Gjon Marku: Telefoni i Nënës Lizë

Tregim nga Gjon Marku
Nëna Lizë ishte mësuar të zgjohej para diellit.
Për më
shumë se dyzet vjet, mëngjesi e kishte gjetur gjithmonë në këmbë. Nuk kishte
pasur nevojë për zile, as për orë që ta kujtonte. Trupi i saj e dinte vetë
kohën. Sapo qielli niste të zbardhte, ajo hapte sytë, ngrihej ngadalë dhe niste
ditën me të njëjtin ritëm që kishte ndjekur për gjithë jetën.
Kishte
punuar shumë. Kishte rritur fëmijë. Kishte mbajtur mbi supe halle që nuk i
kishte treguar kurrë.
Tani
kishte dalë në pension.
Për herë
të parë pas shumë vitesh, askush nuk e priste me nxitim. Nuk kishte më orare
pune, nuk kishte më vrapime, nuk kishte më zëra që e thërrisnin nga dhoma në
dhomë.
Shtëpia i
përkiste asaj. Dhe ajo e donte atë qetësi.
Nuk ishte
një heshtje e zbrazët. Ishte një heshtje që kishte zë. Në mëngjes dëgjonte
cicërimat e zogjve në oborr. Dëgjonte erën që përplaste lehtë perdet e bardha.
Dëgjonte tik-takun e orës së vjetër mbi mur, sikur një mik i vjetër i tregonte
se koha ende ecte.
Ballkoni i
saj ishte vendi më i dashur. Atje kishte disa vazo me lule që i kujdesej me
përkushtim. I ujiste çdo ditë, u fliste ndonjëherë edhe pa e kuptuar, sikur ato
të ishin pjesë e familjes.
Në
tavolinën pranë dritares qëndronte telefoni i saj. I vjetër. Me butona. Një
telefon që sot shumë njerëz do ta shikonin me habi.
Shpesh i
thoshin: - Lizë, pse nuk e ndërron? Sot ka telefona që bëjnë gjithçka.
Ajo
qeshte. - Mua më duhet vetëm një gjë prej tij. - Çfarë? - Të dëgjoj zërin e
njerëzve të mi.
Dhe askush
nuk e bindte dot ndryshe. Për të, sendet nuk kishin vlerë nga çmimi. Kishin
vlerë nga kujtimet që mbanin brenda.
Ndonjëherë,
kur ulej pranë dritares me filxhanin e kafesë në dorë, mendonte për jetën që
kishte kaluar. Për burrin që nuk ishte më. Për ditët e vështira. Për vajzën e
saj, që tashmë ishte rritur dhe kishte krijuar familjen e vet.
Mendonte
edhe për dy nipërit. I donte shumë. Kur vinin, shtëpia ndryshonte. Heshtja
largohej. Dhoma mbushej me zëra, hapa të vegjël, pyetje pa fund dhe të qeshura.
Por pas
ikjes së tyre, Nëna Lizë kishte kuptuar diçka: fëmijët janë si era. Duhet t'i
lësh të hyjnë në shtëpi, por duhet të dish edhe t'u tregosh derën.
Ajo
besonte se fëmija rritej me dashuri. Por besonte po aq fort se dashuria pa
kufij nuk ishte gjithmonë mirësi. Një fëmijë nuk bëhet i lumtur vetëm sepse
merr gjithçka që kërkon. Ndonjëherë lumturia fillon me një fjalë të vogël:
"Jo."
Sepse
dikush duhet t'i mësojë se bota nuk sillet gjithmonë rreth dëshirave të tij.
Këtë nuk e
kishte mësuar nga librat. E kishte mësuar nga jeta. Dhe jeta kishte qenë
mësuesja e saj më e rreptë.
***
Dielli kishte filluar të ulej mbi çatitë e qytetit, ndërsa Nëna
Lizë po mblidhte rrobat nga ballkoni. Një erë e lehtë i lëvizte perdet dhe
aroma e borzilokut përhapej nëpër shtëpi.
Telefoni i
vjetër ra mbi tavolinë. Ajo e mori menjëherë. E njihte atë tingull.
- Alo,
bijë. - Si je, nënë?
Nga zëri i
së bijës kuptohej se diçka nuk shkonte. Nëna Lizë e njihte vajzën e saj. Që e
vogël, sa herë kishte një hall, zëri i ndryshonte pak.
- Çfarë
ke? - Kam një hall, nënë.
Nëna Lizë
heshti. E dinte se pas asaj fjale do të vinte një kërkesë.
- Duhet të
iki jashtë për furnizim. Dyqani nuk pret. Kam gjetur disa mallra dhe duhet të
shkoj t'i marr. - Mirë. - Por gruaja që më mbante çunat po ikën te djali i saj
për disa ditë. Nuk kam kujt t'ia lë.
Nëna Lizë
pa nga dritarja. Në rrugë kalonte një grua me një trastë në dorë. Diku larg
dëgjohej zëri i fëmijëve që luanin.
- Sa ditë?
- Vetëm dy, nënë.
Dy ditë.
Kaq tha vajza. Por Nëna Lizë e dinte se dy ditë me dy fëmijë të vegjël mund të
ishin shumë më të gjata se dy javë.
- Janë
mirë? - pyeti. - Janë shumë mirë.
Nëna Lizë
buzëqeshi. - Këtë nuk ta pyeta.
E bija
qeshi. - Janë pak të gjallë. - Pak? - Mirë... shumë të gjallë.
Të dyja
qeshën. Pastaj vajza vazhdoi: - Por janë fëmijë të mirë, nënë. Mos u shqetëso.
Hajnë pak, luajnë pak dhe rrinë.
Nëna Lizë
nuk tha asgjë. Ajo kishte një ide tjetër për fjalën "rrinë".
- Vetëm ki
pak durim, - tha vajza.
Kjo ishte
fjalia që nënat ua thonë gjithmonë nënave të tyre. Sikur durimi të trashëgohej
bashkë me gjakun.
- Mirë,
bijë. Mi sill.
Dy ditë më
vonë, një makinë ndaloi para portës. Dy djem të vegjël dolën prej saj si dy
zogj të lëshuar nga kafazi.
- Gjyshja!
U hodhën
në qafën e saj. Nëna Lizë mezi mbajti veten. - Ngadalë, more trima. Do më
rrëzoni.
Ata
qeshën. Për ta, shtëpia e gjyshes nuk ishte thjesht një shtëpi. Ishte një vend
ku gjithçka dukej më interesante. Oborri ishte më i madh. Lulet ishin më të
bukura. Macja e lagjes ishte një zbulim i madh.
Sapo hynë,
nisën të preknin gjithçka.
- Mos e
prek atë, bir. - Lëre aty. - Kujdes se bie.
Fjalët e
Nënës Lizë u shtuan nga njëra minutë në tjetrën.
E bija i
la çantat në dhomë dhe u afrua pranë saj.
- Nënë...
- Hë? - Ki durim.
Nëna Lizë
e pa. - Ma the edhe në telefon. - Sepse e di që ke harruar si rriten fëmijët.
Plaka
buzëqeshi. - Jo, bijë. Nuk kam harruar.
Pauzoi
pak. - Ndoshta kam harruar vetëm sa zhurmë bëjnë.
Të dyja
qeshën.
Pastaj
erdhi çasti i ndarjes. E bija i puthi fëmijët. - Silluni mirë me gjyshen. - Po,
mami!
Ata e
thanë aq shpejt, sa dukej sikur po përsërisnin një varg të mësuar.
Makina u
largua. Nëna Lizë mbeti te porta me dy nipërit pranë vetes. Ata nuk e shikonin
makinën që largohej. Kishin parë një flutur në oborr. Dhe për ta, në atë çast,
nuk ekzistonte asgjë tjetër në botë.
Nëna Lizë
mori frymë thellë. Hapi derën. - Hyni brenda.
Dy djemtë
vrapuan përpara. Ajo i ndoqi pas me hapa të ngadaltë. Dhe pa e ditur ende, hyri
në dy ditët më të zhurmshme të qetësisë së saj.
***
Nëna Lizë u zgjua si gjithmonë para diellit. Edhe pse në shtëpi
kishte dy fëmijë të vegjël, zakoni i vjetër nuk e linte të flinte gjatë. Hapi
sytë në orën e saj të zakonshme, u ngrit ngadalë dhe veshi për pak çaste
heshtjen.
Nga dhoma
tjetër dëgjoheshin frymëmarrjet e qeta të nipërve. Buzëqeshi. - Paskan fjetur
si engjëj, - tha me vete.
Nuk e dinte
se fëmijët shpesh duken engjëj vetëm kur flenë.
Shkoi në
kuzhinë. Hapi dritaren. Ajri i mëngjesit hyri i freskët dhe solli me vete
aromën e oborrit. Nëna Lizë ndezi sobën, vuri tiganin dhe nisi të përgatiste
mëngjesin.
Skuqi
vezë. Preu pak sallam. Nxori bukën e freskët. Për të, ushqimi nuk ishte vetëm
të mbushje barkun. Ishte mënyrë për të treguar dashuri.
Pas pak
dëgjoi hapa të vegjël. Djali i madh u shfaq në derë. Flokët i kishte të
shpupuritura dhe sytë ende gjysmë të mbyllur nga gjumi.
-
Mirëmëngjes, gjyshe. - Mirëmëngjes, zemra e gjyshes. Fjete mirë? - Po.
U ul në
karrige. Por, ndryshe nga çdo fëmijë që sapo zgjohet, ai nuk u mor menjëherë me
ushqimin. Sytë iu ndalën te komodina. Te telefoni. Telefoni i vjetër me butona.
U ngrit. E
mori në dorë. E vështroi gjatë. Shtypi disa butona. Pastaj pyeti: - Gjyshe... -
Hë, bir? - Pse ke këtë telefon?
Nëna Lizë
ktheu kokën. - Çfarë ka ky telefoni? - Është i vjetër.
Ajo
buzëqeshi. - Po. - Po pse nuk merr një tjetër?
Nëna Lizë
u ul pranë tavolinës. - Se nuk më duhet tjetër.
Djali nuk
u bind. - Po mami ka telefon të mirë. - Mami yt punon. - Edhe ti punon?
Plaka
qeshi. - Kam punuar gjithë jetën.
Fëmija e
pa me atë seriozitetin e tij të vogël. - Po tani? - Tani jam në pension. - Dhe
nuk ke para për telefon?
Pyetja
ishte aq e drejtpërdrejtë, sa Nëna Lizë mbeti pak në heshtje. Fëmijët nuk dinë
t'i mbështjellin fjalët. I thonë ashtu siç i mendojnë.
- Pensioni
nuk më del për shumë gjëra, bir.
Djali uli
sytë te telefoni. Mendoi pak. Pastaj ngriti kokën. - Mos u mërzit. - Pse? - Se
do t'i them mamit të ta blejë një.
Nëna Lizë
buzëqeshi. - Ty të paska mbetur mendja te telefoni. - Jo.
Ai e tha
me bindje. - Më ka mbetur mendja te ti.
Për një
çast, plaka nuk foli. Një fëmijë gjashtëvjeçar ndoshta nuk e dinte peshën e asaj
që sapo kishte thënë. Por ajo e ndjeu. Ia përkëdheli flokët.
-
Faleminderit, bir. - Do ta blejë. - Po nëse nuk ma blen?
Djali
ngriti supet. - Do t'i them prapë.
Nëna Lizë
qeshi. - Ti qenke më i fortë se unë.
Në atë
çast hyri vëllai i vogël. - A janë gati vezët?
Dhe magjia
e atij çasti u prish nga një pyetje shumë më e zakonshme.
Nëna Lizë
vendosi pjatat mbi tavolinë. Të tre u ulën. Djemtë hëngrën me oreks. Ajo i
shikonte. Në atë mëngjes dukej sikur gjithçka ishte në vendin e vet.
Dy nipër.
Një gjyshe. Një tryezë e vogël. Një telefon i vjetër. Dhe një qetësi që nuk do
të zgjaste shumë.
Sepse pas
mëngjesit, dy djemtë do të kujtonin se kishin ardhur te gjyshja jo vetëm për të
ngrënë vezë. Kishin ardhur edhe për të zbuluar sa e madhe mund të ishte një
shtëpi kur brenda saj kishte hapësirë për lojë. Dhe shtëpia e Nënës Lizë, shumë
shpejt, do të pushonte së qeni e qetë.
***
Pas mëngjesit, Nëna Lizë mblodhi pjatat dhe i lau me qetësi. Dy
djemtë rrinin në dhomën tjetër. Për çudi, ishin të heshtur.
Ajo
buzëqeshi. Ndoshta vajza kishte pasur të drejtë. Ndoshta kishte qenë më e
shqetësuar seç duhej.
I fshiu
duart me pecetë dhe hyri në dhomë. - Çfarë po bëni?
Dy djemtë
u kthyen menjëherë. - Po luajmë. - Mirë. Luani, por pa bërë shumë zhurmë. - Po,
gjyshe.
Përgjigjja
erdhi aq shpejt, sa Nëna Lizë u bind për një çast. U kthye në kuzhinë. Hapi
dollapin. Nisi të rregullonte disa gjëra që i kishin mbetur nga dita e mëparshme.
Për disa
minuta shtëpia ishte e qetë.
Pastaj...
një e qeshur. Pastaj një tjetër. Pastaj një zë i fortë: - Të kapa!
Nëna Lizë
ndaloi. Dëgjoi. - Çfarë po bëjnë?
Nuk u
shqetësua menjëherë. Fëmijët duhej të luanin. Edhe ajo kishte qenë fëmijë
dikur. Por loja e tyre nuk ishte më lojë. Ishte kthyer në një betejë.
Një jastëk
fluturoi nga dhoma dhe ra në korridor. Pas tij erdhi një tjetër. - Mos më kap!
- Do të të zë!
Nëna Lizë
doli nga kuzhina. Ajo që pa e bëri të mbetej për një çast pa fjalë. Divani ishte
shpërndarë. Jastëkët ishin në dysheme. Një batanije ishte kthyer në flamur. Dy
djemtë vraponin rreth tavolinës sikur të ishin në një fushë beteje.
- Çuna...
Asnjë nuk
e dëgjoi.
- Çuna!
Tani zëri
i saj ishte më i fortë. Ata ndaluan për një çast. E panë. Pastaj, si të mos
kishte ndodhur asgjë, vazhduan.
Nëna Lizë
mori frymë thellë. - Mirë...
U përpoq
të ruante qetësinë. - Luani, por kujdes.
U kthye
përsëri në kuzhinë. Por zemra i kishte thënë diçka që mendja nuk donte ta
pranonte. Këto dy ditë nuk do të ishin aq të qeta sa kishte menduar.
Nuk kaluan
shumë minuta. Këtë herë zhurma ishte më e madhe. Një vrapim. Një britmë. Një
përplasje. Dhe pastaj... një zhurmë që nuk i ngjante më lojës. Një krismë e
thatë.
Nëna Lizë
ngriti kokën. Për një çast nuk lëvizi. Pastaj shkoi me hapa të shpejtë në dhomë.
Në dysheme
ishte vazoja prej porcelani. E thyer. Copat ishin shpërndarë pranë këmbëve të
dy fëmijëve. Ata kishin mbetur pa lëvizur. Nuk qeshnin më. Nuk bërtisnin më.
Sikur edhe ata ta kishin kuptuar se diçka kishte ndryshuar.
Nëna Lizë
u afrua ngadalë. U përkul. Mori në dorë një copë të vogël porcelani. E pa
gjatë. Për dikë tjetër ishte vetëm një vazo. Por për të ishte një kujtim. Një
dhuratë nga njeriu me të cilin kishte ndarë pjesën më të madhe të jetës.
Dhe për
një çast, nuk pa copat në dysheme. Pa vitet që kishin kaluar. Pa duart e burrit
të saj që ia kishte zgjatur atë vazo shumë vite më parë.
Dy djemtë
rrinin të heshtur. Për herë të parë atë ditë, ata nuk dinin çfarë të bënin. Dhe
heshtja që ra mbi dhomë ishte më e fortë se çdo zë.
***
Nëna Lizë mbajti në dorë copën e vogël të vazos. Për disa
sekonda nuk foli. Dy djemtë rrinin të ngrirë. Ndoshta prisnin një britmë.
Ndoshta prisnin një qortim. Por ajo heshtje e gjyshes i trembi më shumë se çdo
fjalë.
- E dini
çfarë bëtë? - pyeti më në fund.
Zëri i saj
nuk ishte i lartë. Ishte i lodhur.
Djali i
vogël uli kokën. I madhi u përpoq të fliste: - Ne... vetëm po luanim.
Nëna Lizë
e pa. - E di që po luanit.
U afrua
pak. - Por edhe loja ka kufi, bir.
Ata
heshtën. - Unë ju thashë të ndalonit.
Asnjë përgjigje.
- Ju thirra.
Përsëri
heshtje. - Por ju nuk më dëgjuat.
Djali i
vogël u fsheh pas të vëllait. Nëna Lizë mbylli sytë për një çast. Në mendjen e
saj kaluan shumë gjëra. Vajza e saj. Mënyra si fëmijët ishin mësuar të merrnin
gjithçka që dëshironin. Mungesa e një fjale të vogël që ndonjëherë është më e
rëndësishme se çdo dhuratë: "Ndalo."
Ajo nuk
donte t'i lëndonte. Por nuk donte as t'i linte të rriteshin duke menduar se
gjithçka lejohej.
U afrua. -
Ejani këtu.
Ata u
afruan ngadalë. Dhe ajo u dha nga një goditje të lehtë në të ndenjura. Ishte më
shumë një shenjë qortimi sesa dhimbje. Por për dy fëmijët ishte diçka e
panjohur. Nuk ishin mësuar që dikush t'u vendoste kufi.
Për një
çast mbetën pa lëvizur. Pastaj fytyra e të voglit u mblodh. Lotët i mbushën
sytë. Edhe i madhi uli kokën. Ata nuk bërtitën. Nuk u zemëruan. Thjesht u
përqafuan me njëri-tjetrin. Sikur në atë çast kishin humbur diçka që nuk dinin
ta emërtonin.
Nëna Lizë
i pa. Zemra iu shtrëngua. Ajo e ndjeu menjëherë dhimbjen e tyre. Por e dinte se
disa mësime nuk jepen me fjalë të ëmbla.
- Uluni
aty pak, - tha qetë. - Mendoni çfarë ndodhi.
Dy djemtë
u ulën pranë divanit. Nuk lëviznin. Vetëm lotët u rridhnin ngadalë.
Nëna Lizë
filloi të rregullonte dhomën. Mblodhi jastëkët. Palosi batanijen. Vendosi
karrigen në vendin e saj. Por duart i punonin dhe mendja i rrinte te dy fëmijët.
Ajo nuk
ishte e kënaqur. Nuk ndihej fituese. Sepse një gjyshe nuk fiton kur një fëmijë
qan. Një gjyshe fiton kur një fëmijë kupton.
Pas disa
minutash, nga cepi i dhomës u dëgjua një zë i vogël. - O vëlla...
Djali i
madh nuk foli. - O vëlla... - Hë? - Më dhemb...
I madhi e
kuptoi. Edhe atij i dhembte. Por nuk tha gjë. Qëndruan pak në heshtje.
Pastaj i
vogli, me zë të mekur, tha: - Po unë dua mamin...
Pauzoi.
Pastaj, sikur t'i kujtohej diçka shumë e rëndësishme, shtoi: - Dhe... elular...
Fjala nuk
i doli mirë. Nuk arrinte ta thoshte "celular". Lotët ia prisnin zërin.
Nëna Lizë,
që po rregullonte tavolinën, ndaloi. Për një çast nuk mundi të mos buzëqeshte.
Jo sepse qeshte me dhimbjen e tij. Por sepse edhe në atë trishtim të vogël
fëmijëror, ai mbeti ai që ishte. Një fëmijë. Dhe në atë çast zemra e saj u zbut.
***
Nëna Lizë qëndroi edhe pak në këmbë. Dëgjoi frymëmarrjet e dy
nipërve. Dëgjoi edhe heshtjen e shtëpisë. Ajo heshtje nuk ishte më e njëjta me
atë të mëngjesit. Në mëngjes ishte heshtja e qetësisë. Tani ishte heshtja e një
mësimi.
Ajo u
afrua ngadalë. U ul përballë tyre. Dy djemtë nuk e ngritën kokën.
- Ejani
këtu, - tha butë.
Ata nuk
lëvizën menjëherë. Ndoshta kishin frikë se gjyshja ishte ende e mërzitur.
- Ejani,
more zemrat e gjyshes.
Këtë herë
u afruan. Nëna Lizë i mori të dy pranë vetes. Për pak çaste askush nuk foli.
Vetëm duart e saj u kalonin mbi flokët e tyre. Si kur ishin më të vegjël. Si
kur ajo i mbante në prehër dhe ata ende nuk dinin të vraponin.
- A ju
dhembi? - pyeti ajo.
Të dy
tundën kokën. - Pak.
Nëna Lizë
psherëtiu. - E di.
Djali i
madh e pyeti me zë të ulët: - Je inatosur me ne?
Ajo e pa
gjatë. - Jo, bir. - Po na qortove. - Po. - Po na dhe...
Ai nuk e
mbaroi fjalinë. Nëna Lizë heshti pak. - Sepse nuk dua të bëheni fëmijë që nuk
dëgjojnë askënd.
Dy djemtë
e dëgjonin. - Njeriu nuk rritet vetëm me lodra, me telefona dhe me gjëra të
bukura.
Ajo pa nga
telefoni i vjetër mbi tavolinë. - Rritet edhe kur mëson të respektojë.
Djali i
vogël ngriti sytë. - Po ne të duam.
Nëna Lizë buzëqeshi.
- Edhe unë ju dua.
Pastaj i
shtrëngoi më fort. - Pikërisht sepse ju dua, dua t'ju mësoj.
Ata
heshtën. Ndoshta nuk i kuptonin të gjitha fjalët. Fëmijët nuk i kuptojnë
gjithmonë shpjegimet. Por kuptojnë zërin. Dhe në zërin e gjyshes nuk kishte më zemërim.
Kishte dashuri.
-
Gjyshe... - Hë, bir? - A do na duash prapë?
Nëna Lizë
u prek. - Unë ju kam dashur edhe kur gabuat. - Edhe kur thyem vazën?
Ajo
vështroi nga copat që ende ishin mbi komodinë. - Edhe atëherë. - Po pse u
mërzite? - Sepse ajo vazo kishte kujtim brenda. - Çfarë kujtimi?
Nëna Lizë
heshti. Pastaj tha: - Të gjyshit tuaj.
Për herë
të parë, fëmijët nuk panë një send të thyer. Panë diçka tjetër. Panë që disa
gjëra nuk maten me para.
Djali i
madh u ngrit. Shkoi pranë komosw. Pa copat e vazos. Pastaj u kthye. - Më fal,
gjyshe.
Vëllai i
vogël e përsëriti: - Më fal.
Nëna Lizë
i mori përsëri pranë. - Mirë.
Pastaj
shtoi: - Por tani më ndihmoni ta rregullojmë dhomën.
Këtë herë
ata nuk pritën. Morën jastëkët. Vendosën lodrat në vend. Palosën batanijen. Nuk
ishte një punë e madhe. Por për ta ishte diçka e re. Për herë të parë nuk po
merrnin. Po ndihmonin.
Pas pak,
kur dhoma u rregullua, djali i vogël pa sërish telefonin mbi tavolinë. U afrua.
E mori në dorë.
-
Gjyshe... - Hë? - Akoma dua të të blejë mami telefon të ri.
Nëna Lizë
qeshi. - Nuk të harrohet ajo punë?
Ai tundi
kokën. - Jo. - Pse?
Fëmija
mendoi pak. Pastaj tha: - Sepse ti meriton një të bukur.
Nëna Lizë
e përqafoi. Nuk i tha se telefoni nuk ishte gjëja më e rëndësishme. Nuk i tha
se kishte gjëra shumë më të çmuara. Sepse disa gjëra nuk shpjegohen me fjalë.
Duhen ndier.
***
Dy ditët kaluan më shpejt nga sa kishte menduar Nëna Lizë.
Kur makina
e së bijës ndaloi para portës, ajo ishte duke ujitur lulet në ballkon. Dëgjoi
zërat e nipërve. Por këtë herë nuk ishin britma. Ishin zëra të qetë.
- Kujdes,
mos e lë aty. - Jo, vendose këtu.
Nëna Lizë
buzëqeshi. Nuk kishte nevojë të shihte. E kuptoi se diçka kishte ndryshuar.
Aferdita
hyri në oborr. - Nënë! - Erdhe, bijë?
U
përqafuan. Pastaj vajza pa përreth. Nuk kishte rrëmujë. Nuk kishte lodra të
shpërndara. Nuk kishte jastëkë mbi dysheme.
- Çfarë ka
ndodhur këtu? - pyeti me habi.
Nëna Lizë
ngriti supet. - Asgjë.
Por ajo
"asgjë" kishte brenda dy ditë të tëra. Dy ditë me zhurmë. Dy ditë me
lot. Dy ditë me mësime të vogla.
Djemtë
erdhën pranë së ëmës. - Mami... - Hë, zemrat e mamit? - Ne ndihmuam gjyshen.
Aferdita i
pa me habi. - Ju?
Ata tundën
kokën krenarë. - Po.
Nëna Lizë
buzëqeshi. Nuk tha asgjë. Disa fitore nuk kanë nevojë të tregohen. Duken.
Aferdita u
ul pranë fëmijëve. - Si kaluat?
Djali i
madh pa nga gjyshja. Pastaj tha: - Mirë. - Vetëm mirë?
Ai mendoi
pak. - Shumë mirë.
Pastaj
shtoi: - Por gjyshja është e rreptë.
Aferdita
vështroi nënën e saj. Për një çast asnjëra nuk foli. Pastaj Nëna Lizë
buzëqeshi. - E rreptë jam.
Pauzoi. -
Po jo më shumë se ç'duhet.
Aferdita
uli sytë. Ndoshta për herë të parë kuptoi diçka që nëna e saj e kishte mësuar
shumë vite më parë. Fëmijët nuk rriten vetëm duke u dhënë. Ndonjëherë rriten
edhe duke u ndalur.
Mbrëmja ra
ngadalë. Pasi vajza dhe nipërit u larguan, shtëpia u kthye përsëri në qetësinë
e saj. Por nuk ishte më e njëjta qetësi.
Nëna Lizë
mbylli derën. Rregulloi karrigen. Vendosi në vend librin mbi tavolinë. Pastaj u
ul pranë dritares.
Telefoni i
vjetër ishte aty. E mori në dorë. E vështroi. Për shumë vite kishte qenë vetëm
një telefon. Një send i zakonshëm. Por tani i kujtonte diçka tjetër. Një
mëngjes me vezë të skuqura. Një pyetje të pafajshme. Dy lot të vegjël. Një zë
që nuk shqiptonte dot fjalën "celular".
Buzëqeshi.
Ndoshta një ditë do ta ndërronte. Ndoshta do të merrte një telefon më të ri.
Por jo atë ditë. Atë ditë ajo kishte diçka më të rëndësishme. Zërat e nipërve
ende i dëgjoheshin nëpër dhoma.
Nëna Lizë
u ngrit. Shkoi te ballkoni. U afrua te lulet dhe i ujiti si çdo mbrëmje. Pastaj
pa dritat e qytetit që ndizeshin njëra pas tjetrës.
Dhe mendoi
se disa njerëz vijnë në jetën tonë për të na prishur qetësinë. Por ndonjëherë,
pikërisht ata njerëz, na sjellin përsëri gëzimin që na kishte munguar.
Në
tavolinë, telefoni i vjetër qëndronte i heshtur. Por ajo shtëpi nuk ishte më
bosh. Sepse brenda saj kishte mbetur diçka më e fortë se një telefon i ri.
Kishte
mbetur një zë.
Zëri i
dashurisë.


