Ilir Muharremi: Manifesta 14, spektakli kulturor dhe kufijtë institucionalë
Manifesta 14 në Prishtinë, spektakli kulturor, seleksionimi simbolik dhe kufijtë e trashëgimisë institucionale

Manifesta
14 në Prishtinë mbetet një nga ngjarjet më të diskutuara të skenës kulturore
kosovare të viteve të fundit, jo vetëm për shkak të përmasës së saj
ndërkombëtare, por edhe për shkak të pyetjeve që ajo la pas lidhur me
marrëdhënien ndërmjet artit, institucioneve, hapësirës publike dhe politikës
kulturore. Debati i deritanishëm është zhvilluar kryesisht ndërmjet dy
pozicioneve: njërit që e interpreton bienalen si një proces të rëndësishëm të
prodhimit të rrjeteve, përvojave, kontakteve dhe kapitalit simbolik, dhe
tjetrit që e sheh atë si një projekt të kushtueshëm, me premtime të mëdha dhe
me një trashëgimi materiale e institucionale që nuk korrespondon me ambicien
fillestare. Të dy këto lexime kanë argumentet e tyre, por mbeten të paplota
nëse Manifesta 14 trajtohet vetëm nëpërmjet pyetjes nëse ajo la apo nuk la
diçka pas në qytet. Pyetja më e rëndësishme është tjetër: çfarë lloj
marrëdhëniesh kulturore, hierarkish dhe formash legjitimiteti prodhoi ajo dhe,
mbi të gjitha, kush përfitoi prej tyre?
Manifesta
14 u zhvillua në Prishtinë nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022, si një program
100-ditor që përfshiu ekspozita, ndërhyrje në hapësirën publike, performanca,
diskutime dhe forma të ndryshme të ndërmjetësimit kulturor. Vetë Manifesta e
paraqiti edicionin e Prishtinës si një mundësi për të rikonceptuar marrëdhënien
ndërmjet artit bashkëkohor, qytetit dhe komunitetit. Në narrativën zyrtare,
rëndësi të veçantë iu dha edhe trashëgimisë institucionale të projektit,
përfshirë krijimin e Centre for Narrative Practice. Organizatorët e kanë
paraqitur këtë qendër si një prej rezultateve të qëndrueshme të edicionit të
Prishtinës.
Megjithatë,
një ngjarje kulturore mund të lexohet në mënyrë më të plotë kur dallohen realiteti
i saj, përjetimi i saj dhe narrativat që ndërtohen rreth saj. Në rastin e
Manifesta 14, këto dimensione bashkëjetojnë dhe kërkojnë të lexohen në
marrëdhënie me njëri-tjetrin. Një gjë është ajo që ndodhi gjatë njëqind ditëve
të bienales; tjetër është ajo që mbeti pas saj; dhe krejt tjetër është mënyra
se si kjo ngjarje vazhdon të rrëfehet. Pikërisht në këtë hapësirë ndërmjet
ngjarjes, trashëgimisë dhe narrativës shfaqet një nga problemet më interesante
të Manifesta 14.
Një
prej leximeve të publikuara së fundmi, ai i Sislej Xhafës, e zhvendos me të
drejtë vëmendjen nga ajo që është fizikisht e dukshme drejt asaj që një ngjarje
artistike mund të prodhojë në mënyrë më të thellë dhe më afatgjatë. Argumenti i
tij është i rëndësishëm sepse e zgjeron kuptimin e trashëgimisë artistike
përtej objekteve, ndërhyrjeve urbane apo gjurmëve materiale që mbeten pas
përfundimit të një projekti. Një bienale mund të prodhojë takime, përvoja,
marrëdhënie profesionale, mundësi të reja, kontakte ndërkombëtare dhe ndryshime
në perceptimin e një qyteti, edhe atëherë kur një pjesë e madhe e gjurmëve të
saj fizike nuk ekziston më. Në këtë kuptim, "ajo që nuk shihet" nuk
është domosdoshmërisht mungesë; mund të jetë pikërisht ajo pjesë e trashëgimisë
që kërkon një mënyrë tjetër leximi.
Kjo
perspektivë është veçanërisht e rëndësishme për një skenë kulturore si ajo e
Kosovës, ku përballja me një rrjet të gjerë ndërkombëtar mund të ketë vlerë që
nuk përkthehet menjëherë në ndërtesa, monumente ose objekte të përhershme. Nëse
artistë të rinj, profesionistë të kulturës dhe institucione vendore kanë fituar
kontakte, eksperienca dhe mundësi të reja përmes Manifesta 14, atëherë këto
përvoja përbëjnë një formë reale të trashëgimisë kulturore. Në këtë pikë,
argumenti i Xhafës është veçanërisht i vlefshëm: trashëgimia e një ngjarjeje
artistike nuk duhet të reduktohet në atë që mund të fotografohet.
Pikërisht
mbi këtë bazë mund të ndërtohet edhe një pyetje tjetër, që e zgjeron këtë
perspektivë: nëse trashëgimia mund të jetë edhe e padukshme, si shpërndahet ajo
në fushën kulturore? Kush ka përfituar prej saj? Kush ka fituar mundësi të reja
profesionale? Kush ka hyrë në rrjete të reja ndërkombëtare? Cilat institucione
janë fuqizuar realisht? Cilat karriera janë përshpejtuar? Cilat struktura
lokale kanë fituar autoritet të ri? Dhe, mbi të gjitha, a është kjo trashëgimi
e shpërndarë në mënyrë të barabartë në fushën kulturore, apo është përqendruar
në një numër relativisht të kufizuar artistësh?
Këtu
debati për Manifesta 14 merr një dimension tjetër. Nuk kemi të bëjmë më vetëm
me pyetjen nëse një projekt artistik ka qenë i suksesshëm. Kemi të bëjmë me
pyetjen se si funksionon një mega-ngjarje kulturore si mekanizëm seleksionimi.
Një bienale ndërkombëtare nuk përzgjedh vetëm artistë dhe projekte. Ajo përzgjedh
edhe zëra, institucione, ndërmjetës, kuratorë, partnerë, hapësira dhe mënyra të
caktuara të të folurit për kulturën. Përmes kësaj përzgjedhjeje krijohet një
hartë e re e dukshmërisë. Disa bëhen më të dukshëm; disa marrin autoritet; disa
shndërrohen në referenca; disa fitojnë qasje në rrjete të reja; ndërsa të
tjerët mbeten jashtë këtij qarku.
Ky
është dimensioni që meriton vëmendje të veçantë në debatin për Manifesta 14:
ekonomia e seleksionimit kulturor. Nuk mjafton të pyesim se çfarë u ekspozua.
Duhet të pyesim se kush u bë i ekspozueshëm. Nuk mjafton të pyesim sa vizitorë
pati. Duhet të pyesim se cilat kategori publiku u shndërruan në pjesëmarrës
aktivë dhe cilat mbetën vetëm spektatorë. Nuk mjafton të flasim për
ndërkombëtarizimin e skenës. Duhet të analizojmë se cilët artistë vendorë u
ndërkombëtarizuan dhe cilët vazhduan të mbeten në periferi të saj.
Kjo
nuk është një kritikë ndaj një individi të caktuar dhe as një akuzë për
përfitim personal. Është një çështje strukturore. Çdo fushë kulturore funksionon
përmes mekanizmave të përzgjedhjes. Në rastin e një bienaleje të madhe
ndërkombëtare, këta mekanizma bëhen edhe më të fuqishëm sepse përfshijnë burime
financiare, prestigj ndërkombëtar, institucione dhe rrjete profesionale. Për
këtë arsye, Manifesta 14 mund të shihet si një laborator i përkohshëm ku u
testuan jo vetëm forma të reja artistike, por edhe forma të reja të autoritetit
kulturor.
Në
këtë pikë, koncepti i kapitalit kulturor bëhet i rëndësishëm. Kapitali kulturor
nuk është vetëm njohuria artistike. Ai përfshin edhe reputacionin, edukimin,
njohjet, aftësinë për të hyrë në institucione, aksesin në rrjete dhe
autoritetin për të përcaktuar se çfarë konsiderohet kulturë e vlefshme. Një
ngjarje si Manifesta mund ta rrisë ndjeshëm këtë kapital për disa artistë dhe
institucione. Për këtë arsye, trashëgimia e një bienaleje nuk duhet kërkuar
vetëm në objektet që mbeten në qytet, por edhe në ndryshimet që ajo prodhon në
strukturën e prestigjit kulturor.
Nëse
një artist pas Manifesta 14 fitoi ekspozime të reja, nëse një kurator fitoi
qasje në rrjete ndërkombëtare, nëse një institucion lokal u bë më i njohur,
nëse një organizatë kulturore u shndërrua në partner të kërkuar, atëherë kemi
një formë reale trashëgimie. Kjo trashëgimi meriton të dokumentohet, të analizohet
dhe të kuptohet në mënyrë më të thellë. Në këtë kuptim, perspektiva e Xhafës
hap një fushë të rëndësishme kërkimi: jo vetëm çfarë mbeti fizikisht, por edhe
çfarë marrëdhëniesh, mundësish dhe kapacitetesh u krijuan përmes ngjarjes.
Në
anën tjetër, kritika ndaj Manifesta 14 si projekt i kushtueshëm është e
rëndësishme pikërisht sepse kërkon llogaridhënie publike. Shkrimi që e lidh
bienalen me "naivitetin shtetëror" e vendos në qendër koston prej
rreth pesë milionë eurosh dhe kontrastin ndërmjet premtimeve të mëdha dhe
gjurmëve të kufizuara që kanë mbetur në qytet. Në këtë interpretim, problemi
nuk është vetëm artistik, por politik: shteti nuk mund ta zëvendësojë politikën
e qëndrueshme kulturore me një mega-ngjarje të vetme dhe pastaj ta konsiderojë
vizibilitetin ndërkombëtar si rezultat të mjaftueshëm.
Por
këto dy perspektiva mund të vendosen në një marrëdhënie produktive. Njëra na
kujton rëndësinë e asaj që mbeti në qytet; tjetra na kujton rëndësinë e asaj që
nuk mund të shihet menjëherë. Njëra kërkon të kuptojë rezultatet materiale dhe
institucionale; tjetra zgjeron fushën drejt rezultateve njerëzore, profesionale
dhe simbolike. Një vlerësim serioz i Manifesta 14 duhet të jetë në gjendje t'i
mbajë të dyja pyetjet njëkohësisht: çfarë u materializua dhe çfarë u krijua në
mënyrë jomateriale?
Nëse
Manifesta nuk la mjaftueshëm infrastrukturë fizike, kjo nuk do të thotë se nuk
la asnjë infrastrukturë simbolike. Por kjo infrastrukturë simbolike duhet të
analizohet: kujt i përket, si funksionon dhe si mund të shndërrohet në pasuri
të përbashkët të skenës kulturore kosovare. A u bë ajo pasuri e përbashkët apo
u kapitalizua nga artistë të caktuar? A krijoi një sistem më të hapur të
mundësive apo një sistem të ri hierarkish?
Këtu
qëndron paradoksi i mega-ngjarjes kulturore. Ajo premton përfshirje, por
funksionon përmes përzgjedhjes. Premton demokratizim të kulturës, por
njëkohësisht krijon autoritete të reja. Premton hapje ndërkombëtare, por mund
të prodhojë edhe varësi nga rrjetet dhe kriteret e jashtme. Premton transformim
urban, por mund të mbetet një ndërhyrje e përkohshme. Premton trashëgimi, por
një pjesë e saj mund të jetë e përqendruar në CV-të dhe rrjetet e artistëve që
patën privilegjin të jenë në qendër të ngjarjes.
Prandaj,
Manifesta 14 duhet të analizohet edhe si një sistem i prodhimit të narrativës.
Kush e tregoi Manifesta-n? Kush e përkufizoi suksesin e saj? Cilat fjalë u
përsëritën më shumë: "vizibilitet", "ndërkombëtarizim",
"transformim", "komunitet", "trashëgimi"? Dhe si
mund të kuptohen këto terma në raport me rezultatet konkrete dhe me përvojat e
njerëzve që morën pjesë në këtë proces?
Kultura
bashkëkohore ka një problem të njohur: shpesh ajo nuk prodhon vetëm vepra, por
edhe gjuhën përmes së cilës veprat duhet të kuptohen. Në rastin e Manifesta 14,
kjo gjuhë ishte pjesë e vetë projektit. Prishtina nuk u prezantua vetëm si
qytet ku zhvillohej një bienale; ajo u prezantua si hapësirë eksperimentale, si
qytet i ri evropian, si vend i transformimit dhe si territor ku arti mund të ndërhyjë
në jetën sociale. Kjo narrativë ka vlerë kulturore, ndërsa analiza e saj
ndihmon për të kuptuar mënyrën se si një mega-ngjarje artistike prodhon edhe
kuptime politike dhe simbolike.
Në
këtë kuptim, publiku mund të mbetet me atë që mund ta quajmë "kapital
narrativ": kujtimin se një ngjarje e madhe ndërkombëtare ka ndodhur në
Prishtinë, se qyteti është parë nga bota dhe se Kosova ka hyrë përkohësisht në
qarkun e vëmendjes evropiane. Por kapitali narrativ nuk është i njëjtë me
kapitalin institucional. Një shoqëri mund të ketë një histori të rëndësishme
për një ngjarje dhe njëkohësisht të ketë nevojë ta shndërrojë atë përvojë në
kapacitete më të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, siç sugjeron edhe perspektiva
e Xhafës, kujtesa, marrëdhëniet, përvojat dhe mundësitë e krijuara mund të jenë
pjesë e rëndësishme e trashëgimisë. Këto dimensione nuk përjashtojnë
njëra-tjetrën; përkundrazi, së bashku krijojnë një pamje më të plotë të
ndikimit të Manifesta 14.
Kjo
është arsyeja pse Manifesta 14 duhet të vlerësohet në tri nivele: çfarë prodhoi
për artin, çfarë prodhoi për institucionet dhe çfarë prodhoi për publikun. Nëse
përfitimi artistik ekzistoi, por institucionet nuk u konsoliduan; nëse
institucionet përfituan, por publiku mbeti spektator; ose nëse ndërkombëtarizimi
u përqendrua te një numër i kufizuar artistësh, atëherë kemi një trashëgimi të
pabarabartë. Por edhe e kundërta duhet të pranohet: nëse artistët dhe
profesionistët kosovarë fituan kontakte, përvoja dhe mundësi që më parë nuk i
kishin, atëherë kjo është një trashëgimi reale, edhe nëse ajo nuk mund të
vendoset në një shesh si monument.
Në
këtë pikë, Manifesta 14 bëhet shumë më interesante sesa një debat mbi pesë
milionë euro apo mbi disa ndërhyrje urbane që u zhdukën. Ajo bëhet një rast
studimi për mënyrën se si kapitali kulturor shpërndahet në një shoqëri të vogël
kulturore. Dhe kjo është pyetja që duhet të shqetësojë më shumë: a e zgjeroi
Manifesta 14 fushën kulturore të Kosovës, apo thjesht e riorganizoi qendrën e
saj?
Nëse
e zgjeroi, atëherë kemi një trashëgimi të rëndësishme. Nëse vetëm e riorganizoi
qendrën, atëherë kemi përpara një proces që meriton të studiohet më tej:
përzgjedhjen, përqendrimin dhe prodhimin e autoritetit kulturor. Në të dyja
rastet, debati duhet të kalojë jo nga mohimi i të padukshmes, por nga përpjekja
për ta kuptuar, dokumentuar dhe analizuar atë në mënyrë më të thellë.
Manifesta
14, në këtë kuptim, nuk duhet të gjykohet vetëm si sukses ose dështim. Ajo mund
të ketë qenë njëkohësisht sukses si spektakël ndërkombëtar, sukses për disa
artistë, sukses simbolik për qytetin dhe një projekt që, në disa dimensione
institucionale, kërkon ende të vlerësohet. Këto kategori nuk e përjashtojnë
njëra-tjetrën. Përkundrazi, bashkëjetesa e tyre është ajo që e bën rastin e
Prishtinës të rëndësishëm për studimin e politikave kulturore bashkëkohore.
Prandaj,
pyetja përfundimtare nuk duhet të jetë: "Çfarë mbeti nga Manifesta?"
Pyetja duhet të jetë më e vështirë: "Kush u bë më i fuqishëm kulturorisht
përmes Manifesta-s dhe çfarë mundësish iu krijuan publikut për ta përvetësuar
atë kapital?"

Sepse një mega-ngjarje kulturore nuk matet vetëm me atë që ndërton dhe me atë që lë pas. Ajo matet edhe me mënyrën se si shpërndan vëmendjen, autoritetin, prestigjin dhe mundësitë. Nëse disa artistë fitojnë kapital kulturor ndërsa publikut i mbetet kryesisht narrativa, atëherë kjo hap një pyetje të rëndësishme për mënyrën se si një ngjarje e tillë e riorganizon fushën kulturore. Por, në të njëjtën kohë, kapitali i krijuar përmes kontakteve, përvojave dhe mundësive të reja duhet të njihet si pjesë reale e trashëgimisë së saj.


