Lekë Mrijaj: Kur shpata fillon të ecë mbi ne
KUR SHPATA FILLON TË ECË MBI NE

Para
disa vitesh, gjatë leximit të librit të Robert Elsie-t, “Një fund dhe një
fillim”, hasa në një mendim të fuqishëm të poetit Xhevahir Spahiu: “Tehut të
shpatës kemi ecur rrufe, pastaj shpata ka ecur mbi ne.” Kjo frazë më të vërtetë
më mbeti gjatë në kujtesë, e cila nuk është vetëm një figurë poetike apo një
shprehje romantike, por një pasqyrë e dhimbshme e historisë sonë kombëtare, sa
të lavdishme, aq edhe tragjike.
Shqiptarët
pa dallim besimit fetar, në shumë etapa të historisë, kanë ditur të ecin të
bashkuar mbi tehun e rrezikut me guxim të jashtëzakonshëm, por jo gjithmonë
kanë ditur ta ruajnë atë që kanë fituar me gjak, sakrificë dhe mund. Mirëpo kur
i kanë përfunduar betejat me armikun e jashtëm, shpesh kanë nisur përplasjet
ndërmjet vetvetes. Kështu, shpata që dikur mbahej kundër pushtuesit, e them në
kuptimin metaforik, ka filluar të rëndojë mbi ndërgjegjen, unitetin dhe të
ardhmen tonë.
Sot,
kjo thënie duket sikur po zbret nga faqet e një libri dhe po ecën përmes
realitetit politik e shoqëror të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës
është një shtet i ri, i lindur pas një historie të gjatë vrasjesh, vuajtjesh,
burgosjesh, përndjekjesh dhe përpjekjesh për liri. Ajo nuk është vetëm një
territor i përcaktuar me kufij, por një amanet i shkruar me jetën e heronjve,
martirëve, me mundin e brezave dhe me gjakun e të gjithë atyre që e dhanë jetën
për liri.
Megjithatë,
shteti nuk mbahet vetëm me kujtimet e luftës dhe me ceremonitë përkujtimore. Ai
kërkon institucione të qëndrueshme, drejtësi të paanshme, përgjegjësi politike
dhe një vetëdije të lartë qytetare.
Pikërisht
këtu duket se po e marrim teporëzen dhe po çalojmë. Në vend që institucionet të
jenë shtyllat e një shtëpie të përbashkët, ato shpesh po shndërrohen në fusha
përplasjesh partiake të llojit të rrugaçëve. Në vend që politika të jetë arti i
shërbimit ndaj qytetarit, ajo po perceptohet gjithnjë e më shumë si mjet egoje
për pushtet, privilegje dhe interesa të ngushta.
Partitë
politike, të cilat e marrin besimin nga elektorati, nuk duhet ta trajtojnë
votën si një çek të bardhë financash për katër vjet, por si një përgjegjësi
morale që duhet të dëshmohet çdo ditë. Vota e qytetarit nuk është pronë e
partisë. Ajo është amanet që duhet tu plotësohet.
Kur
pushteti mbyllet brenda vetvetes, qytetari mbetet jashtë dyerve të shtetit. Kur
interesat personale ngrihen mbi interesin publik, demokracia e humbet kuptimin
e saj.
Ndërsa,
kur politika ushqehet vetëm nga përplasja, shteti fillon t’i ngjajë një
anijeje, drejtuesit e së cilës zihen për timonin, ndërkohë që askush nuk
kujdeset për drejtimin e saj.
Në
këtë gjendje, një ndër plagët më të rënda është largimi i të rinjve dhe i
kuadrove të përgatitura nga Kosova. Ata që duhej të ishin mendja, energjia dhe
e ardhmja e vendit, po largohen në kërkim të një jete më të sigurt, të një pune
më dinjitoze dhe të një shoqërie ku dija dhe puna vlerësohen.
Pra,
çdo i ri që largohet nuk merr me vete vetëm një valixhe, por e merr një ëndërr,
një profesion, një familje të ardhshme dhe një pjesë të shpresës sonë
kolektive. Një vend nuk zbrazet vetëm kur njerëzit largohen fizikisht. Ai
zbrazet edhe kur qytetarët humbin shpresën, kur të rinjtë pushojnë së besuari
në institucionet e tyre të brishta dhe kur aftësia zëvendësohet nga lidhjet
partiake, familjare apo grupore. Por edhe më shqetësues është rreziku i
mbjelljes së përçarjeve ndërmjet shqiptarëve mbi baza fetare. Katolikët dhe
myslimanët shqiptarë nuk janë dy brigje të huaja, por një degë të së njëjtës
pemë kombëtare, të ushqyera nga e njëjta tokë, nga e njëjta gjuhë, nga të
njëjtat plagë historike dhe nga i njëjti ideal i lirisë.
Historia
e shqiptarëve dëshmon se besimet fetare, kur janë jetuar me ndërgjegje dhe
urti, nuk e kanë penguar përkatësinë kombëtare, por e kanë pasuruar atë. Kultet
fetare pra, Kishat dhe xhamitë nuk duhet të bëhen kurrë ledhe ndarëse, por
vende ku njeriu mëson paqen hyjnore, mëshirën, drejtësinë dhe respektin ndaj
tjetrit.
Prandaj,
çdo përpjekje për ta (keq) përdorur fenë si mjet politik, për ta shndërruar atë
në burim dyshimi, përçarjeje apo armiqësie, është lojë me zjarrin mbi themelet
e shtëpisë sonë të përbashkët. Nëse një fenomen i tillë do të përshkallëzohej,
përgjegjësia nuk do të binte vetëm mbi individët e papërgjegjshëm, por edhe mbi
partitë politike dhe hierarkitë fetare, të cilat duhet të reagojnë në kohë,
qartë dhe pa ekuivoke. Udhëheqja politike dhe ajo fetare duhet ta kuptojnë se
fjala e tyre nuk është një tingull që humbet në ajër. Fjala mund të bëhet urë,
por mund të ngrihet edhe si mur. Mund t’i qetësojë plagët, por mund edhe t’i
rihapë ato. Për këtë arsye, secili udhëheqës duhet ta peshojë gjuhën e vet me
përgjegjësi, sidomos në një shoqëri që ende bart kujtime të freskëta nga dhuna,
pushtimi dhe përçarjet e së kaluarës.
Populli
ynë ka kaluar nëpër kataklizma të njëpasnjëshme historike. Ka jetuar nën
sundimin e Perandorisë Mesjetare Osmane, nën regjimet e ndryshme serbosllave,
nën komunizëm dhe nën politikën e egër të pushtimit serb në vitet 90-ta. Breza
të tërë shqiptarësh (katolikë dhe myslimanët) kanë përjetuar shpërnguljen,
burgosjen, torturën, mohimin e gjuhës dhe të identitetit, vrasjet dhe dëbimet
nga trojet e tyre. Deri në ditën e çlirimit, rruga jonë ishte e mbushur me
varre martirësh, me sakrifica intelektualësh, veprimtarësh, qytetarësh të
pafajshëm dhe luftëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Liria
nuk na erdhi si dhuratë e rastësishme. Ajo u fitua me përpjekjen e popullit
tonë dhe me mbështetjen vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës dhe aleatët perëndimorë. Prandaj, është e pafalshme për
të gjithë lidershipin tonë që një liri e fituar me kaq shumë sakrifica të
dëmtohet nga papërgjegjësia, korrupsioni, egoizmi politik apo përçarja e
brendshme. Nuk mund t’i nderojmë dëshmorët vetëm duke vendosur kurora mbi
varret e tyre, ndërsa në jetën publike harrojmë idealin për të cilin ata ranë.
Nderimi i vërtetë për ta është ndërtimi i një shteti të drejtë, demokratik dhe
funksional.
Kosova
nuk ka nevojë për fitues që e poshtërojnë kundërshtarin, por për udhëheqës (të
llojit të Rilindësve Kombëtare) që dinë ta bashkojnë shoqërinë. Nuk ka nevojë
për retorikë që hap humnera, por për fjalë që ndërtojnë ura. Ajo nuk ka nevojë
për një patriotizëm të zhurmshëm, të përdorur vetëm gjatë fushatave elektorale,
por për një patriotizëm të qetë e të përditshëm, që shfaqet në punë,
ndershmëri, drejtësi, përgjegjësi dhe respektim të ligjit.
Atdheu
nuk mbrohet vetëm me pushkë, por mbrohet edhe me lapsin e mësuesit, me dijen e
profesorit, me drejtësinë e gjyqtarit, me ndershmërinë e zyrtarit, me përgjegjësinë
e politikanit, me lutjen e besimtarit dhe me punën e qytetarit.
Sot
duhet ta pyesim veten me sinqeritet: a po ecim ende mbi tehun e shpatës për ta
mbrojtur shtetin tonë, apo kemi lejuar që shpata e përçarjes, e interesit dhe e
papërgjegjësisë të ecë mbi ne?
Kosova
nuk duhet të bëhet një fund i dhimbshëm pas një fillimi të lavdishëm. Ajo duhet
të jetë fillimi i një epoke pjekurie kombëtare dhe shtetërore. Kjo realisht
kërkon që partitë politike të kthehen te qytetari, institucionet te ligji,
besimet fetare te mesazhi i paqes, ndërsa shoqëria te vetëdija se, pavarësisht
dallimeve, kemi vetëm një atdhe të përbashkët.
Sepse,
kur shqiptarët (Katolik dhe mysliman) kanë qëndruar së bashku, historia nuk ka
mundur t’i thyejë. Por, sa herë që janë ndarë, edhe fitorja është shndërruar në
plagë. Pra, koha është ta ndalim shpatën, para se ajo të ecë përsëri mbi ne.
Klinë, më 4 gusht 2026


