Ilir Çumani: Për Florën nuk vajton vetëm Kosova…

PËR FLORËN NUK VAJTON VETËM KOSOVA…
Nga
Ilir Çumani
Sot
nuk vajton vetëm Kosova për bijën e saj, por edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e
Veriut, edhe Mali i Zi…
Mbarë
shqiptaria sot ka një dhembje. Një komb i tërë ndien se i është këputur një
gjymtyrë nga trupi i tij i plagosur; një gjymtyrë që mbante në vetvete dhimbje,
kujtesë, qëndresë, kurajë dhe një pjesë të krenarisë e të lavdisë së historisë
sonë.
Flora
Brovina nisi rrugën e gjatë për në amshim.
Është
e vështirë ta shkruash këtë fjali kur ke njohur njeriun që fshihej pas emrit,
titujve, veprës dhe historisë së saj.
Flora
ishte nga ato gra që nuk kalojnë thjesht në jetën e një kombi; ato lënë gjurmë.
Dhe gjurma e Florës është e thellë, sepse u shkrua me sakrificë, me dhimbje, me
guxim dhe me dashuri për njerëzit.
E
njoha si një grua të fortë, por jo të fortë vetëm në kuptimin që ia jep
historia një figure publike. Ajo kishte një forcë të heshtur, të bukur dhe rrëzëlluese
njerëzore, që ndihej në fjalën e saj, në vështrimin e saj, në mënyrën si e
përballonte dhimbjen dhe si e kthente atë në kurajë.
Flora
nuk e jetoi historinë nga larg.
Ajo
e preku historinë me duart e saj dhe e shtrëngoi fort në gji, ashtu siç shtrëngon
një nënë foshnjën e saj — me dashurinë më të madhe, me dhimbje, me frikë dhe me
atë instinkt të shenjtë për ta mbrojtur nga çdo e keqe.
E
përjetoi historinë në mish e në shpirt. E mbajti mbi vete barrën e kohëve të
vështira dhe, megjithatë, nuk lejoi që dhimbja ta kthente në një njeri të
ligësht.
Përkundrazi,
zgjodhi të ishte pranë njeriut, pranë të vuajturit, pranë fëmijëve të shumtë të
mbetur jetimë nga lufta në Kosovë, pranë atyre që humbën gjithçka dhe mbetën
vetëm përballë dhimbjes.
Ajo
ishte pranë kujtdo që kishte nevojë për një zë, për një dorë, për një fjalë
shprese. E dinte se dhimbja nuk shërohet vetëm me fjalë, por me praninë
njerëzore, me dashuri dhe me dorën që zgjatet për të ngritur atë që ka rënë.
Ndoshta
kjo është një nga përvojat dhe mësimet më të mëdha që na la Flora Brovina: se
qëndresa nuk është vetëm të mos rrëzohesh, por edhe të dish të ngrihesh çdo
herë që rrëzohesh dhe të vazhdosh të besosh.
Sot,
ndërsa ajo largohet nga kjo botë, më duket sikur bashkë me të po largohet një
copëz e një kohe që ne ende nuk kemi ditur ta tregojmë si duhet, në të gjithë
të vërtetën dhe dhimbjen e saj.
Largohet
një dëshmitare. Një humaniste. Një grua e kurajshme. Një mikeshë.
Dhe,
mbi të gjitha, largohet një grua e dimensioneve të mëdha njerëzore, një grua që
e deshi jetën e njerëzve të saj më shumë se rehatinë e vet.
Flora,
ti nuk do të jesh më mes nesh me atë zërin tënd të qetë dhe të shtruar, të
pabujë; me atë praninë tënde, me atë forcën që e sillje edhe atëherë kur fjalët
ishin të pakta.
Por
ti do të jesh aty ku qëndrojnë njerëzit që vdekja nuk mund t’i marrë
plotësisht:
Në
KUJTESË.
Do
të jesh në kujtesën e Kosovës. Në kujtesën e shqiptarisë. Në kujtesën e atyre
grave e burrave që të njohën, të deshën dhe ecën përkrah teje.
Mbi
të gjitha, do të mbetesh në kujtesën time si mikja ime e vyer prej afro tri
dekadash; jo si një emër i shkruar në faqet e historisë, por si një njeri i
gjallë, me të cilën ndava kauza të mëdha dhe misione të përbashkëta në shërbim
të humanizmit; fjalë, respekt, miqësi dhe emocione që sot marrin një tjetër
kuptim dhe një vlerë të patjetërsueshme.
Sot
kam vetëm një fjalë për ty:
Lamtumirë,
mikja ime!
Shko
në amshim me paqen që e meriton.
Ne
do të vazhdojmë të jetojmë me mungesën tënde, por edhe me dritën vezulluese që
le pas.
Pusho
në Paqen e merituar, Heroinë e HESHTJES dhe e sakrificave më të bukura SUBLIME.


