Korab Rashiti: Kur islamizimi i shërben Beogradit

4h më parë


Kur islamizimi i shërben Beogradit

Nga Korab Rashiti

Serbia nuk ka nevojë ta pushtojë Kosovën ushtarakisht, nëse arrin ta shkatërrojë kulturorisht dhe ta izolojë nga Evropa.

Dosjet e fundit tregojnë se BIA serbe po interesohet drejtpërdrejt për vehabistët, të kthyerit nga ISIS-i dhe rrjetet radikale. Sipas Prokurorisë Speciale, individë nga këto qarqe janë identifikuar edhe për rekrutim të mundshëm. Kjo nuk dëshmon ende juridikisht se BIA e ka krijuar islamizimin, por tregon qartë se kërkon ta depërtojë, ta kontrollojë dhe ta shfrytëzojë.

Strategjia është e thjeshtë: sa më islamiste të duket Kosova, aq më lehtë Serbia paraqitet si «mbrojtëse e Evropës», ndërsa shqiptarët si një popull jo-evropian dhe Kosova si një enklavë radikale në zemër të kontinentit.

Edhe në Zvicër, shërbimet sekrete serbe janë aktive në këtë drejtim. Këtë nuk po e them si hamendësim: kam parë prova konkrete. Synimi është të dëmtohet thellë dhe për një kohë të gjatë imazhi i shqiptarëve, njërit prej komuniteteve më të mëdha në Zvicër, duke ua ngjitur etiketën: «Këta nuk janë evropianë — këta janë islamistë.»

Islamizmi politik dhe nacionalizmi serb duken si armiq, por prodhojnë të njëjtin rezultat: dobësimin e identitetit shqiptar. Njëri e radikalizon Kosovën; tjetri ia shet këtë radikalizëm Evropës si argument kundër nesh.

Nuk duhet luftuar besimi privat, por instrumentalizimi politik i fesë, financimet e errëta dhe ideologjitë e importuara.

Boll kemi humbur shekuj. E ardhmja shqiptare nuk ndërtohet me altoparlantë në arabisht, por me dije, punë, shkencë, ndërmarrje dhe prodhim.

Fikeni propagandën mbi kokat e shqiptarëve dhe shkoni punoni.

https://www.facebook.com/korab.rashiti.1