Blerim Nika: Shqiptarët katolikë në Kosovë po përsekutohen!

LE TA DIJË BOTA: SHQIPTARËT KATOLIKË NË KOSOVË PO PERSEKUTOHEN!
Nga
Blerim Nika
Shqiptarët
katolikë në Kosovë, veçanërisht shqiptarët ish-myslimanë që po i rikthehen
rrënjëve të tyre katolike, po përballen me një realitet alarmant: po
stigmatizohen, po poshtërohen, po kërcënohen dhe po pengohen në ushtrimin e
besimit të tyre vetëm sepse kanë zgjedhur të bëhen katolikë dhe ta jetojnë
hapur besimin e krishterë.
Persekutimi
shfaqet në forma të ndryshme. Një prej tyre është pengimi i së drejtës për
ndërtimin e kishave katolike aty ku ka besimtarë dhe ku ekziston nevoja. Një
rast veçanërisht shqetësues po ndodh në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, në tokën e
Kishës Katolike. Aty, një rit fetar katolik është ndaluar dhe penguar me 18
gusht 2026, nga autoritetet policore. Në të njëjtën kohë, persona të panjohur
kanë vjedhur Gurin e Bekimit të asaj toke që është vendosur nga Ipeshkvia e
Kosovës. Autoritetet policore, duke e nënvlerësuar situatën, kanë dështuar ta
mbrojnë gurin, edhe përkundër deklarimeve ekstreme nga grupe radikale islamike,
të cilat kishin kërcënuar haptazi se do ta largonin atë.
Në
Zogaj janë organizuar protesta nga grupe radikale islamike kundër ndërtimit të
një kishe katolike. Këto protesta, të mbështetura edhe nga Bashkësia Islame e
Kosovës, janë shoqëruar me një diskurs të fortë përçmues dhe stigmatizues ndaj
shqiptarëve katolikë dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve ish-myslimanë që gjatë
tri viteve të fundit kanë zgjedhur të pagëzohen në Kishën Katolike dhe t’i
rikthehen rrënjëve të tyre katolike.
Ajo
që e bën situatën edhe më alarmante është mos-reagimi institucional.
Institucionet e sigurisë, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë çdo qytetar
pavarësisht përkatësisë fetare, nuk po i trajtojnë këto raste me seriozitetin e
nevojshëm. Të persekutuarit vazhdimisht paraqesin raste pranë organeve të
rendit, por zëri i tyre nuk dëgjohet dhe ankesat e tyre nuk merren seriozisht.
Madje, ka raste ku, vetë zyrtarë policorë janë përpjekur t’i frikësojnë apo
shantazhojnë shqiptarët katolikë që kanë kërkuar mbrojtje.
Në
të njëjtën kohë, burokracia shtetërore dhe komunale po krijon pengesa në
ushtrimin e besimit katolik, ndërsa mosveprimi institucional përballë nxitjes
së radikalizmit islamik e lejon këtë situatë të vazhdojë.
Shteti
duhet të jetë neutral dhe i barabartë ndaj të gjitha besimeve. Askush nuk duhet
të diskriminohet për shkak të fesë së tij. Por sot, shqiptarët katolikë në
Kosovë ndihen të pasigurt dhe të pambrojtur pikërisht sepse institucionet që
duhet t’i mbrojnë nuk po reagojnë siç duhet.
Gjendja
është alarmante. Heshtja e shtetit përballë këtij realiteti është e
papranueshme.
Ne
nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë siguri. Kërkojmë barazi. Kërkojmë lirinë për
ta jetuar besimin tonë. Kërkojmë që ligji të vlejë njësoj për të gjithë.
I
bëjmë thirrje organizatave ndërkombëtare dhe shteteve perëndimore që ta shohin
seriozisht këtë situatë dhe të kërkojnë nga institucionet e Republikës së
Kosovës të garantojnë mbrojtjen e shqiptarëve katolikë dhe të ndalin çdo formë
diskriminimi, kërcënimi dhe persekutimi për shkak të besimit.
Kjo
nuk është çështje privilegji fetar. Është çështje e të drejtave themelore të
njeriut.
E
vërteta duhet të thuhet: shqiptarët katolikë në Kosovë po persekutohen.
25.08.2026
Blerim
Nika
I rikthyer në katolicizëm


