Lekë Mrijaj: Një tryezë e mikpritjes dhe kujtesës shqiptare në mërgatë

Restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” në Hamburg të Gjermanisë – një tryezë e mikpritjes dhe kujtesës shqiptare në mërgatë

Mbrëmë,
në ambientet e ngrohta, elegante dhe mikpritëse të restorantit prestigjioz
“Luisenhof & Dubrovnik” në Hamburg të Gjermanisë, pata kënaqësinë e veçantë
të mirëpritesha miqësisht, me shumë respekt, përzemërsi dhe kulturë të lartë
fisnike e njerëzore nga vëllezërit Bisaku: Alberti, Vilsoni dhe Pjetri, më
konkretisht edhe nga babai i tyre inxhinieri i diplomuar, z. Nue Bisaku,
ish-menaxher i lartë në ndërmarrjen e mirënjohur “Metaliku” në Gjakovë, i cili
edhe është njëri ndër pinjollët e familjes së Augustin Bisakut, ish-mërgimtar i
hershëm dhe, më vonë, ish-deputet i PSHDK-së në Kuvendin e Republikës së
Kosovës përgjatë viteve ’90-ta.
Mbrëmja
në fjalë nuk ishte vetëm një takim i zakonshëm miqësor, as vetëm një darkë në
një restorant të njohur të Hamburgut. Ishte një përjetim i thellë njerëzor, një
çast i bukur ku tryeza u bë dëshmi e mikpritjes, ku fjala si fjalë u bë urë
afërsie dhe ku kujtesa shqiptare mori frymë në zemër të mërgatës.
Në
atë ambient të rregulluar me shije, me shërbim të kujdesshëm dhe me sjellje të
përzemërt, njeriu e ndiente se ndodhej jo vetëm para një darke, por para një
tradite të gjallë të trashëguar, ku buka, nderi, miqësia dhe fjala e mirë e
kishin vendin e tyre të merituar.
Restoranti
“Luisenhof & Dubrovnik” nuk është thjeshtë vetëm një adresë gastronomike,
por një hapësirë ku bashkohen shija, kujtesa, puna, familja dhe identiteti.
Pra, është një vend ku mërgimtari shqiptar e gjen jo vetëm aromën e një kuzhine
të mirë, por edhe ngrohtësinë e një dere të hapur, të një buzëqeshjeje të
sinqertë dhe të një fjale që të bën të ndihesh i mirëpritur. Në këtë kuptim,
“Luisenhof & Dubrovnik” nuk është vetëm restorant, por, është një tryezë e
madhe njerëzore, ku njeriu ndihet i nderuar, i respektuar dhe i pranuar nga vet
nikoqirët dhe stafi i tyre profesional.
Familja
Bisaku, me prejardhje nga Bishtazhini i Gjakovës, bart në vete një histori që
nuk është vetëm familjare, por edhe pjesë e rrëfimit më të gjerë të mërgatës
shqiptare. Sikurse shumë familje të tjera shqiptare, edhe kjo familje fisnike e
bujare u detyrua, për shkak të rrethanave të rënda historike dhe kohës së
okupimit serb, të largohej nga vendlindja. Mirëpo largimi fizik nga atdheu i
tyre nuk ua shoj lidhjen shpirtërore me tokën, me gjuhën, me kujtesën dhe me
traditën. Përkundrazi, ajo lidhje u bë edhe më e fortë, sepse malli për
vendlindjen shpesh e kthen njeriun në rojtar më të kujdesshëm të rrënjëve të
veta. Pra, ata u larguan nga vendlindja, por nuk u ndanë asnjëherë prej saj. U
vendosën në një vend tjetër, por nuk e harruan prejardhjen. U integruan dhe u
shkolluan dhe u specializuan në një shoqëri evropiane, por nuk e humbën
identitetin shqiptar.
Nëpërmjet
punës, korrektësisë, mirësjelljes dhe kulturës familjare, ata dëshmuan se
shqiptari, kudo që jeton, kur mbështetet në punë të ndershme, në dinjitet dhe
në përkushtim, mund të bëhet shembull i mirë i integrimit, i qytetarisë dhe i
mikpritjes.
Në
këtë kuptim, historia e restorantit “Luisenhof & Dubrovnik” nuk është vetëm
histori e një biznesi të suksesshëm familjar në mërgatë, por, është histori
pune, sakrifice, qëndrese, solidariteti dhe integrimi dinjitoz. Njëkohësisht
është një histori e një familjeje që, larg vendlindjes, nuk zgjodhi të harrojë,
por të ndërtojë, nuk zgjodhi të mbyllet në dhimbjen e largimit, por të hapë një
derë mikpritjeje; nuk zgjodhi vetëm mbijetesën, por krijimin e një emri të
mirë.
Vëllezërit
Bisaku, me punën e tyre të palodhshme, me përkushtim profesional dhe me
ndjenjën e rrallë të mikpritjes, e kanë shndërruar këtë restorant në një adresë
të mirënjohur të gastronomisë, të shijes së kultivuar dhe të bashkimit
njerëzor, kulturor e kombëtar në mërgatën shqiptare. Ata nuk e kanë ndërtuar
emrin e “Luisenhof & Dubrovnik” vetëm me ushqim të mirë, por edhe me
mirësjellje të mirë; jo vetëm me shërbim korrekt, por edhe me zemër të hapur;
jo vetëm me traditë kulinare, por edhe me kulturë njerëzore.
Restoranti
i tyre nuk është thjeshtë një hapësirë ku shkohet për të shijuar një mëngjes,
drekë apo darkë të mirë, por, është një vend ku tryeza merr kuptim më të gjerë
dhe më të thellë. Ajo bëhet vend takimi, vend kujtese, vend bisede, vend
miqësie dhe vend ku shija lidhet natyrshëm me shpirtin e mikpritjes. Në këtë
ambient prestigjioz, ushqimi nuk paraqitet vetëm si art kulinar, por edhe si
gjuhë e heshtur e respektit, si shprehje e përkujdesjes dhe si dëshmi se
gastronomia, kur bëhet me zemër, shndërrohet në kulturë. Në traditën shqiptare,
tryeza nuk ka qenë kurrë vetëm vend ushqimi. Ajo ka qenë vend i fjalës së mirë,
i besës, i pajtimit, i nderimit të mikut, i bashkimit familjar dhe i
solidaritetit njerëzor. Përreth tryezës janë ndarë gëzime, janë zbutur dhimbje,
janë ruajtur miqësi dhe janë forcuar lidhje. Në këtë frymë, edhe restoranti
“Luisenhof & Dubrovnik” duket se e ka trashëguar këtë kuptim të thellë të
tryezës shqiptare. Aty ushqimi nuk është vetëm një ushqim, por shenjë afërsie;
gota dhe dollia e bekuar e ngritur nuk janë vetëm pjesë e darkës, por shenjë
gëzimi; fjala nuk është vetëm bisedë, por urë ndërmjet njerëzve.
Që
nga viti 1958 kur hapi dyert për herë të parë ky restorant, e sidomos me një
traditë mbi 25-vjeçare në pronësi të familjes Bisaku, “Luisenhof &
Dubrovnik” ka ndërtuar emrin e tij mbi themelet e cilësisë, korrektësisë,
shërbimit të kujdesshëm dhe dashurisë për mysafirin, pa dallim race, feje,
kombësie apo ngjyre. Çdo detaj, nga pritja e ngrohtë në hyrje deri te mënyra e
shërbimit, nga atmosfera familjare deri te kujdesi për shijen dhe estetikën e
pjatës, dëshmon për një përvojë të gjatë, për një kulturë pune dhe për një
ndershmëri profesionale që nuk krijohet brenda një dite, por ndërtohet me vite,
me mund, me durim, me dinjitet dhe me emër të mirë. Në kuzhinën e këtij
restoranti ndihet një harmoni e kujdesshme ndërmjet traditës dhe përvojës
moderne gastronomike.
Shijet
janë të përzgjedhura me kujdes, të përgatitura me përkushtim dhe të shërbyera
me atë hijeshi që e dallon një restorant serioz nga një hapësirë e zakonshme
ushqimi. Aty kuzhina nuk është vetëm zanat, por art; nuk është vetëm shërbim,
por mikpritje; nuk është vetëm ushqim, por përjetim. Aroma e gatimeve,
ngrohtësia e ambientit dhe sjellja njerëzore e mikpritësve krijojnë një ndjenjë
të veçantë afërsie, sikur njeriu të mos gjendej vetëm në restorant, por në një
shtëpi të madhe miqsh. Kjo është bukuria e gastronomisë kur ajo nuk mbetet
vetëm në meny, në pjata dhe në shërbim teknik. Gastronomia e vërtetë ka shpirt.
Ajo përfshin kujdesin ndaj mysafirit, pastërtinë e ambientit, shijen e
përzgjedhur, fjalën e mirë, rendin, mikpritjen dhe atmosferën. Kur këto
bashkohen, atëherë një restorant bëhet më shumë se vend ushqimi: bëhet hapësirë
kujtese, lidhjeje dhe përjetimi njerëzor.
Nëpërmjet
këtij restoranti, vëllezërit Bisaku nga Bishtazhini i Gjakovës kanë dëshmuar se
suksesi në mërgatë nuk vlerësohet vetëm me qëndrueshmëri ekonomike, por edhe me
aftësinë për të ruajtur nderin, kulturën dhe emrin e mirë të shqiptarit. Ata
kanë arritur që, përmes punës së tyre të përditshme, të ndërtojnë një hapësirë
ku mysafiri ndihet i respektuar, ku shqiptari ndihet i përfaqësuar dhe ku miqtë
e huaj e njohin nga afër fisnikërinë e mikpritjes sonë. Në jetën e mërgatës,
vende të tilla kanë rëndësi të veçantë, sepse ato nuk janë vetëm pika shërbimi,
por edhe pika takimi. Aty njeriu nuk gjen vetëm një tryezë të shtruar, por edhe
një fjalë të mirë, një buzëqeshje të sinqertë, një kujdes njerëzor dhe një
ndjenjë afërsie.
Në
këtë mënyrë, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” është bërë pjesë e një
kulture më të gjerë shoqërore, ku gastronomia bashkohet me kujtesën, me
identitetin dhe me jetën e përditshme të shqiptarëve në Hamburg.
Në
mërgatë, njeriu shpesh jeton ndërmjet dy botëve: ndërmjet vendit ku ka lindur
dhe vendit ku ka ndërtuar jetën. Në këtë mes, hapësira të tilla bëhen ura
shpirtërore. Ato e zbusin mallin për vendlindjen, e afrojnë njeriun me gjuhën e
vet, me miqtë e vet, me kujtesën e familjes dhe me ndjenjën e përkatësisë. Në
një tryezë të tillë, shqiptari nuk është vetëm konsumator; ai është pjesë e një
kujtese, pjesë e një bashkësie, pjesë e një historie që vazhdon të shkruhet
larg atdheut.
Gjatë
viteve, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” është vizituar nga figura të
rëndësishme shtetërore, publike dhe shoqërore nga Gjermania, duke filluar nga
ish kancelari Olaf Scholz, dikur kryetar i Bashkisë së Hamburgut dhe
paraardhësve të tij në Hamburg, Christoph Ahlhaus, Ole von Beust, Ortwin Runde,
Henning Voscherau e deri te kryebashkiaku aktual Peter Tschentscher.
Njëri
prej tyre, Ortwin Runde, pas vitit 2001 kur e kishte përfunduar mandatin si
kryebashkiak i Hamburgut ka qenë edhe këshilltar i presidentit historik të
Kosovës, Ibrahim Rugova dhe e kishte vizituar Prishtinën disa herë.
Shërbimet
cilësore të këtij restoranti i kanë shijuar edhe figura të shquara të kulturës,
sportit, shkencës, ekranit dhe muzikës gjermane, me këtë rast po i veçojmë
këngëtaret e mirënjohur Katja Ebstein dhe Rolf Zuckowski, e shumë të tjerë, e
së fundi aktori Nicolas König, që ishte në organizimin e një aktiviteti për
filmat e Karl May-it, organizim ky tradicional që zhvillohet çdo vit në
restorantin „Luisenhof & Dubrovnik“. Një pjesë e filmit të suksesshëm „Der
Schutt“ në vitet e 60ta të shekullit të kaluar, në rolin kryesor aktorin
amerikan Lex Barker, ishte xhiruar në Bishtazhin të Gjakovës në vitin 1964,
saktësisht tek Stena e bukur që ndodhet mbi Urën e Fshajt.
Ndër
personalitetet që përmenden në kujtesën e këtij ambienti në restorantin
Luisenhof & Dubrovnik janë edhe emra të njohur të botës politike,
akademike, kulturore, artistike, diplomatike dhe kishtare. Studiuesit dhe
historianët e njohur Noel Malcolm dhe Bernd Fischer, piktori i shquar Gjelosh
Gjokaj, zyrtarë të lartë nga Shqipëria dhe Kosova, kryeministra, ministra,
ambasadorë, konsuj e përfaqësues të tjerë e deri te kardinali shqiptar Ernest
Simoni Troshani, e kanë vizituar këtë restorant.
Prania
e këtyre personaliteteve me renome në këtë ambient dëshmon se “Luisenhof &
Dubrovnik” ka qenë dhe mbetet një vend me reputacion, një adresë e besueshme
dhe një hapësirë ku njerëz të fushave të ndryshme janë takuar jo vetëm për një
darkë, por edhe për bisedë, bashkëpunim, miqësi dhe kujtesë të përbashkët. Në
këtë mënyrë, restoranti nuk mbetet vetëm pjesë e hartës gastronomike të
Hamburgut, por bëhet edhe pjesë e një harte më të gjerë kulturore dhe shqiptare
të mërgatës sonë. Jo rastësisht ky restorant i ka fituar disa çmime dhe këtë
vit është përzgjedhur në mesin e 100 restorantëve më të mirë që i ka Hamburgu
me dy milionë banorë.
Përtej
dimensionit gastronomik e hotelier, ky restorant, ndër vite, ka qenë edhe vatër
e shumë takimeve kulturore, kombëtare dhe popullore shqiptare. Në ambientet e
tij janë bashkuar njerëz të kulturës, arsimit, shkencës, veprimtarisë atdhetare
dhe jetës publike. Aty janë zhvilluar biseda, takime, kuvendime, mbrëmje dhe
tubime që kanë mbajtur gjallë lidhjen e shqiptarëve me atdheun, me gjuhën, me
historinë dhe me njëri-tjetrin.
Në
këtë kuptim, “Luisenhof & Dubrovnik” ka qenë më shumë se restorant; veç të
tjerash, ka qenë një lloj Ambasade apo Konsullate, një odë moderne shqiptare në
Hamburg, një hapësirë ku buka, fjala dhe kujtesa janë ulur në të njëjtën
tryezë. Nëse oda shqiptare dikur ishte vendi ku mblidheshin burrat e fjalës, të
kujtesës dhe të nderit, në mërgatë hapësira të tilla e kanë marrë shpesh atë
rol në një formë të re, të përshtatur me kohën, por me të njëjtin shpirt:
bashkimin, respektin, fjalën dhe kujdesin për të përbashkëtën.
Njëri
ndër vëllezërit, Albert Bisaku, i cili në Universitetin e Hamburgut ka studiuar
gazetarinë dhe shkencat për komunikim, për shumë vite ka qenë i angazhuar dhe e
ka drejtuar Unionin e Studentëve Shqiptarë „Illyria“ në Hamburg. Kjo shoqatë,
në periudhën e luftës në Kosovë dhe në dekadën e parë të këtij shekulli ka qenë
organizatë e fuqishme studentore ne Europë, në ngritjen e vlerave kombëtare dhe
sensibilizimin e opinionit gjerman për shqiptarët dhe Kosovën. Alberti për një
çerekshekulli ka shoqëruar personalitete të larta politike nga Kosova në takime
të larta në Gjermani dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për komunitetin
shqiptar në Gjermani, në mediat gjermane dhe ato shqiptare si korrespondent,
duke u bërë një urë lidhëse mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Një
vend të veçantë në kujtesën e restorantit „Luisenhof & Dubrovnik“ e zë edhe
Shoqata Atdhetare “Trojet e Arbërit”, e cila, rreth dy dekada më parë, në
ambientet e këtij restoranti kishte sjellur pas një Sesioni Shkencor, shumë
personalitete shqiptare të nivelit intelektual, shkencor dhe studimor, duke
filluar nga akademiku Mark Krasniqi, veprimtari shqiptar në SHBA, Tomë Mrijaj
dhe shumë të tjerë.
Ky
fakt i jep restorantit “Luisenhof & Dubrovnik” një dimension edhe më të
thellë kulturor dhe kombëtar, sepse dëshmon se aty nuk janë shtruar vetëm
tryeza ushqimi, por edhe tryeza mendimi; nuk janë ndarë vetëm pjata dhe gota,
por edhe ide, kujtime, projekte, vizione dhe dashuri për çështjen shqiptare.
Kjo është një dëshmi e rëndësishme se mërgata shqiptare nuk ka qenë vetëm
hapësirë pune dhe mbijetese ekonomike, por edhe hapësirë organizimi, kulture,
mendimi dhe veprimi atdhetar. Në shumë raste, në mërgatë janë ruajtur me
përkushtim gjuha, kujtesa, historia dhe ndjenja kombëtare. Restorante, salla,
shoqata, familje dhe miqësi të tilla kanë qenë shpesh vende ku shqiptarët janë
mbledhur për të folur për vendlindjen, për të kujtuar historinë, për të
përkrahur njëri-tjetrin dhe për të dëshmuar se largësia fizike nuk e shuan
dashurinë për atdheun.
Në
këtë ambient, gastronomia hoteliere dhe kultura nuk qëndrojnë të ndara.
Përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën. Një darkë e mirë krijon afërsi, një
shërbim i mirë krijon respekt, një bisedë e sinqertë krijon miqësi, ndërsa një
ambient i tillë krijon kujtesë.
Prandaj,
restoranti “Luisenhof & Dubrovnik”në Hamburg, ka arritur të bëhet pjesë e
jetës së shumë njerëzve, veçanërisht e shqiptarëve të mërgatës, të cilët në
vende të tilla nuk kërkojnë vetëm shije, por edhe pak aromë vendlindjeje, pak
ngrohtësi familjare dhe pak ndjenjë përkatësie. Në kohën kur mërgata shpesh e
ndien peshën e largësisë nga vendlindja, hapësira të tilla marrin një rëndësi
të veçantë. Ato bëhen ura shpirtërore ndërmjet atdheut dhe vendit ku jetojmë.
Bëhen vende ku takohen brezat, ku të moshuarit sjellin kujtimet e tyre, ku të
rinjtë mësojnë diçka nga rrënjët e veta dhe ku miqtë e kombësive të tjera e
njohin më mirë shpirtin shqiptar. Në këtë mënyrë, restoranti “Luisenhof &
Dubrovnik” nuk shërben vetëm ushqim, por ruan edhe një pjesë të identitetit
tonë njerëzor, kulturor dhe kombëtar.
Në
këtë dimension, vëllezërit Bisaku mund të shihen edhe si përfaqësues të asaj
mërgate shqiptare që nuk u dorëzuan para vështirësive të jetës në dhe të huaj,
por vepruan, punuan, u ngritën, u integruan dhe krijuan emër të mirë. Ata,
përmes punës së tyre, tregojnë se mërgata shqiptare nuk është vetëm histori
largimi, por edhe histori vlerash e suksesesh; nuk është vetëm histori malli,
por edhe histori dinjiteti; nuk është vetëm histori sakrifice, por edhe histori
ndërtimi.
Vlen
të potencohet se mbrëmja e djeshme në këtë restorant ishte një përjetim i bukur,
i qetë dhe domethënës. Ajo na kujtoi se mikpritja e vërtetë nuk peshohet vetëm
me pasurinë e tryezës, por me ngrohtësinë e miqësisë; nuk shihet vetëm në
cilësinë e ushqimit, por edhe në respektin ndaj njeriut; nuk shprehet vetëm me
fjalë, por me kujdes, me buzëqeshje, me përulësi dhe me fisnikëri. Aty ku
njeriu pritet me zemër, aty edhe ushqimi merr shije tjetër. Aty ku fjala është
e butë dhe shërbimi i kujdesshëm, edhe darka bëhet kujtim. Aty ku mikpritësi e
nderon mysafirin, aty krijohet ajo lidhje njerëzore që nuk harrohet lehtë.
Pikërisht këtë ndjenjë e dhuron restoranti “Luisenhof & Dubrovnik”:
ndjenjën se je i mirëpritur, i respektuar dhe i pranuar me bujari.
Prandaj,
restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” në Hamburg, nën përkujdesjen e
vëllezërve Bisaku, meriton të përmendet me respekt si një vend ku gastronomia
hoteliere bëhet kulturë, ku shërbimi bëhet art, ku mikpritja bëhet traditë dhe
ku shqiptaria merr një formë të bukur, të qytetëruar dhe dinjitoze në zemër të
Evropës së qytetëruar. Në një botë ku njerëzit shpesh nxitojnë dhe harrojnë të
ndalen pranë njëri-tjetrit, tryeza e mirë mbetet ende një nga hapësirat më
njerëzore të jetës. Aty ku ndahet buka, zbutet fjala; aty ku shërbehet me
zemër, afrohen njerëzit; aty ku ruhet kujtesa, forcohet identiteti. Tryeza
është, në njëfarë mënyre, një shkollë e heshtur e njerëzimit: aty mësohet
respekti, dëgjimi, mirënjohja, bashkimi dhe ndjenja e përbashkësisë.
Pikërisht
këtë ndjenjë na e dhuroi mbrëmë restoranti “Luisenhof & Dubrovnik”: një
mbrëmje me shije të mirë, me mikpritje të sinqertë, me kulturë të bukur, me
frymë solidare, humane dhe me aromë të pastër shqiptare.
Në
atë tryezë, ku shija u bashkua me fjalën, ku kujtesa u bashkua me miqësinë dhe
ku mikpritja u bë gjuhë e zemrës, pra, mbi të gjitha u dëshmua edhe një herë se
shqiptari, kudo që ndodhet, kur e ruan moralin, nderin, punën dhe shpirtin e
vet bujar, e kthen edhe mërgatën në një pjesë të gjallë të atdheut.
Faleminderit për mikpritjen familja Bisaku!
Hamburg, më 27 maj 2026



