Lazim Miftari: Çelësi i jetës

2h më parë

ÇELËSI I JETËS


Lazim Miftari


Në heshtje shpirti e gjen dritën,

kur zemra ime hapet drejt qiellit,

misteret thellë në brendi ngriten,

si agu kur lëshon rrezet e diellit.


Si në rreth, udhëtimi ynë shkrihet,

aty tek burimi i fshehur në mal,

një shkëndijë lart mbi ne ngrihet,

si flakë që ndriçon terrin ngadalë.


Dhe papritur një zë malit jehon,

si erë mes lisash e degë të gjalla,

na tregon se rruga nuk mbaron,

por prapë nis aty ku thyhet vala.


Dashuria s'është veç një lidhje,

por frymë që gjithçka plotëson,

hyjni që vjen si e vetmja zgjidhje,

i jep kuptim heshtjes që pushon.


Çelësi s'ka formë, as s'ka fytyrë,

as fjalë në buzët e njeriut që flet,

por bashkim i shpirtit me natyrë,

një çelje që përbrenda nesh nget.


Ndoshta e kërkuam larg në botë,

në yje, në det, në gurë e në borë,

atë e ndoqëm si një dritë të plotë,

pa ditur se e kishim ne në dorë.


Ndoshta çdo hap e bëmë pafjalë,

çdo plagë, çdo ëndërr, çdo mall,

ishte një derë që hapej ngadalë,

e na kthente drejt vetes së gjallë.


Dhe kur të gjitha heshtin në jetë,

kur era pushon së fryri mbi dhe,

sheh se çelësi i jetës ishe ti vetë,

e dera ishte gjithçka që jemi ne.


Lazim Miftari

2 Gusht 2026 Prishtinë