën
vetë idenë e karrierës dhe të meritokracisë në diplomaci.
Së
dyti, sepse mesazhi që u përcillet atyre që shërbejnë në Ministrinë për Evropën
dhe Punët e Jashtme dhe në gjithë shërbimin e jashtëm është thellësisht fyes.
Dhjetëra
diplomatë që ndër vite ndërtojnë karrierën mbi profesionalizëm, përvojë dhe
disiplinë institucionale, emërimi ambasador “pasi je shtrirë në kolltukun e
zyrës së Kryeministrit” është goditje e drejtpërdrejtë ndaj integritetit të
shërbimit diplomatik.
Së
treti, sepse ky rast, i pranuar publikisht nga vetë Kryeministri, mund të mos
jetë një rast i vetëm.
Çdokush
ka të drejtë të mendojë se për t’u emëruar në një detyrë shtetërore, jo vetëm
ambasador, por edhe drejtor, deputet a ministër, duhet të dish “të shtrihesh në
kolltukun e zyrës së Kryeministrit”.
Fakti
që ky mesazh vjen nga vetë Kryeministri, e bën atë shumë më të rëndë në
ndikimin e tij publik.
Së
katërti, sepse është cenuar një element që shpesh neglizhohet, por që është
thelbësor në funksionimin e shtetit: konfidencialiteti i komunikimit në zyrën e
Kryeministrit.
Një
person që takon Kryeministrin, qoftë edhe për t’i kërkuar një nder a një vend
pune, ka të drejtë të besojë se biseda mbetet mes tyre. Dhe se për çfarëdo
arsye, nuk do të mund të përdoret më vonë siç u përdor publikisht dhe
politikisht nga Kryeministri, si mjet ironie apo si instrument poshtërimi.
Dhe
në fund një pyetje:
përse
u tregua kjo histori pikërisht tani?
A
do ta kishte treguar Kryeministri historinë e tij me Mustafa Nanon, nëse ky i
fundit nuk do të kishte shprehur publikisht qëndrime kritike kundër
Kryeministrit?
Afërmendsh
që jo.
Kryeministri
donte të jepte një mesazh. Dhe në fakt e dha: mosmirënjohës, mbylle gojën dhe
mos harro se kush të bëri ambasador!
Pikërisht
këtu shfaqet deformimi më i madh i konceptit të shtetit.
Çështja
nuk mbetet më te episodi “shtrirë në kolltukun e zyrës së Kryeministrit”, por
te imazhi institucional që ndërtohet prej atij episodi.
Sepse
në diplomaci, imazhi nuk është detaj dytësor; është pjesë e vetë fuqisë së
shtetit.
Dhe
në rrënimin e këtij imazhi, Kryeministri nuk është i vetëm. Atë e kanë ndihmuar
edhe institucionet e tjera që janë sjellë si noterë pa zë; Ministria e Jashtme,
komisioni përkatës i Kuvendit dhe Presidenti i Republikës.
Sepse,
edhe ata me sa duket janë “shtrirë tek ai kolltuku” në zyrën e Kryeministrit.
https://www.facebook.com/luan.rama.199429


