Albert Vataj: Kur braktisja e mendimit e shndërron të keqen në normalitet, çdokohja e alarmit të Hannah Arendt

Kur braktisja e mendimit e shndërron të keqen në normalitet, çdokohja e alarmit të Hannah Arendt

Çfarë
ndodh kur e keqja pushon së pasuri fytyrën e përbindëshit dhe merr pamjen e
njeriut të zakonshëm, të fqinjit të sjellshëm, të zyrtarit korrekt, të
qytetarit që nuk ngre zërin dhe nuk shtron pyetje? Çfarë ndodh kur krimi nuk
lind më nga urrejtja e verbër, por nga mungesa e mendimit? Pikërisht këtë
paradoks tronditës Hannah Arendt ia zbuloi botës, duke rrëzuar një nga
iluzionet më të rehatshme të ndërgjegjes njerëzore, bindjen se e keqja është
gjithmonë spektakolare, demonike dhe e dallueshme.
Në
kohën tonë, kur demokracitë lëkunden nën peshën e relativizmit moral, kur
zhurma shpesh zë vendin e arsyes dhe diletantizmi vishet me petkun e lirisë,
mendimi i Arendtit tingëllon më aktual se kurrë. Ai nuk është vetëm një
reflektim mbi të kaluarën, por një paralajmërim për të tashmen. Sepse të
mendosh nuk është thjesht një ushtrim intelektual, është një akt përgjegjësie,
një formë e lirisë dhe, mbi të gjitha, një mënyrë për t'i bërë ballë së keqes.
Historia
na ka mësuar t'i përfytyrojmë tragjeditë më të mëdha njerëzore si vepër të
individëve të përbindshëm, të mendjeve sadiste dhe të natyrave të përçudnuara.
Por reflektimi i Hannah Arendt mbi gjyqin e Adolf Eichmannit e përmbys
rrënjësisht këtë bindje. Në veprën “Eichmann në Jeruzalem: Një raport mbi
banalitetin e së keqes”, ajo ngre një alarm që kumbon ende sot, se e keqja më
shkatërrimtare nuk lind domosdoshmërisht nga një thellësi demonike, por nga një
zbrazëti e frikshme mendimi. Ajo lulëzon aty ku njerëzit pushojnë së gjykuari,
aty ku bindja zëvendëson ndërgjegjen dhe ku bindja ndaj urdhrave zë vendin e
përgjegjësisë morale.
Kur
shoqëria bie në grackën e nihilizmit, ku "gjithçka është njësoj" dhe
çdo vlerë relativizohet, zbehet edhe aftësia për të bërë dallime morale. Në atë
çast, normaliteti nuk është më garanci e qytetërimit, por mund të shndërrohet
në aleatin më të rrezikshëm të së keqes. Pikërisht ky është kuptimi i
"banalitetit të së keqes". Jo se e keqja është e parëndësishme, por
se ajo mund të kryhet nga njerëz krejtësisht të zakonshëm, të paaftë ose të
painteresuar për të menduar mbi pasojat e veprimeve të tyre.
Hannah
Arendt, në “Një raport mbi banalitetin e së keqes”, ndër të tjera shkruan:
“E
vërteta e trishtueshme është se një pjesë e madhe e së keqes kryhet nga njerëz
që nuk vendosin kurrë të jenë as të mirë, as të këqij. Tragjedia e rastit të
Eichmann-it ishte se kishte shumë njerëz si ai dhe se këta nuk ishin as
perversë, as sadistë, por ishin, dhe vazhdojnë të jenë edhe sot, tmerrësisht
normalë. Ata që nuk janë të dashuruar me bukurinë, drejtësinë dhe urtinë janë
të paaftë për të menduar. Barazimi i gjithçkaje nuk i bën mirë demokracisë. Të
thuash se gjithçka është njësoj nuk është arritje e qytetërimit, por nihilizëm.
Duhet të dimë të bëjmë dallime. Shfaqja e erës së mendimit është aftësia për të
dalluar të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara.
Është
bindja ime se e keqja nuk mund të jetë kurrë rrënjësore, por vetëm skajore; ajo
nuk zotëron as thellësi, as përmasë demonike. Mund të mbulojë mbarë botën dhe
ta shkatërrojë atë, pikërisht sepse përhapet si një kërpudhë mbi sipërfaqen e
saj. Ajo është një sfidë për mendimin, sepse mendimi kërkon të depërtojë në
thellësi, përpiqet të arrijë te rrënjët e gjërave, por, sapo përballet me të
keqen, mbetet i zhgënjyer, sepse nuk gjen asgjë. Ky është banaliteti i së
keqes. Vetëm e Mira ka thellësi dhe vetëm ajo mund të jetë vërtet rrënjësore.”
Mesazhi
i Hannah Arendtit nuk i përket vetëm historisë së shekullit XX, ai është një
provë e vazhdueshme për ndërgjegjen e çdo shoqërie. Në një epokë kur
relativizmi shpesh paraqitet si tolerancë, kur opinioni barazohet me dijen dhe
kur zhurma mbyt arsyetimin, thirrja e saj bëhet edhe më urgjente. Refuzimi për
të menduar është fillimi i çdo kapitullimi moral. Ndërsa guximi për të gjykuar,
për të bërë dallime dhe për të mos pranuar si të natyrshme atë që cenon
dinjitetin njerëzor, mbetet një nga detyrat më të larta të qytetarisë.
Në
fund të fundit, Hannah Arendt na lë një mësim që nuk është vetëm filozofik, por
thellësisht njerëzor, sipas së ciles, qytetërimi nuk mbrohet vetëm nga ligjet,
institucionet apo fuqia e shtetit. Ai mbrohet, para së gjithash, nga njerëzit
që nuk heqin dorë nga e drejta dhe detyrimi për të menduar. Sepse vetëm mendimi
i lirë dhe ndërgjegjja që guxon të dallojë të mirën nga e keqja mund ta
pengojnë banalitetin e së keqes të shndërrohet në fatin e një shoqërie.


