Lazim Miftari: Dashuria

2h më parë

Lazim Miftari

DASHURIA

Dashuria të vërbon,

si dritë që s'të lë të shohësh.

Të prek në heshtje,

si teh i padukshëm mbi lëkurë.


Të djeg ngadalë shpirtin,

si zjarr nën hirin e natës,

dhe lë pas vetes

një jehonë të gjatë

në zemër.


Pastaj... ajo zbutet.


Bëhet hënë mbi ujë,

frymëmarrje e lehtë ere,

një prekje që ngre shpirtin

mbi shpinën e ditëve që të rënkojnë.


Është ëmbëlsi që rrjedh mbi plagë,

si mjaltë në dritën e agimit,

ku zemra fshin lotët

dhe mëson përsëri

të jetë e qetë.


Por në thelb,

dashuria mbetet mister.


Një zanë mali

që del nga mjegulla

dhe tretet nëpër erë si hije pa zë.


Ajo nuk është pronë,

as burg,

por një shteg i lashtë

i shkruar në yje.


Aty njeriu takon vetveten,

shpirti —

si ujë që kthehet në burim —

bëhet një

me atë që nuk thuhet,

por vetëm ndjehet.


Dhimbje dhe bekim,

në të njëjtën heshtje.

---

Lazim Miftari

23 Maj 2026 Prishtinë