Lekë Mrijaj: Kur përgjegjësia del nga shinat e trenit
KUR PËRGJEGJËSIA DEL
NGA SHINAT E TRENIT

Që
nga përfundimi i luftës, Kosova ka përjetuar një numër shqetësues aksidentesh
hekurudhore, shumë prej tyre me pasoja tragjike dhe materiale. Paradoksi është
i rëndë: një vend i vogël, me pak trena dhe me një rrjet të kufizuar
hekurudhor, vazhdon të numërojë viktima, ndërsa kambana e alarmit bie zakonisht
vetëm pasi e keqja ka ndodhur.
Edhe
sot, më 6 gusht 2026, u raportua një aksident i ri në Fushë-Kosovë, ku një tren
u përplas me një veturë. Ngjarja e sotme nuk është vetëm një lajm tjetër i
kronikës së zezë, por një paralajmërim i përsëritur se siguria në vendkalimet
hekurudhore vazhdon të jetë një çështje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme
institucionale.
Në
një shtet funksional, hekurudha duhet të jetë shenjë zhvillimi, lidhjeje dhe
sigurie. Në Kosovë, ajo është shndërruar shumë herë në një vijë rreziku që
kalon përmes qyteteve, fshatrave, fushave dhe zonave malore, aty ku rrugët
kryqëzohen me binarët dhe ku qytetari shpesh mbetet i vetëm përballë rrezikut.
Përgjegjësia
institucionale nuk përfundon me nisjen e lokomotivës dhe as me mbërritjen e saj
në destinacion. Ajo shtrihet përgjatë çdo metri të hekurudhës dhe në çdo
vendkalim ku qarkullojnë këmbësorë, automjete, nxënës, bujq dhe familje të
tëra.
Trainkos
Sh.A., si operator i transportit hekurudhor, Infrakos Sh.A., si administrues i
infrastrukturës hekurudhore, institucionet shtetërore dhe komunat përkatëse nuk
mund ta shohin sigurinë vetëm si çështje të përgjegjësisë individuale të
qytetarëve. Aty ku mungojnë rampat, sinjalizimi, ndriçimi dhe mbikëqyrja,
rreziku nuk mund të quhet thjesht rastësi.
Kur
një pikë e rrezikshme njihet prej vitesh, kur banorët paralajmërojnë dhe kur
aksidentet përsëriten, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me fatkeqësi. Kemi të
bëjmë me dështim institucional.
Populli
ynë thotë: "Mos e lër pusin të hapur pa kapak, sepse mund të vijë e
keqja". Mirëpo, pikërisht kështu po veprohet shpesh: vendkalimet lihen pa
mbrojtje, sinjalet mungojnë ose nuk funksionojnë, ndërsa masat kërkohen vetëm
pasi një jetë shuhet. Më pas vijnë deklaratat, ngushëllimet dhe premtimet,
kurse përgjegjësia shpërndahet ndërmjet institucioneve derisa të mos i mbetet
askujt.
Jeta
e qytetarit nuk mund të humbasë në labirintin e kompetencave. Familjes së
viktimës nuk i intereson se kujt i takonte vendosja e rampës, kush duhej ta
mirëmbante sinjalizimin apo cili institucion duhej ta kontrollonte vendkalimin.
Ajo mbetet me një karrige të zbrazët në sofrën familjare dhe me një dhimbje që
nuk mbyllet me asnjë raport zyrtar.
Kosova
ka pak trena, por tepër shumë dhimbje të lidhura me ta. Në kuptimin më të
hidhur të ironisë, ky realitet mund të quhej një "rekord" për Librin
e Guinness-it. Mirëpo, pas këtij rekordi nuk ka medalje, duartrokitje apo
krenari. Ka jetë të humbura, njerëz të plagosur, familje në zi dhe institucione
që vazhdojnë ta shtyjnë përgjegjësinë nga njëra zyrë në tjetrën.
Vetëm
gjatë muajve të fundit janë raportuar disa përplasje ndërmjet trenave dhe
automjeteve në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë Klinën, Drenasin,
Grabovcin dhe Fushë-Kosovën. Ky varg aksidentesh tregon se nuk bëhet fjalë për
raste të izoluara, por për një problem të vazhdueshëm sigurie që kërkon trajtim
të koordinuar dhe urgjent.
Çdo
aksident fatal është më shumë se një lajm në kronikën e zezë. Është dëshmi se
diku ka munguar parandalimi, kujdesi ose veprimi në kohë. Është një pyetje e
rëndë drejtuar shtetit: Sa jetë duhet të humbasin që një rampë të vendoset, një
sinjal të riparohet dhe një vendkalim të bëhet i sigurt?
Infrakos
Sh.A., Trainkos Sh.A., ministritë përgjegjëse dhe komunat përkatëse duhet ta
bëjnë publike gjendjen e të gjitha vendkalimeve hekurudhore në Kosovë. Duhet të
hartohet një regjistër i plotë i tyre, të përcaktohen pikat me rrezikshmërinë
më të lartë dhe të publikohet një plan konkret ndërhyrjeje.
Në
çdo vendkalim të frekuentuar duhet të vendosen rampat, sinjalizimi zanor dhe
ndriçues, shenjat paralajmëruese dhe, aty ku është e nevojshme, mbikëqyrja
fizike ose elektronike. Duhet gjithashtu të caktohet qartë se cili institucion
është përgjegjës për instalimin, mirëmbajtjen, kontrollin dhe funksionimin e
secilit mekanizëm sigurie.
Nuk
mjafton që qytetarëve t'u kërkohet vetëm të kenë kujdes. Kujdesi individual
është i domosdoshëm, por nuk mund të përdoret si arsyetim për mungesën e masave
institucionale. Qytetari duhet t'i respektojë rregullat, ndërsa shteti duhet
t'i krijojë kushtet që ato të mund të respektohen.
Siguria
kërkon përgjegjësi të dyanshme, por përgjegjësia më e madhe u përket atyre që
kanë mandatin, buxhetin dhe kompetencën për ta parandaluar rrezikun.
Një
rampë e vendosur në kohë kushton më pak se një ceremoni mortore. Një sinjal i
mirëmbajtur vlen më shumë se dhjetëra deklarata ngushëllimi. Një vendim i marrë
sot mund ta shpëtojë një familje nga zia e nesërme.
Aksidenti
i sotëm në Fushë-Kosovë duhet të shërbejë si alarmi i fundit, jo si hyrje në
tragjedinë e radhës. Nuk guxojmë të presim që një tjetër veturë të mbetet mbi
binarë, që një tjetër familje të marrë lajmin e zi dhe që institucionet të
dalin përsëri me deklarata të njëjta.
Prandaj,
duhet ti çelim sytë përpara se të ndodhë tragjedia e radhës. Sepse, kur treni
ecën mbi shina, ndërsa përgjegjësia del prej tyre, nuk dështon vetëm sistemi
hekurudhor: dështon shteti në detyrën e tij më themelore-mbrojtjen e jetës së
qytetarit.



