Llesh Ndoj: Akademiku pa titull

-
Portret i pa autorizuar për Pashk Alia –
Nga Llesh NDOJ
E
njoha para pak më shumë se katër dekada, asokohe të dy studentë në Tiranë, por
me statuse të ndryshme. Pashk Alia studjonte filozofi në ish - shkollën e
Partisë, ku vinte pas një përvoje të gjatë pune e suksesesh në rrethin e Pukës,
duke qënë që atëherë një emër i njohur. Ai vinte, po ashtu, edhe pas disa
kualifikimeve e shkollimeve paraprake, për të ngjitur një e nga një shkallët e
karierës, ndërsa unë isha një djalë i ri, në rrugën për t’u diplomuar për herë
të parë, dhe akoma pa u përplasur me hallet e jetës. Mes nesh, në këtë njohje
qëndronte im vëlla Ndreca, bashkëstudentë me Pashkun. Më është fiksuar në
mendje pamja e këshilla e tij e urtë që atëherë dhe me habi e shumë kënaqësi,
konstatoj se Pashku ka mbetur i njëjti edhe tash pas kaq shumë kohësh që kanë
kaluar, i freskët e djaloshar në fizik, i pjekur në gjykim, këmbëngulës në
synimet e tij, bashkëpunëtorë korrekt, intelektual që bën diferencën në çdo
mjedis, burrë që i ka hije ndeja e fjala si në sofër burrash, po aq edhe në
mjedise akademike, mik e shok tepër i veçantë. E quaj veten me fat se jetojmë
në të njëjtin qytet, jetojmë në miqësi të mirë mes nesh, por edhe bashkëndajmë
mendime të përafërta për kohën, politikën, shtetin e shoqërinë aktuale. Nëse i
hedh një sy ecurisë së tij jetësore, shkollimit e karierës së pasur, menjëherë
e kupton se kemi të bëjmë me një njeri jo të zakonshëm, i cili ka ditur të
udhëtojë nëpër shtigje pune e kariere, që nuk kanë qenë fushë me lule, e koha
dje as sot, nuk i ka bërë asgjë dhuratë, përkundrazi është mprehtësia e tij
intelektuale, këmbëngulja e tij e vazhdueshme, mendja pjellore dhe fryma e
bashkëpunimit me të tjerët, çelësi i karierës së tij të pasur.
I
lindur në vitin 1957 në fshatin Berishë të rrethit të Pukës, por i rritur që në
moshën 12 vjeçare (1969) në Luf e në kantieret e kohës pranë qytetit, Pashku
mëkambet shpejt, shkollohet e integrohet në jetën ekonomike e shoqërore me
ritme të përshpejtuara, falë edukatës që i kishin dhënë prindërit e
mrekullueshëm dhe përkrahjes që kishte nga vëllezërit më të rritur Marku e
Frani, më vonë edhe nga i mirenjohuri mësuesi Bardh Alia, por kryesisht nga
fakti se ai e ndjente se në jetë duhet të punosh fort e t’i hapësh shtigjet e
saj me këmbët e zbathura, nëse do të qëndrosh lart e për shumë kohë. Kurrë në
jetën e tij nuk i ka ndarë punën dhe librin. Akoma në arsimin tetëvjeçarë, në
vitet 1973 - 1975 punon në ish - Ndërmarrjen Bujqësore të Pukës, kurse në
moshën 17 vjeçare, pas mbarimit të arsimit të mesëm për mekanik bujqësor në
Shkollën Mekanike Bujqësore të Durrësit, fillon punë në ish - S.M.T, ku krahas
punës si mekanik mbaroi edhe studimet në gjimnazin e Pukës. Dy vitet e fundit,
1982 - 1984, edhe pse në moshë akoma të re dhe në një nga ndërmarrjet më
problematike të kohës, për cilësitë e spikatura organizative, nomenklatura e
emëroi Drejtor të S.M.T – së në Pukë. Për shumëkënd që nuk e njeh nga afër
Pashkun, duket disi e pa besueshme, por ai ka mbaruar me rezultate të larta
edhe shkollën e mesme ushtarake të kuadrove rezervistë. Për cilësitë e tij
intelektuale e organizative, për ndershmërinë e korrektesën që zotëronte, dy
vitet në vijim e gjejnë në ish - Shkollën e Partisë, kursi i lartë i
filozofisë, për të vijuar në mbarim të saj për 5 vite si shef i kuadrit në ish
- Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit të Pukës. Këtu shfaqi gjithë
seriozitetin e kapacitetin e tij njerëzor e intelektual, u njoh me instancat e
larta e me masat e gjera dhe kontriboi që rrethi të kishte shtresën e tij të
kuadrit, që ndiqnin shkallët e karierës së kohës, bazuar vetëm në merita. Ishte
antikonformist dhe e urrente servilizmin, gjë që do t’i shkaktonte edhe ndonjë
“kokëçarje” të vogël gjatë kohës që e ushtroi këtë detyrë. Duke kryer punën e
Shefit të Kuadrit, i vlerësuar për punë të mirë në shkallë vendi, ai mbaroi
edhe studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, dega
Histori - Gjeografi. E pabesueshme, por ai ka dhënë shumë provime edhe në
fakultetin ekonomik, por asokohe i del e drejta për të vazhduar kursin e
filozofisë në Shkollën e Partisë dhe nuk lejoheshin të vazhdoje dy universitete
paralele, ndaj e ndërpreu atë. Me ndryshimin e sistemit në vitin 1991, Pashku
kaloi në arsim, ku punoi në shkollat e Lufit e Gomsiqes deri në vitin 1993, për
t’iu përkushtuar pastaj biznesit privat deri në vitin 2009. Pas një periudhe pauze
në angazhimet e drejtpërdrejta shtetërore, në vitet 2014 - 2021 iu përkushtua
punës në arkiva, si drejtues në Lezhë e si Drejtor i Arkivave vendore në
Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, periudhë e cila i shërbeu për të
kontribuar edhe në këtë drejtim që ishte krejt i ri dhe i ndryshëm për të si
profesion, por jo si intelektual që e njihte sistematikën dhe rëndësinë e
dokumentit, e të ruajtjes së tyre në formën e mënyrën e duhur.

Në
ciklin e krijimtarisë së Pashk Alisë, konstatohen lehtësisht tri linja madhore:
njëra linjë është ajo e ciklit të botimeve monografike për personalitete të
ndryshme pukjane, si “Miku ynë i mirë, Gjergji Sholla”, “Promovim vlerash”,
“Legjenda Pukjane, Idriz Meta”, “Gjon Gjonaj, Kryetari i suksesshëm i Bashkisë
Pukë”, libra që dëshmojnë pozitivitetin me të cilin i shikon e vlerëson ai
njerëzit, por edhe mungesën e cmirës ndaj arritjeve të të tjerëve. Ai mezi pret
të dalë një libër i ri, sidomos nga autorët lokalë, që t’a bëjë të tijin e të
reagojë gjithnjë pozitivisht, ndërsa si linjë të dytë do të veçoja botimet me
karakter teoriko - filozofik dhe etiko - moral, ku veçoj botimet “Dashuruar me
ëndrrën”, “Tej zhgënjimit”, “Xhelozia, jetë nën zinxhirë”, “Përmendorja e
shpirtit”, “Me Besa besë”, “Virtyti i Diturisë”, “Virtyti i Dashurisë” etj, ku
shquhet thellësia e trajtimit të çështjeve të marrura në shqyrtim, thjeshtësia
e të shprehurit e konkretizimi i tyre me ngjarje e shembuj jetësorë, duke i
bërë ata sa libra akademikë, po aq edhe popullorë. Ndërsa në linjën e tretë të
botimeve të tij vijnë botimet mbi prejardhjen, lashtësinë e autoktoninë
berishase e pukjane, ku veçoj librat “Im at dhe dheu i Atit”, “E ëmbla bujaria
pukjane” dhe ciklin e fundit enciklopedik prej 10 - 12 vëllimësh mbi Pukën,
libër që ka nisur para 5 vitesh e gjendet ende në udhëtimin e vet.
Falë
shoqërisë që ndajmë, kam ndjek me kënaqësi e kureshtje punët e përpjekjet e tij
në studimin e fundit disavëllimësh që pritet t’i vihet në dispozicion publikut.
Me një platformë të plotë e plotësisht shkencore, me një metodikë për t’u patur
zili edhe nga ata që gjithë jetën paguhen vetëm për studime të tilla, pa asnjë
mbështetje financiare veç të bijëve, Pashk Alia gjurmon çdo vendbanim të
berishasve, shkel edhe aty ku për shekuj me radhë ndoshta nuk ka shkelë njeri,
dokumenton, filmon me dron e kryen matje kudo ku ka gjurmë lashtësie, takon
njerëz e mbledh prej tyre të dhëna e fakte, angazhon pas objektivit të vet
“ekipe” jo zyrtare njerëzish, e të gjitha këto së bashku bëjnë që ai t’a
meritoje titullin akademik prej vërteti, anipse ata që kanë detyrë t’i
vlerësojnë sipërmarrje të tilla “flenë” mbi tituj e grada shkencore, pa bërë
asnjë punë të frutshme, në mos e “ngatërrofshin” edhe ndonjë fakt apo argument,
që historia jonë fatmirësisht e ka vendosur në vendin e duhur. Për të gjitha
këto, Pashk Alia e meriton të quhet akademik, e meriton të vlerësohet edhe më
ndonjë titull shkencorë për punët e tij, por ai nuk merakoset për këtë. I
mjafton që ka fituar titullin trashëgimtar besnik i një familje berishase, nga
më fisniket e kohës, që ka shënuar emrin e tij në punë e suksese për një
periudhë të gjatë kohore në Pukë, Lezhë e Tiranë, dhe që le pas një trashëgimi
të pasur, me botimet e shumta që zvillasin mendjet e njerëzve e pasurojnë
bibliotekat personale të shumëkujt, por edhe të disa bibliotekave shtetërore e
bashkiake në Lezhë, Pukë, Shkodër, Tiranë e Kosovë.
Mund
të shkruash pafund për Pashk Mhill Alinë e të arriturat e tij të derisotme, por
do të ndalem këtu për të sjell në vemendje një tjetër aspekt të portretit e
personalitetit të tij. E kam fjalën për familjen. Pashk Alia vjen nga një
familje shumë e nderuar berishase, me emër të mirë e me tradita të lashta. Ai,
jo vetëm e ka përvetësuar, por edhe e ka pasuruar më tej këtë traditë. Ka
përjetësuar në libër të atin Mhill Alia, ka shkruar për vëllezërit e tij,
intelektualë klasi, Bardh e Fran Alia, por edhe ka ngritur e zhvilluar qelizën
e tij familjare të shëndoshë, punëtore e mikpritëse, si në traditë, duke e bërë
të dukshme vijimësinë, me djemtë e mrekullueshëm Ylber e Visar Alia. Ai nuk
shkruan kot për Pukën, për Berishën e berishasit, por synon t’a bëjë të vetën,
t’a pasurojë e trashëgojë në breza gjithçka të mirë që ata i kanë dhënë
njerëzimit. Pashku flet me pasion për Pukën dhe e do atë të zhvilluar, flet për
Lezhën dhe jep detaje të perspektivës, flet për Shqipërinë e të nesërmes e nuk
pajtohet me politikat e mbrapshta, flet për historinë, të sotmen e të nesërmen
e saj, sepse përtej të gjithave, ka një shpirt atdhetari e një mendje përherë të
freskët prej intelektuali.


