Idris Dermyshi: Besim Dema, gjurmë drite mbi supet e kohës
Besim Dema, gjurmë drite mbi supet e kohës

Njohje
të vonshme kam patur me profesorin Besim Dema. Historiani e shkrimtari gramshak
Meçan Hoxha më afroi në veprimtaritë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Durrësit, ku njoha Besimin. Të njohësh Besimin do të thotë të njohësh
përkushtimin pa bujë, njeriun e punëve me peshë të madhe. Unë njoha besimin dhe
jo zhgënjimin. Njoha një krutan që armë jete nuk kishte shpatën, por mençurinë
dhe dinjitetin.
Besimi,
burrë i thjeshtë e plot mend, ka ndihmuar e gëzuar shumë njerëz, pa i bërë dëm
askujt. Personalitet i spikatur në fushën e arsimit, mësimdhënies, drejtimit e
krijimit letrar e artistik. Madhështor në thjeshtësinë e vet. Mbi të gjitha,
njeri.
Besimi
u lind në fshatin Mazhe, atje ku malet e Krujës ulin kryet për t’i dhënë dritë
fushës, ku fryma e historisë ndihet në çdo gur e ulli. E ndodhur pranë rrugëve
strategjike dhe nën hijen e kështjellës së Skënderbeut,Mazhja ka parë kalorës e
ushtri, beteja e besëlidhje, është njomur me djersë bujku e gjak luftëtari.
Besimi
u burrërua në kullën e gurtë ku buka piqej në vatër, ku historia mësohej nga
zëri i ulët i pleqëve, ku fjala e besa i kishin rrënjët në shkëmb. Jeta e tij
nuk qe një shëtitje lëndinave e kodrinave, por ngjitje vertikale mes
vështirësive. Duke patur Mazhen si djep dhe Sari Salltikun si testament
shpirtëror, Besimi e ktheu dijen në bekim dhe shkollën në teqe drite.
Me
trupin e drejtë e veshjen me sqimë, ku nuk i mungon kostumi e kollarja, kasketa
e këmisha e hekurosur me vizore, Besimi ruan me dinjitet pamjen e një
aristokrati të kohëve të arta, te i cili çdo detaj i jashtëm reflekton
rregullin e brendshëm.
Te
Besimi treten në përsosmëri ashpërsia e malit me butësinë e fushës, rreptësia e
drejtorit me humanizmin e prindit. Ai dinte të kërkonte me ngulm, sepse donte
me shpirt. Shihte te çdo fëmijë jo vetëm nxënësin e sotëm, por edhe qytetarin e
së ardhmes. Shpirti i tij, hambar vlerash, mban brenda dy botë të mëdha; kodin
e lashtë të malit dhe dritën e artë të dijes.
Të
jesh drejtor shkolle për katër dekada, do të thotë të keshë parë stinët të
ndërrohen jo vetëm në pemët e oborrit, por edhe në sytë e mijëra nxënësve.
Besimi nuk drejtoi vetëm mure, banka e udhëzime zyrtare; ai ndërtoi një tempull
ku dija ishte besim dhe edukata art.
Ndonëse
i goditur herët nga largimi i bashkëshortes, boshllëk që e mban me dinjitet të
heshtur e fisnik, ai nuk iu dorëzua vetmisë. Mania u largua vetëm fizikisht.
Ajo jeton në vargjet e bukura të Besimit, në sytë e katër fëmijëve të
mrekullueshëm, ku drita e saj do të vazhdojë të ndriçojë gjatë. Besimi nuk po
ecën i vetëm; ka në krah trashëgiminë më të bukur që Mania i la pas: “ Katër
fëmijë si yje/ Dy djem si petritë me fletë/ Vajzat si flutura në pyje/ Jetës
sonë i dhanë jetë.” - shkruan Besimi.
Edhe
pse në pension, Besimi u mëson matematikën breznive të reja, punon mbi katër
libra në dorëshkrim, kur dhjetë të tjerë shfletohen nga lexues të shumtë.
Librat
“Miqtë e Krujës” dhe “Mësuesi, zëri që transmeton vlera”, janë përmendore
shpirtërore dhe historike për Krujën emërmadhe. Madhështinë ia ka dhënë
historia Krujës, por histori bëjnë edhe
njerëzit e zakonshëm, bashkëhohës të Besimi Demës.
Rreth
100 portrete, jetëshkrime e vlerësime njerëzish ndriçojnë Krujën e rrethinat e
saj, me dritën e punës së tyre. Duke përshkruar jetën e individëve, autori
gdhend portretin e një brezi që punoi shumë e mori pak, që njohu si vlerë
virtytin dhe jo portofolin. Secili prej tyre nuk është Robinson Kruzo në një
ishull të vetmuar, por anëtar i një familjeje, pjesëtar i një kolektivi,
qytetar i një komuniteti.
Të
kujtosh kontributet e një qyteti për gjysmë shekulli, do të thotë t’i japësh të
ardhmes një pasqyrë ku të shoh të djeshmen. Njëkohësisht, është akt nderimi
ndaj atyre që ndërtuan memorien e një qyteti. Në një botë ku e sotma konsumon
shpejt të djeshmen, autori i bën një ftesë të hapur ndërgjegjes sonë: kush
harron rrënjët, humb kurorën !

Besim
Dema përfaqëson atë racë të rrallë intelektualësh, te të cilët mësuesi udhëzon,
shkrimtari frymëzon, eseisti analizon, publicist zgjon.
I
veshur me dritën e uratës qytetare dhe dinjitetin e mësuesit, Besim Dema nuk
plaket kurrë, sepse jeton te mijëra vetëdije që ndriçoi dhe te shkrimet që i la
kohës si testament paqeje.
Kruja
e historisë dhe e bukurisë do ndihej më mirë po të mendonte si Niçja i madh, që
vlerësonte madhështinë e kombeve jo nga
numri i njerëzve të mëdhenj, por nga mënyra si i trajtojnë njerëzit e mëdhenj.
Vlerat,
më shumë se rrudhat, ia shtojnë fisnikërinë drejtuesit legjendë dhe mikut tonë
të rrallë, Besim Dema.
Dinjitoz,
krenar, të papërtuar e hazërxhevap të pafshim përherë, miku ynë i veçantë !
Idris Dermyshi
Durrës, më 10. 08.2026


